Opinion

Aplikacioni ByLock, dënimi i “Gylenistëve” dhe Jurisprudenca e GJEDNJ-së

Gurali Ibrahimllari

Në praktikën e Gjykatës së Strasburgut, ka gjetur vend edhe shqyrtimi i disa çështjeve që lidhen me anëtarët e “Organizatës Terroriste Gyleniste..”, të cilët janë paraburgosur dhe më pas janë dënuar nga gjykatat Turke, mbi bazën e dyshimeve se kanë qenë përdorues të një aplikacioni të koduar mesazhesh të njohur me emrin “ByLock. Sipas këtyre vendimeve, rezulton se aplikacioni ByLock, ka funksionuar në periudhën e viteve 2014 – 2016. Ai është instaluar më shumë se 100,000 herë, duke qenë, sipas autoriteteve turke, mjeti më i rëndësishëm i komunikimit për organizatën Gyleniste.

Rezulton se aplikacioni ByLock, i ka paraprirë krijimit të platfomave të reja, të njëjtës familje, EncroChat dhe SkyECC. Ai patur disa karakteristika të përmbashkëta me këto të fundit sepse komunikimi mes abonentëve ka qenë i koduar dhe realizohej nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve me veçorin e fshirjes automatike të tyre. Madje aplikacioni ByLock lejonte mesazhe të çastit, thirrje zanore, mesazhe në grup, ndarje skedarësh dhe korrespondencë me email, të gjitha të koduara. Sipas vendimeve të autoriteteve gjyqësore turke, pretendohet se nëpërmjet komunikimeve të koduara, pjesëmarrësit në këtë organizatë, kanë koordinuar veprimet e tyre që çuan në grushtin e shtetit të vitit 2016. Pas dështimit, mbi bazën e të dhënave të aplikacionit të koduar ByLock, janë paraburosur dhe më pas janë gjykuar e dënuar me masa të rënda, deri në burgime të përjetëshme, shumë shtetas turq. Prej vendimeve të shumta me këtë objekt, prezantojmë në këtë opinion konkluzionet e Dhomës së Madhe të Gjykatës, në vendimet për çështjen Akgün të shpallur në datë 20/07/2021 dhe në çështjen Y.Y. të publikuar në datën 26/09/2023.

Kështu në vendimin e datës 20/07/2021, pas shqyrtimit të çështjes Akgün kundër Turqisë Dhoma e Madhe ka konkluduar se: “Paraburgimi i një kërkuesi të dyshuar se i përket organizatës FETÖ/PDY për shkak të përdorimit të aplikacionit të mesazheve ByLock përbën shkelje e Konventës” Në përmbajtjen e këtij vendimi Gjykata sqaron se më 17 tetor 2016, kur urdhëroi paraburgimin e kërkuesit, gjykata e Ankarasë, nuk kishte informacion të mjaftueshëm mbi natyrën e platformës ByLock, për të arritur në përfundimin se ky aplikacion për mesazhe të koduara përdorej ekskluzivisht për komunikime vetëm nga anëtarë të FETÖ/PDY, me qëllimin e koordinimin e organizimit të tyre të brendshëm. Në mungesë të provave dhe/ose informacioneve të tjera, nuk provohej se aplikanti ishte me të vërtetë përdorues i aplikacionit ByLock.

Gjykata arriti në përfundimin se qeveria nuk kishte qenë në gjendje të tregonte se, në datën në të cilën kërkuesi u vendos në paraburgim, provat në dispozicion të gjykatës vendase kishin përmbushur standardin e “dyshimit të arsyeshëm” të kërkuar nga neni 5 i Konventës, të tilla që të ishin të atij niveli që të “kënaqinin” një vëzhgues objektiv se kërkuesi mund të kishte kryer veprat për të cilat ishte ndaluar.
Prandja Gjykata vendosi se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 1 të Konventës për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm, se ankuesi kishte kryer ndonjë vepër penale.

Gjykata vendosi gjithashtu, se kishte pasur shkelje të nenit 5 § 3 të Konventës, për shkak se gjykatat turke nuk kishin dhënë arsye të mjaftueshme për paraburgimin e ankuesit(pra vendimet nuk ishin të arsyetuara sipas standeve të GJEDNJ). Po kështu, Gjykata vlerësoi se as kërkuesi dhe as avokati i tij nuk kishin patur mundësi të njiheshin mjaftueshëm për thelbin e provave, të cilat ishin të disponueshme ekskluzivisht për prokurorinë, duke u cënuar e drejta e mbrojtjes për kundërshtimin e paraburgimit, prandaj kishte shkelje të nenit 5 § 4 të Konventës.

Ndërsa në çështjen e aplikantit Y.Y., të shpallur në datën 26 shtator 2023, Dhoma e Madhe, ka trajtuar gjërsisht dhe në mënyrë përfundimtare problematikat që lidhen “fajësinë” e abonentëve të aplikacionit ByLock dhe paligjshmërinë e përdorimit si provë të rezultateve të komunikimeve. Arsyetimet e Gjykatës dhe konkluzionet e saj, hedhin dritë mbi garancitë e KEDNJ për të drejtën gjykimit të drejtë dhe të procesit të rregullt ligjor, edhe për rastet e gjykimit të personave që akuzohen për vepra shumë të rënda penale, duke përfshirë edhe veprat terrorite.

Duke theksuar faktin se abonimi në një aplikacion të enkriptuar, sikurse ishte Bylock, nuk përbën vepër penale, Gjykata ka konkluduar se përdorimi i këtij aplikacioni, nuk mund të sjellë, fajësi për pjesëmarrje në organizatë terroriste, sikurse kishte ndodhur me aplikantin Y.Y. Prandaj Dhoma e Madhe arriti në përfundimin se dënimi i aplikantit nuk ka qenë në përputhje me parimet e ligjshmërisë dhe parashikueshmërisë, që kërkohen nga nenin 7 i KEDNJ. Për Gjykatën është i papranueshëm “Dënimi për anëtarësim në një organizatë të armatosur terroriste bazuar në mënyrë vendimtare në përdorimin e aplikacionit të koduar të mesazheve ByLock, pa përcaktuar siç duhet materialin përbërës të veprës dhe elementët volitiv (mendor) në mënyrë të individualizuar…” Gjykata theksoi se “ Neni 7 përbën një të drejtë të paderogueshme (absolute) dhe garancitë e tij nuk mund të zbatohen në mënyrë më pak të rreptë edhe në lidhje me veprat terroriste të supozuara të kryera në rrethana kërcënuese për jetën e kombit…”.

Po kështu, Gjykata ka konkluduar se është cënuar e drejta e aplikuesit për procesin e rregullt ligjor, të garantuar nga nenit 6/1 i KEDNJ sepse janë dhunuar të drejtat e mbrojtjes “….për shkak të moszbulimit të të dhënave të papërpunuara të marra nga serveri i aplikacionit të mesazheve të koduara, të pabalancuara nga masat mbrojtëse procedurale të pështatshme që garantojnë drejtësi të përgjithshme të procedurave.”
Gjykata, duke theksuar se të drejtën e mbrojtjes për aksesi në materialin e dekriptuar ByLock, ka konstatur dështimin e gjykatave vendase “për të dhënë arsye për moszbulimin e kontestuar të të dhënave të papërpunuara dhe për të adresuar çështjet thelbësore që lidhen me integritetin dhe vlerën provuese të të dhënave ByLock”.
Dhoma e Madhe e Gjykatës ka konkluduar se provat e marra, qofshin ato elektronike ose jo, nuk mund të përdoren nga gjykatat vendase në një mënyrë që cenon parimet bazë të një gjykimi të drejtë. Në këtë vendim arsyetohet se: Gjykata rithekson se provat elektronike që vërtetojnë përdorimin nga një individ të një sistemi të koduar mesazhesh .., në parim, mund të jenë shumë të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit ose krime të tjeta të organizuara. … Megjithatë, ndonëse lufta kundër terrorizmit mund të kërkojë përdorimin e provave të tilla, e drejta për një gjykim të drejtë, …duhet të zbatohet për të gjitha llojet e veprave penale, nga ato më të drejtpërdrejtat deri te ato më komplekse. E drejta për procesin e rregullt ligjor zë një vend kaq të rëndësishëm në një shoqëri demokratike saqë nuk mund të sakrifikohet …”

Duke konstatuar shkeljet e kërkesave të nenit 6 të KEDNJ dhe dështimet e gjykatave vendse për për t’i mundësuar kërkuesit të drejtën që të kundërshtojë, në mënyrë efektive, të dhënat e enkriptuara të aplikacionit ByLock, si dhe duke evidentuar mungesën e arsyetimit të vendimeve të Gjykatave turke për të justifikuar dënimin e aplikantit, Dhoma e Madhe ka konkluduar se, ka patur shkelje të nenit 6 § 1 të Konventës madje në rastin e aplikantit Y.Y, ka theksuar se “Këto dështime kishin efektet e MINIMIT TË BESIMIT QË GJYKATAT, në një shoqëri demokratike, DUHET TË FRYMËZOJNË TEK PUBLIKUN”.

Meqenëse jurisprudenca e GJEDNJ-së është udhërrëfyese për organet ligjzbatuese në të gjitha vendet e KiE, kemi bindjen se konkluzionet e Dhomës së Madhe, në këto dy çështje (por edhe në shumë vendime të tjera të së njëjtës natyre) do të ndihmojnë në qartësimin e debateve aktuale, në lidhje me vlerësimin objektiv të pretendimeve të mbrojtësve për papërdorshmërinë e të dhënave të komunikimeve të enkriptuara të platformave EncroChat, SkyECC, etj në proceset penale që kanë filluar dhe po vazhdojnë mbi bazën e tyre si edhe për respektimin e të drejtave të të dyshuarve për procesin e rregullt ligjor. Për më tepër që të dhënat e komunikimeve të këtyre të fundit, në dallim nga rastet e aplikacionit ByLock, janë përfuar prej paisjeve teknike të krijuara enkas prej autoriteteve franceze, për realizimin e interceptimit të bisedave, të cilat kanë qenë të afta edhe të kryjenin edhe devijimin e fluksit të bisedave të zhvilluara në kohë reale, në një server të dytë, që administrohet sot nga xhandarmëria Franceze.

Avokat Gurali Brahimllari (ish ekspert i shkollës së magjistraturës në programin trajtues të gjyqtarve dhe prokurorëve, lidhur me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në fushën penale,)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button