Angjeli: Borxhi publik u vu nën kontroll, ekonomia po jep sinjale pozitive
– Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, relaton në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2015 –
Deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, duke relatuar të hënën në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2015 tha se, qeveria arriti të vërë nën kontroll borxhin publik, ndërsa rritja ekonomike e vendit për vitin 2014 pritet të jetë 2% dhe të rritet në 3% në vitin 2015.
Ky buxhet me të drejtë mund të konsiderohet si buxheti i kthesës, që po i jep ekonomisë sinjale pozitive, u shpreh Angjeli, ndërsa shtoi se ky buxhet parashikon rritje ekonomike, konsolidim të sektorit fiskal dhe qëndrueshmëri të atij monetar . “Një vit më parë e cilësuam buxhetin e kthesës, kriza ekonomike u frenua, financat publike u vunë nën kontroll edhe borxhi dhe defiçiti. Në krahasim me 2013 në këtë fundvit ndryshimet janë të dukshme. Ekonomia po jep sinjale pozitive, si ajo në arsim energjetikë, bujqësi reforma territoriale”, tha Angjeli.
Si dokumenti kryesor i ekonomisë, projektbuxheti integron interesat për rritje ekonomike përmirësim të mirëqenies dhe kontroll të borxhit publik. Gjatë fjalës së tij, deputeti Angjeli vuri në dukje se, ky projektbuxhet mbështet reformat në sektorët kryesorë të ekonomisë si energjitikë, reformën territoriale, bujqësi, arsim, turizëm e shëndetësi. Pr/buxheti 2015 parashikon rritje të ndjeshme të të ardhurave, me rreth 49 miliardë lekë, një rritje modeste të shpenzimeve dhe ulje të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik deri në 70.6% të GDP-së.
Një angazhim ky i marrë përpara FMN-së, me qëllim konsolidimin e financave publike. Angjeli theksoi se, projektbuxheti me gjithë pretendimet e biznesit do të sigurojë harmonizim të politikave fiskale dhe monetare duke hedhur themelet për stabilitetin makroekonomik të vendit. Ai është hartuar duke marrë në konsideratë raportin e BE-së si dhe sugjerimet e FMN-së.