Kosova

Analistët: Në asnjë mënyrë të mos diskutohet për ‘Trepçën’, është më shumë se çështje ekonomike

Në Bruksel duhet të diskutohet vetëm për çështjet që ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe është e domosdoshme që t’iu rezistohet presioneve të mundshme, që në agjendë të bisedimeve të përfshihet edhe çështja e ‘Trepçës.

Kështu vlerësuan për Telegrafin, njohës të proceseve politike.

Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos diskutuar për Trepçën në bisedimet e Brukselit, është një ndër veprimet më të mira që mund të bëj pala kosovare në këto bisedime.

“Në rast se ka diçka që mund të bashkoj gjithë spektrin politik atëherë është ajo që Trepça është pasuri e Republikës së Kosovës dhe për këtë nuk ka nevojë të diskutoj me asnjë shtet tjetër. Trepça nuk normalizon marrëdhëniet ndër-shtetërore, ajo vetëm mund t’i prishë”, ka thënë Ajeti për Telegrafin.

Ai gjithashtu tha se ambasadat e akredituar në Kosovë e shohin njëjtë çështjen e Trepçës, pasuri e shtetit të Kosovës.

“Zakonisht kur komunitetet jo shumicë kanë qenë kundër ndonjë veprimi institucional, jemi mësuar të shohim ambasadorë në Kosovë që përmes deklaratave, takimeve etj, të ndikojnë në proceset vendimmarrëse të vendit. Diçka të tillë nuk e kemi parë me Ligjin për Trepçën apo kërkesën e Listës serbe të deponuar në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me shkeljet e neneve kushtetuese që janë bërë si në materien, ashtu edhe në procesin miratimit të Ligjit për Trepçën”, tha tutje ai.

Ajeti tha po ashtu se ‘Trepça’ assesi nuk bën të vendoset në agjendën e bisedimeve me shtetin serb, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

“Tani kur Beogradi do të dështojë t`i bëj presion Prishtinës, do të jetë Lista serbe ajo që do ta kryejë këtë detyrë në politikën e brendshme. Trepça assesi nuk bën të vendoset në tavolinën ku do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin serb e as në tavolinën ku do të diskutohet për Demarkacionin, Asociacionin apo FSK-në”, tha Ajeti, duke shtuar se rëndësia ekonomike por edhe morale që ka Trepça për Kosovën dhe qytetarët e saj është më e madhe se çdo kompromis i politikës ditore.

Ndërkaq, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se është e papranueshme që për ‘Trepçën’ të diskutohet në Bruksel.

Ai tha se po ta pranonte një gjë të tillë, pala kosovare do të bënte vetëvrasje politike.

“Është e domosdoshme që t’iu rezistohet presioneve të mundshme, duke treguar vendosmëri e pjekuri për një çështje si ‘Trepça’. ‘Trepça’ është më shumë sesa thjesht një çështje ekonomike dhe ka të bëjë me sovranitetin dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin.

Ndryshe, në Bruksel në dialogun Serbi- Kosovë, pala serbe ka insistuar të diskutohet edhe për Trepçën, por Prishtina zyrtare nuk ka pranuar një gjë të tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button