Politika

Arrestimi i Belerit, Rama: Askush s’mund të kontestojë drejtësinë tonë, procesi zgjedhor i rrëzoi akuzat

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbreme se, përsa i përket çështjes së Himarës, ku u arrestua kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, nuk do flasë deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi.

Rama vlerësoi se, “kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, së bashku me qeverinë greke, me Kryeministrin Mitsotakis, me ministrin e jashtëm Dendias për të ngritur një urë të re të madhe, të gjerë dhe të fortë bashkëpunimi për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

“Unë nga ana ime jam i vendosur të bëj maksimumin përpara sesa të jem i detyruar të reagoj profesionalisht”, tha ai.

Rama theksoi se, “institucionet e drejtësisë në Shqipëri mund të kenë të metat e tyre, mund të kenë problemet e tyre, por askush, që nga unë i pari, nuk i kam kontestuar asnjëherë vendimet e tyre e jo më pastaj të tjerë, lëre pastaj nga jashtë Shqipërisë të vë në pikëpyetje dhe nën presion rolin e tyre”.

“Dua po ashtu të kujtoj se dy apo tre ditë përpara regjistrimit të kandidatëve, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë arrestuar një kryetar bashkie dhe kandidat me shumë gjasë të Partisë Socialiste. Po, në Bulqizë, për një çështje dhe me një akuzë që unë akoma sot nuk e njoh në thelb se çfarë është. As nuk më ka shkuar mendja që të ngre zërin dhe t’i kërkoj Prokurorisë, Gjykatës, të nxjerrë provat se kështu dua unë dhe kur dua unë, as nuk më ka shkuar mendja të vë në diskutim punën dhe rolin e tyre dhe as më shkon mendja ta bëj këtë gjë”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se, “nuk ka asnjë mundësi që ne të pajtohemi me idenë që ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare dhe ka një drejtësi tjetër për qytetarët e Republikës së Shqipërisë me kombësi greke”.

Ai theksoi se, është e njëjta drejtësi, nuk janë dy drejtësi, me të metat dhe me barrën e tyre.

“Kam dëgjuar shumë dhe praktikisht, kam preferuar të mos flas dhe nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, lidhur me këtë, duke shpresuar që pas zgjedhjeve në Greqi do ketë dialog dhe jo deklarata, të cilat i kam dëgjuar të bëhen, jo vetëm nga përfaqësues të qeverisë greke, por dhe nga parti politike të opozitës, parti simotra, si Siriza apo PASOK-u. Keqardhje e madhe, sepse unë besoj që minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri, as në Greqi. Megjithatë, këtu ndalem në këtë pjesë”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se, zgjedhjet në Himarë kanë treguar, në fakt, diçka krejt tjetër, që fatkeqësisht askush do që ta vërë re.

“Ato janë zhvilluar me qetësi të plotë, aty është votuar pa asnjë pengesë, pa asnjë incident, aty kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik me të drejtën e tyre si vëzhgues, aty kanë qenë gazetarë nga të gjitha mediat shqiptare dhe greke, aty ka qenë një lider lokal, i cili ka mbajtur televizionet gjallë me bomba tymuese për atë çka po ndodhte, por që askush nuk po e shihte askund”, tha ai.

Rama tha se, “aty kanë qenë dhe forcat e policisë që kanë garantuar gatishmëri për çdo rast dhe aty është bërë një numërim si kudo në Shqipëri, transparent, paqësor, pa asnjë problem”.

“Dhe në fund fare aty ka fituar me një grusht votash, por nuk ka rëndësi një grusht votash apo një votë e vetme bëjnë dallimin, kandidati kundërshtar me qeverinë. Kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore dhe ekstra elektorale nga ana jonë një fitore, e cila nuk ka të bëjë fare me masën e dhënë nga gjykata me kërkesën e prokurorisë për kandidatin në fjalë”, tha kryeministri.

Rama shprehu besimin se, duhet të mjaftojë ky argument për të mos ngatërruar gjërat.

“E drejta për t’u zgjedhur e për të zgjedhur në Shqipëri është e garantuar për të gjithë, por nuk ka dy drejtësi. Akuza e ngritur, nuk është ngritur nga qeveria. Ju e dini shumë mirë se sa e kontrolloj unë dhe sa e kontrollon qeveria ime prokurorinë dhe sa dëshirë kemi dhe kam unë që ta kontrolloj. Zero! Ndërkohë që, absolutisht, nëse unë vetë si kryeministër i vendit, nuk e bëj kurrë që të ngre pikëpyetje, pa u shprehur drejtësia, apo që t’i bëj presion drejtësisë, këtë nuk e lejoj dhe s’kam për ta lejuar ta bëjë askush tjetër. Kjo duhet të jetë shumë e qartë”, tha ai.

“Pastaj, si do të shkojë procesi, çfarë do të dalë nga procesi, kjo është diçka që unë e di po aq sa ju dhe po aq sa të gjithë ata që s’dinë asgjë, sepse realisht, kjo është një çështje që tanimë ka kaluar në prokurorinë speciale për vetë faktin që subjekti është subjekt i prokurorisë speciale dhe do të trajtohet nga gjykata speciale. Kjo është e gjitha”, shtoi Rama.

I pyetur nëse PS do të kontestojë rezultatin në Himarë, Rama tha se “nuk kam të dhëna për probleme, përtej problemit të problemeve që është blerja e votave nga kandidati që u ndalua nga drejtësia”.

“Ky është i vetmi problem dhe ky është kryeproblemi për të cilin drejtësia duhet të flasë sepse nëse drejtësia ka prova bindëse, atëherë sigurisht që rezultati vihet në pikëpyetje, por në vetvete nuk shoh arsye për të kontestuar rezultatin sepse siç thashë, gjithçka u zhvillua në transparencë të plotë. Duhet të mësohemi që transparencën ta pëlqejmë edhe kur fitojmë dhe kur humbasim”, shtoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button