Arkansas, aty ku gurët e çmuar gjenden duke shëtitur
Në shtetin federal të Arkansasit mbizotërojnë prej kohësh ethet e diamanteve. Një kërkues amator gjeti një diamant të madh të pastër në “parajsën nëntokësore” të parkut të madh kombëtar. Megjithëse amerikani në fjalë për të hyrë në mjediset e parkut pagoi vetëm gjashtë dollarë, atij i është dashur të marrë, pasi ka dalë prej tij, vlerën e 48 mijë eurove, si pasojë e gjetjes së një diamanti 5,47 karatësh
Parku i diamanteve në Murfreesboro, në shtetin federal të Arkansasit, ka mbledhur shpesh të pasionuarit pas kërkimit të gurëve të çmuar. Në të vetmen minierë të mbetur të diamanteve në mbarë botën për amatorët, vizitorët hasin shpesh jo vetëm ekzemplarë interesantë të mineraleve me vlerë, por edhe mund t’i marrin ato me vete, e kjo nuk është një gjë e zakonshme, po qe se do të mendonim se ajo pronë nuk është e tyre.
Bob Wehle nga Wisconsin, vite më parë pati më shumë fat sesa të gjithë diamantkërkuesit e tjerë së bashku. Ai hasi të mbuluar nga balta e pluhuri në një diamant qelibar, i klasifikuar nga ekspertët si “i tipit të verdhë nga kanariet”, me peshë 5,47 karat. Ishte gjetja e dytë e madhe e këtij viti në mbarë botën, në të vetmin park të hapur natyror, ku vizitorët qysh prej 75 vjetësh kërkojnë e gjejnë diamante.
Bob Wehle e gjeti gurin e çmuar shtatë vjet më parë, por të ditur këtë fakt për publikun e sidomos për nëpunësit e parkut e bëri në fakt një javë më vonë, kur shënohej edhe dita e tij e fundit e pushimeve. “Kur e pashë në fillim, guri dukej si një bonbone limoni”, tha specialisti Tom Stolarz, që kërkon dhe certifikon çdo diamant në Murfreesboro. Në më të shumtën e rasteve atje gjenden gurë të çmuar në ngjyrë kafe apo të verdhë.
Parku Shtetëror i Kraterit të Diamanteve, që në origjinal njihet me emrin “Crater of Diamonds State Park”, ka një sipërfaqe prej 0,15 km/katrorë me një shesh të madh kampingu, në të cilin dikur, në vitet ’20 e ’30 të shekullit të shkuar, përpunoheshin e përzgjidheshin gurë të çmuar në mënyrë industriale. Sot, vizitorëve për të hyrë në të u duhet të paguajnë gjashtë dollarë, e kështu të shijojnë jo vetëm bukuritë natyrore të tij, por edhe të përjetojnë aventurën e kërkimit të gurëve të çmuar, që ndonjëherë rezulton e suksesshme.
Mbitoka e tij ka origjinë vullkanike e mbart në vetvete diamante e gurë të çmuar, sidomos kur aty ka pasur ndonjë furtunë apo reshje shumë të mëdha e shumëçka del në sipërfaqe.
Janë gjetur gjithsej 75 000 diamante
Të tjerë pushues e adhurues të aventurave gërmojnë në tokë dhe i sheh teksa lajnë shpesh gurë që i kanë nxjerrë gjatë atyre ditëve që qëndrojnë atje. Ata që mund të konsiderohen si specialistë, pra amatorë, por që kanë shumë kohë që merren me këtë punë, kanë krijuar ca si hone, që s’janë gjë tjetër veçse galeri të vogla, duke sortuar diamantet e vegjël nga tërësia e gurëve të pavlerë. E në fakt rezultatet janë mbresëlënëse. Nuk është pak të gjenden çdo ditë dy gurë me vlerë, shkruan drejtoria e parkut në fjalë, në faqen e saj zyrtare në internet.
Një çift nga Teksasi, Donald dhe Brenda Roden, që deri më tani përbën gjetjen më të madhe të regjistruar, në një ekskursion njëditor familjar në vitin 2007, gjetën një diamant në ngjyrë kafe, me peshë 6,35 karat në tokë, bëri të ditur administrata e parkut. Edhe diamanti më i madh që është gjetur ndonjëherë në SHBA, vjen po nga shteti i Arkansasit: diamanti i bardhë “Uncle Sam” peshonte 40,23 karat dhe u gjet në vitin 1924 në një minierë industriale. Gjithsej, në sipërfaqen e tij janë gjetur deri më tani më shumë se 75 000 diamante, e nga këto 13 me një peshë mes 6-8 karatësh.
Çfarë të bëj me diamantin?
Bob Wehle kujton se në fillim nuk pati vendosur megjithatë akoma nëse ai duhet ta nxirrte në shitje gjetjen e tij më të fundit me shumë vlerë, që i pati vënë dhe emrin “Sunshine Diamond”. Kjo gjetje tek e fundit ka qenë edhe ajo çka ai thotë se do të mbante mend për tërë jetën. Një nëpunës i shpjegoi atij se vlera e zbulimit të tij vërtitej në një hark të madh, pasi ka elemente që vlerësohen ekstra, duke kapur shifrën nga 15 000 deri në 60 000 dollarë në Nju-Jork (ose 12 000 – 48 000 euro). Sidoqoftë, u shit apo s’u shit, kjo sot pak rëndësi ka. Wehle thotë se është ndier shumë mirë kur e pat në dorë atë.
Marrë nga revista “Focus”
Edhe një herë në Arkansas
Nënë e bir gjejnë suvenirin e rrallë
Gjuetia për diamantet e verdhë ka qenë me fat për një nënë dhe të birin e saj dymbëdhjetëvjeçar. Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh në parkun natyror të hapur të diamanteve në Arkansas, ata kanë hasur në një suvenir të rrallë. “Gjetja e tyre ka qenë një gurë i rrallë me peshë 2,12 karat. Diamanti i madh është në ngjyrë të verdhë të hapur, në formë ovale e thuajse shumë i pastër”, bënte të ditur më 27 mars 2006 gazeta e përditshme amerikane “USA Today”. Më tej, në artikullin e tyre thuhej se një polic nga Oklahoma, pak a shumë në të njëjtën kohë kishte zbuluar sipas të dhënave të administratës së “Crater of Diamonds State Park” në shtetin federal të Arkansasit, një diamant me peshë 4,21 karatësh, të klasifikuar si “i verdhë i tipit kanarie”.
Diamantet? Përgjigjet “Wikipedia”
Më i madhi, karatët dhe ngjyra më e përhapur
Pas të bardhit, diamantet që hasen më shumë janë ato me ngjyrë kafe, sipas “Wikipedia”-s (enciklopedia online). Ndërsa me shumë gjasa, diamanti më i madh i verdhë është ai që mban emrin “Tiffany”. Ai, pas prerjes e përpunimit, u pa se gëzonte plot 128,51 karat, e pesha e tij neto kapte vlerën 287,42 karat. Një karat i përgjigjet masës prej 0,2 gramësh. Diamantet e parë u gjendën në parkun e Arkanasasit në vitin 1906.