Apelimi në kohë rekord, dy gjykata u vunë në dispozicion të Fullanit
Nga Sokol Çobo
Dy gjykata janë vënë në dispozicion të ish-guvernatorit Ardian Fullani, për t’i shkurtuar ditët në qeli. Ai qëndroi vetëm 10 ditë në burg, pas procedurave përshpejtuese të Gjykatës së Tiranës dhe asaj të Apelit. Prokuroria thotë se është “injoruar” nga Gjykata e Tiranës, e cila nuk priti kundërshtimet e saj për apelimin e kësaj mase sigurie, teksa edhe Apeli vendosi fillimisht masën në datën 12 shtator. Midis gjykatave dhe prokurorisë ka pasur letërkëmbime të shumta për zhvillimin e masës së sigurisë ndaj ish-guvernatorit, ndërsa Apeli caktoi datën 15 shtator. Sipas procedurave standarde, një masë sigurie nga Shkalla e Parë në apel zgjat minimalisht 20 ditë, por ajo ndaj Fullanit ishte një “rekord”.
Masat e sigurisë
Masa e parë e sigurisë dhe arrestimi i Fullanit u realizua në datën 5 shtator. Dy ditë më vonë, gjyqtarja Blerina Muça, që kishte bëri masën në mungesë, la në fuqi vendimin e saj. Akuza tha se në datën 8 shtator është bërë apelimi dhe Gjykata e Tiranës ka njoftuar prokurorinë. Në të njëjtën datë, Gjykata e Tiranës i dërgon apelimin Gjykatës së Apelit, kur në fakt, sipas procedurave ligjore, duhet të priste kundërshtitë e Prokurorisë së Tiranës. Administrata e Gjykatës së Shkallës së Parë nuk ka pritur dhe ka dërguar çështjen në Apel.
Në Gjykatën e Apelit filluan “ethet” se kujt gjyqtar do t’i binte. Madje, mësohet se pati diskutime mes anëtarëve të kësaj gjykate për mënyrën e shortit. Nëse seanca do të bëhej pas datës 16 shtator, atëherë kryesues do të ishte Gjin Gjoni. Nëse do të bëhej para kësaj date, kryesuese do të ishte Edlira Petri, kjo sipas një kalendari të miratuar më parë nga gjykata. Por, kreu i kësaj gjykate, Alaudin Malaj, ka vendosur që këto çështje të rilidhen në short. Nuk dihet sesi u bë ky short, me gogla apo elektronik, por në fund u zgjodh vetë Alaudin Malaj, si kryesues, dhe si anëtarë Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri.
Letërkëmbimet
Prokuroria ka pasur disa letërkëmbime me Gjykatën e Apelit. Sipas saj, njoftimi i parë ishte se seanca e masës së sigurisë ndaj Ardian Fullanit do të ishte në datën 12 shtator, pra një javë pas arrestimit. “Kemi marrë disa shkresa nga Gjykata e Apelit, në formën e fletëthirrjeve. Pas interesit, mësuam se në datën 12 shtator do të bëhej edhe masa e sigurisë ndaj Ardian Fullanit. Ligji e përcakton qartë se prokuroria ka të drejtë ta kundërshtojë këtë masë, pa u shqyrtuar në Apel. Por, gjykatat nuk i kanë pritur këto kundërshtime dhe kanë bërë gati të gjithë procedurën për zhvillimin e seancës gjyqësore”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.
Sipas tyre, me një tjetër letërkëmbim, prokuroria i kërkoi Gjykatës së Apelit që të shtynte këtë masë, pasi nuk kishte mundësi fizike përgatitja e kundërshtimit të masës së sigurisë. Madje, as kopja e apelimit nuk i ishte vënë në dispozicion prokurorëve të çështjes. Nisur nga këto letërkëmbime, duket qartë se Gjykata e Apelit ka pasur një ngutje të madhe për të zhvilluar këtë masë sigurie. Ndoshta, nxitimin e vetëm mund ta ketë pasur guvernatori Ardian Fullani, që po vazhdonte të mbahej në burg. Ai ishte ankuar për kushtet e qelisë te paraburgimi 302 dhe u ka kërkuar familjarëve dyshekë dhe orendi të tjera, për ta bërë sa më lehtësuese qëndrimin në qeli. Këto kushte i janë plotësuar, ndërsa nga ana tjetër, familjarët dhe avokatët, po përgatisnin mbrojtjen në Apel. Ata pohonin se i arrestuari nuk ka rrezikshmëri shoqërore, madje nuk përbën rrezik edhe për fshehjen e provave.
10 ditë burg
Burimet nga akuza pohojnë se pas shumë kërkesash nga Apeli, u vendos që seanca do të zhvillohej në datën 15, pra vetëm 10 ditë pas arrestit. Nëse nuk do të ishte ditë e shtunë dhe e diel, Apeli mund të caktonte një tjetër datë, duke qenë se data e parë ishte 12 shtatori. Ata “pritën” deri të hënën për të zhvilluar këtë gjyq të shumëpritur, duke e caktuar seancën ndaj Fullanit në mesditë, por që në fakt u zhvillua pasdite. Madje, në të njëjtën ditë u zhvilluan pesë masa sigurie vetëm për punonjësit e Bankës së Shqipërisë të arrestuar apo me masa sigurie arresti shtëpiak. Ndryshe nga këto masa, ku gjyqtarë ishin Malaj, Miri dhe Bendo, në Apel pati edhe disa masa të tjera sigurie, nga ato që cilësohen të zakonshme. Por, ato kishin një tjetër trup gjykues, dhe jo këtë trupë “speciale”, që u zgjodh me short. Tashmë, dihet edhe vendimmarrja për Fullanin, që nga e hëna do të hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpiak, ndërsa inspektorja e përgjithshme, Elivar Golemi, do të qëndrojë në burg.
Urdhri
Asnjë komunikim dhe polic te dera e Fullanit
Prokuroria e Tiranës, krahas masës shtrënguese nga Gjykata e Apelit, ka urdhëruar dje policinë gjyqësore të bëjë kontrolle herë pas here për ekzekutimin e masës nga ana e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Prokuroria tha se vendosi me një urdhër ekzekutimi që në banesën e Fullanit, në zonën e ish-Bllokut të qëndrojë një patrullë policie, ndërsa nuk dihet nëse do të jetë e instaluar me orare të veçanta apo 24 orë. Krahas kësaj mase sigurie, gjykata vendosi se ish-guvernatori nuk duhet të takojë asnjë person tjetër, përveç familjarëve të tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët. Madje, akuza thotë se ai nuk duhet të komunikojë në telefon me persona të tjerë, pasi nëse do të ndodhë ndryshe, akuza do të kërkojë që ndaj Fullanit të vendoset sërish masa e arrestit me burg. Prokuroria i druhet faktit se i pandehuri mund të prishë provat e kësaj çështjeje apo të ndikojë te persona të tjerë.