Kosova

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott: Qeveria e ardhshme, të jetë e gatshme për kompromis me Serbinë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë prioritet dialogun me Serbinë. Diplomati britanik në një intervistë për Gazetën Express është shprehur se në një proces negociatash siç është ai mes Kosovës dhe Serbisë dy palët duhet të jenë të gatshme për kompromis. Abbott tutje tha se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel siç është ajo e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të adresohet nga secila qeveri që vjen. Abbott tha poashtu se pas zgjedhjeve Kosovës i duhet një qeveri stabile për t’u përballur me sfidat që do të vijnë.

Sa i përket letrës që presidenti Biden i ka dërguar presidentit Vuçiq ku i ka kërkuar që marrëveshja me Kosovës të përfundojë me njohje reciproke, ambasadori Abbott tha se Britania e Madhe do të punojë me administratën e re amerikane dhe me shtetet e tjera të QUINT’it për ta përkrahur Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.

Gazeta Express: Është bërë një vit e gjysmë që nga koha kur ju u bëtë ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Si ka qenë kjo periudhë për ju në Kosovë? Cilat janë vështirësitë dhe përparimet kryesore që keni parë gjatë kësaj periudhe?

Ambasadori Abbott: Kur erdha në Kosovë, zgjedhjet e tetorit të vitit 2019 ishin afër të mbaheshin. Tani ne përsëri po i presim zgjedhjet të dielën. Prandaj, pasiguria politike gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit qartazi e ka bërë më të vështirë një pjesë të punës së ambasadës. Por kjo nuk e ka parandaluar progresin në bashkëpunimin Mbretëri e Bashkuar – Kosovë në një varg të gjerë të fushave me të cilat mund të jemi krenarë, nga puna rreth sundimit të ligjit përmes Rishikimit Funksional deri te Projekti ynë i Rekrutimit me qëllim që të sigurohet emërimi i kandidatëve më të kualifikuar në pozita publike.

Gazeta Express: A mendoni se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, qeveria e re e Kosovës do të ketë stabilitet më të madh në Kuvend sa u përket numrave dhe a besoni se do të arrijë që të zgjedhë një president të ri?

Ambasadori Abbott: Në këtë fazë, ka shumë spekulime rreth rezultatit të zgjedhjeve dhe të gjithë skenarëve të ndryshëm që mund të ndodhin. Natyrisht, Kosovës i nevojitet një qeveri stabile për ta tejkaluar ndikimin ekonomik dhe social të pandemisë Covid-19 dhe ky duhet të jetë fokusi kryesor i të gjithë politikanëve, kur të fillojë procesi i formimit të qeverisë.

Gazeta Express: Çfarë prisni nga procesi zgjedhor në Kosovë, që do të mbahet më 14 shkurt?

Ambasadori Abbott: Kosova ka të arritura të dëshmuara në administrimin e zgjedhjeve të besueshme dhe unë pres që të dielën do të shohim një proces shumë mirë të administruar dhe transparent. Ne e dimë se procesi nuk është i përkryer dhe mungesa e progresit për adresimin e rekomandimeve të bëra nga Raporti i Misionit të BE-së për Zgjedhjet për 2019-n është fatkeq. Ka nevojë për dispozita më të mira për sfidimin e rezultateve dhe mbikëqyrje më të mirë të financimit të fushatës. E kemi ndjekur procesin për së afërmi këtë vit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jam i kënaqur që kemi pasur mundësi ta përkrahim Misionin e Ekspertëve, të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, për ta analizuar dhe vëzhguar procesin krahas Misionit të Ekspertëve të BE-së dhe organizatave vendore të shoqërisë civile.

Gazeta Express: A duhet që qeveria e re ta vazhdojë dialogun me Serbinë në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE-ja?

Ambasadori Abbott: Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë prioriteti kryesor për cilëndo qeveri të ardhshme. Viteve të fundit, procesi e ka përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet, për shembull në lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar e përkrah plotësisht procesin dhe është e gatshme dhe e aftë të përkrahë secilën qeveri për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.

Gazeta Express: Sondazhet thonë se lideri i VV-së, Albin Kurti, është favorit për t’i fituar këto zgjedhje, madje me përqindje 51 për qind [pyetja është shtruar kur janë publikuar sondazhet e para]. Kurti vazhdimisht e ka kundërshtuar themelimin e çfarëdo asociacioni të komunave me shumicë serbe. A mendoni se Kurti do ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse ai e udhëheq qeverinë e re?

Ambasadori Abbott: Secila qeveri do të duhet ta adresojë këtë çështje, bazuar në marrëveshjet që ekzistojnë. Është çështje kyçe dhe ndaj saj duhet qasur në mënyrë të hapur si pjesë e ndërtimit të një konsensusi kombëtar për normalizimin me Serbinë.

Gazeta Express: Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka dërguar një letër presidentit serb, Aleksander Vuçiq, me të cilën ka bërë thirrje që të arrihet një marrëveshje me Kosovën me fokus në njohjen reciproke. A mendoni se kjo qasje e administratës së re amerikane për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e suksesshme?

Ambasadori Abbott: Përkushtimi i vazhdueshëm i administratës së ShBA-së ndaj procesit natyrisht që është i mirëseardhur. Ne do të punojmë me ta dhe me shtetet tjera të Quint-it për ta përkrahur Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit.

Gazeta Express: Ndonëse Mbretëria e Bashkuar është zyrtarisht jashtë BE-së, a mendoni se ajo duhet të angazhohet në çështjet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Abbott: Natyrisht që duhet. Mbretëria e Bashkuar mbetet pjesë e Evropës dhe stabiliteti dhe mirëqenia e Ballkanit Perëndimor ende janë vendosmërisht në interesin kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë thelbësore e këtij procesi, siç janë edhe elementet tjera të bashkëpunimit tonë dypalësh: trajnimi për FSK-në, rekrutimi meritokratik për institucionet shtetërore dhe Bursat Chevening për t’ua mundësuar kosovarëve studimet në nivel më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gazeta Express: Zyrtarët evropianë, më saktësisht deputetët e Parlamentit Evropian kanë deklaruar se Kosova duhet të jetë e gatshme për kompromis sa i përket marrëveshjes me Serbinë, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa kompromis. A besoni se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa kompromis?

Ambasadori Abbott: Në çfarëdo negociatash, qofshin ato mes dy shteteve apo dy personave, duhet të ketë gatishmëri nga të dyja palët për kompromis. Pa kompromis, negociatat e suksesshme vështirë se janë të qëndrueshme. Është detyrë e cilësdo qeveri kosovare që ta përgatisë veten sa më plotësisht që është e mundshme dhe të ketë përkrahje publike me qëllim të sigurimit të negociatave të suksesshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button