Albpetroli: Bujar Leskaj, shantazhier dhe spekulant, na faturoi abuzimet e Berishës
Shoqëria Albpetrol sh.a, iu është përgjigjur akuzave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për sa i përket dëmeve financiare me vlerë prej 9.5 milionë euro. Ne deklaratën e bërë publike, po gjatë ditës së djeshme, thuhet se, KLSH ka ushtruar presion dhe shantazh ndaj disa drejtuesve të Albpetrol-it dhe kjo gjë është bërë me urdhër direkt të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj.
Në deklaratë sqarohet se dëmet financiare janë të vërteta, por ato i përkasin periudhës së para muajit tetor të vitit 2013. “KLSH bën fajtor administratën aktuale për njohjen e zbritjes së holluesit të naftës ndërkohë që marrëveshja për zbritjen e holluesit është nënshkruar në vitin 2011 dhe për më tepër është anuluar si e paligjshme nga administrata aktuale më datë 06.09.2013”, thuhet në deklaratë. Që në hyrje të saj kërkohet: “Dëshirojmë që të sqarojmë opinionin publik për të vërtetën mbi këtë rast. Materiali i publikuar sot në media është akti i fundit në vazhdën e presioneve dhe shantazheve që janë ushtruar përgjatë katër muajve të fundit nga inspektorët e KLSH-së mbi një pjesë të drejtuesve të Albpetrol sh.a. Të gjitha këto presione dhe shantazhe janë kryer me urdhër direkt të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj”. Në deklaratë, shpjegohet se deklarimet e KLSH-së janë spekulative, të gënjeshtërta, konfuze, por edhe në mospërputhje me raportin përfundimtar të kontrollit të vetë KLSH-së. Kontrolli i Lartë i Shtetit i faturon si dëm ekonomik administratës aktuale të Albpetrol sh.a, vlerën 9.1 milionë dollarë. Prej vetë Albpetrol sh.a, bëhet me dije se ky dëm është shkaktuar përpara datës 1 Tetor 2013, kur ka filluar punë administrata e re. Mandej deklarohet: “Për më tepër ky dëm është tentuar që të fshihet nga ana e KLSH-së në kontrollin e zhvilluar në Gusht 2013 dhe është zbuluar nga auditi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në muajin Nëntor 2013. Për këtë çështje shoqëria Albpetrol sh.a ka depozituar një Kallëzim Penal në Prokurorinë e Rrethit Fier më datë 13.12.1013”. Nga ana e Albpetrol thuhet: “Në mënyrë të qëllimshme KLSH bashkon diferencën prej rreth 5 mijë ton naftë bruto bashkërisht në vitet 2013-2014, ndërkohë që kjo diferencë është konstatuar për periudhën përpara datës 1 Tetor 2013. Pra bëhet fjalë për një shkelje të ndodhur në administratën e kaluar dhe që për më tepër Albpetrol sh.a ka depozituar në prokurori dy kallëzime penale për këtë çështje më datat 13.12.1013 dhe 14.01.2014. Në vend që për këtë dëm KLSH të bëjë përgjegjës personat që kanë drejtuar në periudhën kur është shkaktuar humbja, në mënyre abuzive bëhen fajtorë personat që e kanë marrë detyrën më datë 01.09.2013”. Për sa i takon dëmit ekonomik të pretenduar nga KLSH-ja, të shkaktuar nga largimi i punonjësve nga puna me pushim kolektiv, në mënyrë tendencioze, KLSH ia faturon këtë dëm administratës aktuale në një kohë kur kjo administratë nuk ka asnjë vendim gjyqësor të përfunduar. “Vendimet e përmendura nga KLSHja janë të administratës së kaluar. Vetë KLSH-ë saktëson se dëmi është shkaktuar në vitet 2008-2013, por asnjë herë nuk ia ka cilësuar si dëm administratës së kaluar dhe me papërgjegjshmëri ia faturon drejtuesve që kanë filluar punë në Tetor 2014”- denoncohet në deklaratë. Po ky denoncim vazhdon kur thuhet se, KLSH, në mënyrë tendencioze deklaron që Albpetrol sh.a ka nënshkruar një kontratë shitje me një kompani koncesionare, në një kohë kur ka dijeni të plotë se Albpetrol sh.a ka arkëtuar shumat për naftën që kjo kompani nuk ja kishte dorëzuar Albpetrol në vitet 2011-2012. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka propozuar asnjë masë për këtë çështje në vitet 2011 dhe 2012, por në mënyrë kontradiktore deklaron se ky veprim ka shkaktuar dëm ekonomik. Ky veprim jo vetëm që nuk ka shkaktuar dëm, por përkundrazi është realizuar një përfitim rreth 2.5 milionë dollarë më i lartë se përfitimi që do të realizohej nëse e njëjta sasi do të shitej me çmimin e ankandeve të viteve 2012 dhe 2013. Çmimi i arkëtuar nga Albpetrol sh.a prej 73.96 USD/barelë është çmimi më i lartë i realizuar në vitet e fundit. Për krahasim, në Gusht 2013 është nënshkruar nga Albpetrol një kontratë për shitjen e 30 mijë ton naftë me çmimin 60 për qind brent, e cila në vlerat e sotme të brent nënkupton 55 USD/barelë. Megjithëse drejtuesit e Albpetrol i bënë me dije KLSH-së dyshimet për paligjshmërinë e kësaj kontrate kryetari i grupit, në mënyrë të dyshimtë nuk pranoi ta kontrollojë.
Akuza
KLSH-ja akuzoi gjatë ditës së djeshme shoqërinë Albpetrol, për një dëm ekonomi në vlerë rreth 9.5 milionë euro. Sipas KLSH-së, vetëm nga abuzimi me kostot e transportit të naftës është 1,4 milionë USD. “Dëmi i vërtetë ekonomik do të përcaktohet nga ekspertë të fushës së naftës dhe të organeve hetimore, të cilët do të shqyrtojnë mënyrën e përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol.”, thuhej në njoftimin e shpërndarë për mediet nga ana e KLSH-së. Raporti Përfundimtar i Auditimit në shoqërinë Albpetrol sha, Patos për periudhën 01.08.2013 – 30.06.2014 dhe rekomandimet e KLSH-së, i janë përcjellë Ministrit të Energjisë dhe Industrisë si dhe kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, akuzat që rëndojnë mbi shoqërinë Albpetrol sh.a janë, funksionimi si agjent kompanish koncesionare, caktimi i çmimit të naftës në mënyrë arbitrare, shlyerja e detyrimit direkt në burimin e naftës, zbritja e holluesit nga detyrimi për naftën, shkeljet në Qendrën e Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit, si dhe strukturat paralele që dublojnë Albpetrol sh.a.