Opinion

Arresti i kryetarit të Opozitës si ‘pakt Rama-SPAK’

Nga ALFRED LELA

SPAK nuk e bëri atë që parashikon ligji herën e parë. Sepse, në intepretimin që ky organ i bën Kushtetutës, heqja e pasaportës dhe detyrimi për paraqitje për deputetin e mandatuar nga populli, Sali Berisha, nuk është kufizim/heqje lirie. Kështu, prokurorët e  posaçëm nuk iu drejtuan Kuvendit për të kërkuar aty lejen e kufizimeve ndaj deputetit ish-President dhe ish-Kryeministër. Leje të cilën do ta kishin marrë, me siguri, duke ditur se forca e kartonave në Kuvend i takon Partisë Socialiste të Edi Ramës.

Ky interpretim nuk bindi Berishën, por as një pjesë të mirë të opinionbërësve në Shqipëri. Shefi i opozitës e vazhdoi betejën sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke mos u paraqitur para policisë gjyqësore, por duke u ‘paraqitur’ para Kushtetutës.

Kjo e ekspozoi si një instancë që shpërfillet, dhe SPAK kuturisi ne kete tym duke ndryshuar masën e arrestit nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest me burg’.

Çfarë ka ndryshuar që po ndryshon masa e sigurisë, do të ishte pyetje e parë logjike? Ka shenja se Berisha mund të arratiset? Ka një provë të re që  e detyron masën të ashpërsohet?

Me sa duket nuk është asnjëra prej tyre. SPAK po bën atë që quhet damage control (kontrolld dëmi), apo po mundohet ta rivendosë kontrollin mbi situatën dhe mbi subjektin e ‘pabindur’ Berisha.

Pra, po shlyen gabimin e shkeljes së Kushtetutës që e ka bërë vetë, me një gabim tjetër, ashpërsim të panevojshëm të masës së sigurisë.

I vetmi rrezik që mund të çonte në këtë ashpërsim është gjasa e ikjes së z. Berisha. Pra, nga sot deri të enjten, kur Parlamenti do të vendosë, SPAK duhet të ruajë Doktorin. Sigurisht, ata por edhe armiqtë më të mëdhenj të Berishës, e dinë se dikush që nuk ka ikur njëherë, herën e rrethimit, nuk ikën as tani kur rrethimi, edhe pse duket i ashpër është një mur kartoni.

Pse, atëherë?

SPAK, qartësisht, po instruktohet ose po vepron nën shtysa jashtë-institucionale, do të thotë politike. Analiza e fakteve të çon vetëm në një përfundim. Një pakt mes Ramës dhe SPAK, që i lejon këtij të fundit të provojë veten si përfaqëues i denjë i drejtësisë së re dhe i investimit amerikan në ktë reformë. Në zemër të këtij pakti është një vijë e kuqe të cilën SPAK nuk mund ta kalojë. Rreth vijës, Altin Dumani me të tijtë mund të bëjnë çfarë të duan, por deri aty dhe prapa kthehu. Me të dy këmbët mbi këtë vijë është vetë Edi Rama dhe Erion Veliaj dhe ndoca 2-3 vetë të tjerë, me gjasë ndonjëri familjar, të cilët nuk duhen prekur asesi. Në këmbim Rama i ka hapur krahun Dumanit që të hetojë gjithkënd tjetër në qeveri apo administratë duke i kërkuar edhe atij diçka në këmbim: goditjen e Sali Berishës. Pa këtë të fundit, Rama pavarasisht pushtetit, do ta kishte të vështirë t’i mbijetonte një presioni nga radhët e partisë së tij. Socialistët nuk mund ta kuptonin dhe as falnin se si të vetët bien dhe Berishën nuk e prek asgjë, kur vetë Rama i ka mbajtur me shpresën e dënimit të tij. Të paktën për 21 janarin, viktimat e së cilës i çoi vetë në pritën, ndër të tjera edhe të atij që aktualisht është kryetar bashkie i tij.

Një shef partie që lejon goditjen falas të të vetëve, madje ia dorëzon SPAK-ut duke paralajmëruar hetimin me shkarkimin nga detyra, mund të jetë i fortë, por edhe i rrezikuar.

Rama, duke e ditur se as SPAK dhe as amerikanët nuk do të flasin, ndërton me këtë rast edhe një narrativë e cila e ndihmon elektoralisht. E keni dëgjuar të thotë poshtë e përpjetë se reformën në drejtësi e bëri ai dhe PS, jo anglo-amerikanët?

Të gjithë skemën e lehteson edhe një lojtar i dobët, i cili gjithsesi siguron me praninë e tij: Lulzim Basha. Ai pret në hije me duar të puthitura për t’i nisur në një fërkim të gëzueshëm, arrestimin e Sali Berishës. Njerëzit e pakët përretht tij e kanë në sy driten e keqe te kësaj pritshmërie. Për ta pengesa e Bashës për të qenë kryeministër quhet Sali Berisha.

Kjo është skema dhe nëpërmjet saj SPAK operon. Në çdo situatë kjo mund të ishte një skemë për shtetin, pra që shtyhet nga nje raison d’etat, po të mos ishte në thelb të saj pasoja e të lënit të vendit pa opozitë apo emërimin e opozitës.

SPAK, po të përbëhej nga burra dhe gra që e shohin institucionin e tyre si fragment të shtetit të së drejtës, i cili është nocion thuajse i përjetshëm, do e bënin edhe këtë llogari. Vendimi për të marrë pjesë në shkatërrimin e opozitës, për të ndërtuar me gjasë ‘drejtësinë  re’, dhe ‘dhënë fund pandëshkueshmërisë’ është një ëndërr jakobine.

Dhe, të paktën të lexuarit dhe studentët e historisë e dinë se çfarë ndodh në fund të ëndrrave jakobine: ata që drejtojnë gijotinën përfundojnë një ditë në tehun e ftohtë të saj. Jo si heronj, por si teprime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button