Arte

Anri Sala për të tretin vit, artisti më i mirë i Francës

Artisti shqiptar kryeson listën me 100 emra të njohur të artit bashkëkohor

Anri-SalaAnri Sala ka kryesuar për të tretin vit sondazhin e bërë nga revista e njohur franceze “Le Journal des Arts”, duke u quajtur “artisti i vitit”. Artisti shqiptar ka dalë i pari në krye të një liste me 100 artistë të njohur të artit bashkëkohor. E quajtur “Artindex France”, ky sondazh bazohet në numrin e ekspozitave individuale që artistët kanë hapur në të gjithë botën dhe të dhënat e ofruara nga Artfacts.net. Sala ka lënë pas emra si François Morellet, Christian Boltanski dhe Daniel Buren, që renditet i katërti. Kjo është hera e tretë që artisti shqiptar vlerësohet si më i miri në skenën bashkëkohore franceze. Dhe pse jeton në Berlin, Franca vijon ta shohë si një nga emrat më të rëndësishëm të artit sot. Sala ka kryer studimet për arte në Paris, pas përfundimeve të studimeve për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ekspozitat e tij të para dhe depërtimi si një zë ndryshe në skenën e artit bashkëkohor do të ndodhnin pikërisht në këtë qytet. Vetëm një vit më parë, ai prezantoi Francën në Bienalen e Venecias me veprën “Ravel, ravel, unravel”. Një vepër që do të ngjallte emocione për tonet poetike që mbart, duke shprehur dhe interesin gjithnjë në rritje të artistit për muzikën. Ai sillte në vëmendje një koncert për piano të vitit 1930 nga kompozitori francez Maurice Ravel, koncerti për dorën e majtë D. Major.

anri-sala-ravel-ravel-unravel-french-pavilion-at-the-2013-venice-art-biennale-designboom-02_1Vepra është porositur nga pianisti austriak Poul Wittgenstein, i cili humbi krahun e djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u kërkoi kompozitorëve të shkruanin punë në piano vetëm për dorën e majtë. Sala i kishte dhënë një ndjesi ndryshe kësaj historie duke e sjellë përmes dy pianistëve franko-kanadezin Louis Lortie dhe francezin Jean Efflam Bavouzet. Ky vit ka qenë i suksesshëm për Salën, i cili në muajin mars mbylli ekspozitën personale në Muzeun e Tel Avivit ,ndërsa Instituti i Arteve në Çikago vazhdon të shfaqë videon e tij që prej nëntorit. Disa muaj më parë, ai fitoi çmimin prestigjioz të artit bashkëkohor në Europë “Vincent”, duke lënë pas emra si Gillian Wearing. Sala do të jetë pjesëmarrës në Festivalin “Tirana open” që do të hapë siparin më 6 maj në Tiranë, me një punë të tijën, krah emrave të njohur të artit bashkëkohor që priten t’i bashkohen këtë vit këtij eventi që drejtohet nga Helidon Gjergji dhe Vladimir Myrtezai. Ajo çfarë është interesante te lista me 100 artistë për kritikën franceze është fakti që mungojnë artistet femra. Vetëm 19 prej 100 artistëve janë femra. Megjithatë, Franca ia ka besuar prezantimin e saj në Venecia këtë vit një artisteje femër. Ajo është Celeste Boursier Mougenot.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button