Apeli i inxhinierit për qytetarët: Kthehuni normalitetit e mos flini në makina, pasgoditjet e tërmetit çlirim energjie
Inxhinieri Agim Seranaj iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos flenë më nëpër makina nga frika e tërmeteve.
Gjatë një interviste televizive, Seranaj u shpreh se pasgoditjet për një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter janë normale, pasi pllakat tektonike duhet të stabilizojnë veten.
Sipas tij, edh në Durrës, ku paniku është më i madh, qytetarët duhet të bëjnë të pamundurën për t’iu rikthyer jetës normale.
“Këto lëkundje që po shënohen njihen si paslëkundje dhe shoqërojnë çdo tërmet. Nëse tërmetet janë me magnitudë të ulët shoqërohen me pak pasgoditje, kurse një tërmet me magnitudë kaq të madhe sa i ai i Durrësit, ai është e pritshme të shoqërohet me tërmete pas tij edhe me madhësi jo të vogla. Këto paslëkundje duhet t’i quajmë normale. Tërmeti zhvillohet kryesisht prej lëvizjeve të pllakave tektonike, që kërkojnë të çlirojnë energjinë e grumbulluar. Janë pllaka të mëdha që lëvizin dhe tani duan të zënë ripozicion. Ato tani pak nga pak po fillojnë të stabilizojnë veten, ndaj dhe janë këto lëkundjet. S’ka arsye që njerëzit të flenë në makinë”, apeloi ai.
“Edhe në Durrës, nëse do ta mundin dot panikun, në shumë objekte që kam vizituar dhe që nuk ka shumë plasaritje, të telefonojnë edhe komshinjtë dhe të fillojnë të bëjnë qytetin të jetueshëm aty ku mundet, sepse ka shumë mundësi. Nëse ndodh një tërmet i madh, ai shoqërohet me më shumë pastërmete dhe me shtrirje më të madhe në kohë, sepse është nevoja për të çliruar energjinë”, deklaroi ai.