Arrihet marrëveshja për programin bërthamor të Iranit
Irani dhe 6 fuqitë botërore të drejtuara nga Amerika arritën në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, një marrëveshje historike që kufizon për më shumë se një dekadë aftësitë bërthamore të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve financiare dhe embargos së naftës ndaj Republikës Islamike.
Një zyrtar i lartë perëndimor pohoi se pakti, të cilin Barack Obama e kishte kërkuar me ngulm si njërën prej arritjeve më të mëdha diplomatike të presidencës së tij, arriti të vuloset pas 20 muaj negociatash të lodhshme. Njoftimi zyrtar pritet të bëhet më vonë gjatë ditës, kur ministrat e Jashtëm të vendeve firmëtare të takohen në kompleksin e OKB-së në Vienë.
Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Catherine Ray, sqaroi se mbledhja e fundit e përfaqësuesve të Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të pasohet nga një konferencë për shtyp ku duket se do të jepen edhe detaje të mëtejshme mbi ujdinë.
Diplomatët vetë frenohen nga përcjellja e detajeve, jo përpara se për marrëveshjen të flasë vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry dhe homologu i tij iranian Mohamad Jaëad Zarif. Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të dalë me një deklaratë në Uashington, çka do të shënojë fillimin e një procesi të gjatë të aprovimit të paktit nga Kongresi dhe nga publiku amerikan.
Dokumenti më shumë se 80-faqësh, sipas zyrtarëve iranianë, nënvizon qartë sesa karburant bërthamor i lejohet regjimit të ajatollahëve të mbajë përgjatë 15 viteve të ardhshme; çfarë lloj kërkimesh dhe zhvillimi mund të ketë në centrifugat e tij dhe pajisjet e tjera nukleare si dhe ridizenjimin e një reaktori atomik dhe disa ambienteve të nëndheshme të pasurimit të uraniumit, të cilat zyrtarët amerikanë dhe ata izraelitë druhen se janë të pacënueshme nga bombardimet.
Por, për të arritur ujdinë, Kerryt dhe negociatorëve të tjerë iu desh të pranonin arsyetimin se infrastruktura bërthamore e Iranit do të qëndrojë më së shumti ashtu siç është, edhe pse një pjesë jo e vogël e saj do të çmontohet e vendoset në magazina.