Ekonomia

Analiza e riskut: Financat kërkojnë auditues për certifikimin e deklaratave tatimore

Tatimet pritet të nisin një fazë të rëndësishme të luftës kundër informalitetit, atë të certifikimit nga shoqëritë audituese të deklaratave tatimore të bizneseve, që do përzgjidhen për kontroll nga analiza e riskut.

Ministria e Financave ka ftuar të gjitha shoqëritë audituese të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes për tu listuar si shoqëri audituese e kualifikuar për certifikimin e deklaratave tatimore. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës 22.03.2017,  pranë protokollit të Ministrisë së Financave në adresën: Blv “Dëshmorët e Kombit”nr.3, në një zarf të mbyllur me mbishkrimin “Për komisionin e përzgjedhjes së shoqërive audituese, për listim”.

Duke vlerësuar maksimalisht kontributin e shoqërive audituese në certifikimin e deklaratave tatimore, certifikim i cili do të shërbejë si element në analizën e riskut të tatimpaguesit, inkurajomë të gjtha shoqëritë që plotësojnë kriteret, të marin pjesë në procedurën e konkurimit për listimin e shoqërive audituese, thuhet në njoftimin zyrtar të shpalljes së procedurës konkurruese.

Ky proces zhvillohet në zbatim të nenit 80 të ligjit të procedurave tatimore, i cili  parashikon që administrata tatimore kontrollon deklaratat tatimore, llogaritë, librat dhe regjistrimet tatimore të tatimpaguesit, përfshirë të gjithë dokumentacionin, që ka të bëjë me të ardhurat, shpenzimet, aktivet dhe pasivet dhe marrëdhëniet financiare me palë të treta.

Kontrolli i tatimpaguesit bazohet në deklaratat e dhëna nga tatimpaguesi, si dhe në librat, regjistrimet e informacionin e dhënë nga palët e treta ose në përputhje me mënyrat alternative të vlerësimit.

Administrata tatimore kontrollon saktësinë e të gjitha dokumenteve, që kanë të bëjnë me statusin ligjor, rezidencën, veprimtarinë ekonomike, pagesat dhe detyrimet tatimore, si dhe çdo dokument tjetër me rëndësi për përcaktimin e detyrimit tatimor.

Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.

Në ndryshimet e fundit të legjislacionit u shtua dhe klauzola sipas të cilës, në rast se tatimpaguesi ka të certifikuara, nga kompani të njohura audituese, ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë, deklaratat tatimore ku vërtetohet se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, administrata tatimore e përshin këtë element në analizën e riskut të tatimpaguesit. Procedurat, kriteret dhe lista e kompanive audituese ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave në zbatim këtij neni.

Sipas udhëzimit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Ministria e Financave publikon në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare procedurën e konkurrimit për krijimin e listës së shoqërive audituese, që do të kenë të drejtën për certifikimin e deklaratave tatimore për pajtueshmërinë e tyre me kërkesat e legjislacionit fiskal. Për t’u listuar për të fituar të drejtën për kryerjen e këtij shërbimi shoqëritë audituese, duhet të plotësojnë këto kritere:

  1. i) Të jenë shoqëri të auditimit ligjor të publikuara në Regjistrin publik të EKR-ve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar;
  2. ii) Të kenë të paktën dhjetë (10) vite përvojë në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe këshillimeve tatimore;

iii) Të kenë jo më pak se (1 ) auditues ligjor në rolin e ortakut të angazhimit me përvojë pune jo më pak se 5 vjet.

Të drejtën për të aplikuar për listim e kanë edhe bashkimet e dy shoqërive audituese, që të vetme nuk i plotësojnë kriteret e mësipërme, të cilat kur aplikojnë dorëzojnë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet reciproke në rast përfshirje si bashkim shoqërish për kryerjen e certifikimit të deklaratave tatimore.

Ministri i Financave cakton me urdhër anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes së shoqërive audituese, për listim. Brenda 30 ditëve nga shpallja e procedurës, Komisioni duhet të përcaktojë Listën e Shoqërive Audituese. Kjo listë duhet të publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në website e Ministrisë së Financave dhe website e Administratës Tatimore.  Listimi do të bëhet për një periudhë 4 (katër)- vjeçare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button