ALARMI: Loja online që të çon drejt vetëvrasjes: Fiton vetëm nëse vdes
Në mediat sociale po shfaqet një tendencë e frikshme, një lojë vetëvrasëse e quajtur “Blue Whale” (Balena blu) ku pjesëmarrësit fitojnë vetëm nëse vdesin.
Loja online që po tmerron gjithë Rusinë dhe vendet e Azisë Qendrore si Kazakistani dhe Kirgistani, besohet se po çon të rinjtë drejt vetëvrasjes.
Edhe pse është e vështirë të thuhet saktësisht se ku dhe kur filloi të “notojë” online kjo tendencë alarmante, Komiteti hetimor i Rusisë ka njoftuar për një arrestim lidhur me lojën, e cila u zbulua në rrjetin social VKontakte.
Zëdhënësja e këtij komiteti, Svetlana Petrenko, tha për agjencinë e lajmeve TASS se pas kryerjes së hetimeve, ka nisur një çështje penale me akuzën e nxitjes së vetëvrasjes.
Sipas hetuesve, nga dhjetori 2013 deri në maj 2016, autorët themeluan tetë grupe virtuale në rrjetin social “VKontakte” që synonin nxitjen e përdoruesve të mitur për të kryer vetëvrasje.
Si funksionon loja? Ti regjistrohesh dhe të caktohet një administrator, ose kujdestar. Ky kujdestar të jep porosi që duhet t’i kryesh përgjatë 50 ditëve. Në të njëjtën kohë duhet t’u japësh atyre dëshmi se ke kryer të gjitha kërkesat e tyre. Në fund të 50 ditëve, fiton duke kryer vetëvrasje.
Një korrespondent i RFE/RL (Radio Evropa e Lirë) donte të shihte konkretisht funksionimin e lojës “Blue Whale”. Kështu, në sajtin “VKontakte” krijoi një profil fals të një vajze 15 vjeçare. Ja transkriptimi i bisedës online:
“Dua të luaj lojën”.
“Jeni i sigurt? Nuk ka asnjë kthim pas”, u përgjigj i ashtuquajturi kujdestar i lojës Blue Whale.
“Po. Çfarë do të thotë: s’ka asnjë kthim pas.”
“Nuk mund ta lini lojën nëse filloni.”
“Jam gati”.
Pastaj kujdestari shpjegon rregullat.
“Duhet të kryeni çdo detyrë që ju jepet me zell dhe askush nuk duhet të dijë në lidhje me këtë. Sapo mbaroni një detyrë, më dërgoni një foto dhe në fund të lojës ju vdisni. Jeni gati?
“Po nëse dua ta lë?”
“Kam të gjitha të dhënat tuaja. Do të të përndjekim”.
Detyra e parë që iu dha korrespondentit ishte të gërvishte “F58” në krah. Korrespondenti u përpoq të mashtronte kujdestarin duke i dërguar një foto të modifikuar me photoshop, por kujdestari nuk iu përgjigj më.
Përgjatë një jave, RFE/RL arriti të kontaktojë me dhjetëra lojtarë dhe ish lojtarë dhe disa nga kujdestarët.
“Unë jam “balena” juaj personale”, shkroi një tjetër kujdestar, duke shpjeguar se loja përbëhej nga 50 detyra të shpërndara në 50 ditë. “Do ju ndihmoj ta çoni lojën deri në fund. Dita e fundit është fundi i lojës. Nëse vdisni, ju fitoni. Nëse nuk e bëni, ne do ju ndihmojmë. Jeni gati?
Kuratori premtoi se do të jepte detyrën e parë në 4:20 të mëngjesit. Por deri atëherë, llogaria e tij u bllokua.
Autoritetet ruse besojnë se njeriu prapa këtij krijimi të tmerrshëm është Filip Budeikin, i cili aktualisht përballet me akuzën e nxitjes së vetëvrasjes te të paktën 15 të rinj.
Në një intervistë mjaft shqetësuese për mediat vendase, Budeikin pranoi se numri i vërtetë ishte 17. Ai pohoi se viktimat e tij “vdiqën të lumtur. U dhashë atë që nuk kishin në jetën reale: Ngrohtësi, mirëkuptim, lidhje”.
Një nga viktimat ishte Galina Sibiryakova, një 19-vjeçare nga Karaganda. Ajo u gjet e vdekur më 7 shkurt nga prindërit e saj. Familja pohoi se adoleshentja qëndronte në kontakt të vazhdueshëm me dikë në Skype. Aktualisht, autoritetet në Kazakistan kanë bllokuar qasjen në “grupet e vdekjes” në mediat sociale. Ndërsa Ministri i Brendshëm kazak, Kalmukhanbet Kasymov, ka bërë thirrje për krijimin e një baze të dhënash kombëtare të përdoruesve të mediave sociale. Në kryeqytetin e Kirgistanit, policia në bashkëpunim me shkollat ka nisur hetimet për të kontrolluar fëmijët për shenja prerjesh, ose mesazhe të dyshimta në telefon.
Ndërsa për disa ky mund të duket si reagim i tepruar, për të tjerë veprimet e ndërmarra nga autoritetet janë të justifikueshme. Ndërkohë ka nisur bllokimi i çdo faqeje me hashtagun #SeaOfWhales, #BlueWhales, #WhalesSwimUpwards dhe # WakeMeUpAt420, #F58, si dhe shumë të tjera.
Vetëvrasja është një shqetësim real në këto vende dhe fëmijët që bien viktimë e kësaj loje gënjehen dhe udhëhiqen nga frika se dikush do t’u bëjë keq atyre, ose familjarëve të tyre nëse nuk ndjekin rregullat e lojës. Një i ri raportoi se kishte marrë një mesazh: “Nëna jote nuk do të mbërrijë nesër në stacionin e autobusit”.
Një pjesëmarrës tjetër, Ivan, tha se ishte përpjekur të linte lojën duke bllokuar kujdestarin e tij. Megjithatë më vonë ai mori një mesazh nga një tjetër kujdestar: “Nuk mund të fshihesh nga ne”. Ivan bllokoi edhe atë llogari dhe nuk pati probleme të tjera dhe as ka marrë ndonjë mesazh tjetër.
Pavarësisht kërcënimeve që kanë marrë shumë lojtarë të Blue Whale, nuk ka pasur raportime për incidente të çdo lloji në lidhje me lojën jashtë botës virtuale.