“Armata” – tanku i ri rus që po fut në siklet Perëndimin
Duket si një thirrje e ndërgjegjshme për luftë që Moska i bën mbarë botës – dhe një shenjë e pagabueshme se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin në krizën ukrainase, vijon të ndërhyjë me propozime militariste që ngjallin frikë e ankth.
Sipas mediave perëndimore, është vënë re se në rrjetet sociale e portalet online po qarkullojnë këto ditë, imazhe zyrtare të modelit të ri të tankut rus me emrin “Armata”, të cilin Putini do ta prezantojë për herë të parë publikisht në paradën e 9 majit që do të zhvillohet në Moskë me rastin e ditës së fitores mbi fashizmin.
Pamjet që ofrohen, sipas gazetës ruse “Moscow Times”, janë marrë nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Është zhvillimi i ri i parë i një tipi të ri tanku në Rusi, qysh nga rënia e Perandorisë Sovjetike më 1991-shin.
Në “Twitter”, shumë përdorues ndërkaq kanë vendosur në profilet e tyre pamjet e tankut të ofruar nga ministria moskovite:
E veçanta në këtë mjet të fuqishëm ushtarak është se ky tank nuk posedon më një kullë zjarri, nga e cila normalisht do të duhej të dilnin të shtënat e zjarrit.
Mitralozi do të komandohet me radio
Tek “Armata”, drejtimi dhe menaxhimi i një mitralozi të montuar brenda një kulle të koracuar, do të ndodhë me një sinjal radioje – nga një kapsulë speciale mbrojtjeje, e vendosur në tytën e tankut.
Këtë e shpjegon më së miri edhe një grafikë e agjencisë zyrtare ruse të lajmeve, TASS, të cilën e ka përkthyer para pak kohësh e bërë gati për publikun edhe Zyra për Studime të Huaja Ushtarake e SHBA-së.
Ekuipazhi në këtë mënyrë “do të mbrohej më mirë sesa në çdo tank tjetër në botë”, shkruante ndërkaq së fundmi edhe një gazetë gjermane.
Prodhuesi i tankut, firma e ndërtimit të automjeteve “Uralvagonzavod”, në Nizhni Tagil, në Qarkun e Sverdllovskut, në jugperëndim të Rusisë, sidoqoftë premton se kapsula mbrojtëse nuk ka shans të shpohet nga asnjë lloj municioni.
Dhe kësisoj, mjeti më i fundit luftarak i industrisë ushtarake të Kremlinit, po vendos rekorde të reja. Kështu, topi i tankut “Armata”, që menaxhohet edhe nga kapsula mbrojtëse, deri më tani rezulton të jetë edhe më i mirë se topi i tankut luftarak “Leopard 2”, prodhim gjerman, sipas së përditshmes gjermane “Stern”, që u referohej me këtë rast edhe zyrtarëve e specialistëve të “Uralvagonzavod” në Rusi.
Në një video-animacion që qarkullon tashmë prej disa kohësh në “YouTube” dhe që përpiqet të shpjegojë detaje të superarmës së re të Putinit, shihen ndër të tjera edhe dy mitraloza të tjerë të rëndë, në anë të tankut.
Nëse kjo video paraqet material autentik apo të rremë, sidoqoftë mbetet për t’u verifikuar, sugjeronte ndërkaq, portali i njohur “Huffington Post”.
Putin po armatoset pa fre
Tanku në fjalë mund të drejtohet me ndihmën e një serie kamerash me rezolucion të lartë, të cilat i mundësojnë ekuipazhit të tankut në çdo kohë një shikim të qartë prej 360 gradësh përreth mjedisit në të cilin ai ka marrë detyrën të luftojë.
“Uralvagonzavod” duhet që deri në vitin 2020, të prodhojë më shumë se 2300 tanke të tipit “Armata” për ushtrinë ruse – duke përmbushur kësisoj objektivat e Putinit për ta armatosur Rusinë në atë nivel që të mos ketë mbi të avantazh askush tjetër në botë.
Kjo strategji i ka vënë shtetet perëndimore sigurisht prej kohësh tashmë nën presion, pasi teknologjitë e tankeve që ato posedojnë aktualisht, nuk konsiderohen më si avantazhuese e nuk do të mund t’i rezistojnë gjatë konkurrencës: Bundeswehr-i gjerman (Ministria Gjermane e Mbrojtjes) qysh prej tre dekadash, i ka besuar “Leopard 2”, shkruante dje “Huffington Post”, por edhe “M1 Abrams” i ushtrisë amerikane, nuk shihet më si modern në krahasim me gjeneratën e re të tankeve të Putinit.
Një video, që u shfaq në muajin mars në “YouTube” dhe që qysh atëherë është klikuar tre milionë herë, shfaq një prototip të tankut “Armata”. Në fund, “Huffington Post” ngrinte dyshimin nëse pamjet e publikuara në atë video, vijnë nga vetë punonjësit e uzinës “Uralvagon”?