Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën
Ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Llagumxhija ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
Ndryshimet në rezolutën që e ka parë Radio Evropa e Lirë përfshijnë shprehjen “sipas të drejtës ndërkombëtare” dhe shprehja “jokolektive” është zëvendësuar me “individuale”.
“Ne kemi qenë të heshtur ndaj mohuesve të gjenocidit teksa ata kanë festuar dhe kanë ‘caktuar’ e më pas ‘anuluar’ mbledhje joekzistente të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe bënin vlerësime për ‘Rezolutën gjenocidin në Srebrenicë më 1995’ para se ta lexonin dhe para se të finalizohej teksti”, ka thënë Llagumxhija në një postim në X, platformë e njohur më parë si Twitter.
Sipas tij, “fjala e vetme që u pengon atyre është gjenocidi”.
“Srebrenica e ka marrë vëmendjen globale në muajt e fundit – si simbol i luftës për drejtësi, të vërtetës, pajtimit, mësimit dhe si simbol i luftës kundër mohimit të gjenocidit. Askush nuk mund të ikë nga kjo më”, ka thënë ambasadori.
Sipas tij rishikimi final i rezolutës, që do të prezantohet para të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara më 23 maj, ka rezultuar me një tekst edhe më të thuktë.
Ai ka thënë se pas ndryshimit të parë, tani në tekst përmendet se “përgjegjësia kriminale, nën ligjin ndërkombëtar, për krimin e gjenocidit, nuk mund të aplikohet ndaj asnjë komuniteti etnik apo fetar në tërësi”.
Teksti më pas thotë, “ne konfirmojnë përkushtimin tonë për të mbajtur dhe forcuar unitetin në diversitetin e Bosnje-Hercegovinës”.
Rezoluta e iniciuar prej Gjermanisë dhe Ruandës kërkon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë.
Rezoluta u referohet fakteve të gjykatave ndërkombëtare dhe atyre vendase.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e njeh këtë akt si gjenocid.
Ky krim konsiderohet më i rëndi në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për të janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim gjithsej.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.
Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, nuk e pranojnë të jetë kryer gjenocid në Srebrenicë.
Ai ka pyetur nëse synimi është “rishikim i një padie kundër Serbisë, apo mbledhje e dëmeve të luftës?”
Në rezolutë nuk përmendet asnjë komb dhe shtet.
Brukseli ka thënë më 14 maj se nuk ka vend në Bashkimin Evropian për ata që nuk e dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.