Politika

Asambleja e 25-të e AMAN, Meta: Media, rëndësi për të përmirësuar komunikimin mes popujve

Asambleja e 25-të e Agjencive të Lajmeve të vendeve të Detit Mesdhe (AMAN) çeli të martën punimet në Tiranë, ndërsa në fokus të diskutimeve është media dhe turizmi. Gjatë punimeve të Asamblesë, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve, zyrtare dhe publike, nga 22 vende, do të diskutojnë për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike për promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.

Të pranishëm për të përshëndetur punimet e kësaj Asambleje janë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Ekonomisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, etj.  Në fillim të fjalës së tij kreu i Kuvendit foli për punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që zhvilloi punimet në Tiranë, një eveniment mjaft i rëndësishëm, tha ai, ku një çështje e vazhdueshme ishte situata në rajonin tonë të Mesdheut dhe evidentimi i ndryshimeve që kanë ndodhur në mjedisin strategjik të sigurisë në këtë rajon. Kjo theksoi kryeparlamentari kërkon një bashkëpunim më të fuqishëm ndërkombëtar për të stabilizuar vatrat e konfliktit dhe krizave humanitare që kanë tronditur dhe vendet kryesore të BE-së dhe të rajonit tonë.

Nuk mund të mos flasim për këto çështje kaq të mprehta, të cilat nuk rrezikojnë vetëm industrinë e turizmit, tha Meta, dhe që në mjaft nga këto vende dikur mjaft atraktive për turistët nga rajoni ynë dhe gjithë bota, tashmë janë dëmtuar në mënyrë mjaft serioze, ndërkohë që dhe imazhi i tyre dhe vendeve rreth tyre është po ashtu një faktor dekurajues për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit.

“Sot kur bota po përjeton procesin e globalizimit, konkurenca nuk është e përqenduar më mes vendeve fqinje, por është duke u zhvilluar midis rajoneve më të mëdha dhe në këtë kuptim ne duhet ta konsiderojmë dhe Mesdheun si një rajon të përbashkët, ku fryma e bashkëpunimit dhe mirëkuptimi dhe mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm”, shtoi Meta.

meta 3Kryetari i Kuvendit nënvizoi po ashtu rëndësinë që ka media për të përmirësuar komunikimin mes popujve.

Ai vlerësoi se vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të turistëve serb në Shqipëri, si dhe theksoi promovimin që i është bërë Shqipërisë në mediat serbe. “Dua të theksoj rëndësinë që ka media për të përmirësuar klimën dhe perspektivën midis vendeve. Kam qenë mjaft i kënaqur sepse vitet e fundit ka pasur rritje të turistëve serbë dhe ka pasur një reflektim pozitiv në mediat ndërkombëtare të Serbisë, për miqësinë që ofron Shqipëria dhe për turistët serbë dhe klimën miqësore që ata gjejnë këtu”, tha Meta.

Podgorica: Media, instrument i rëndësishëm për promovimin e turizmit; agjencitë zyrtare mbeten referenciale

Në fjalën përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica vlerësoi faktin se “pas një samiti shumë të rëndësishëm, ku Tirana zyrtare, por edhe Tirana qytetare pati rastin të presë me ngrohtësi parlamentarë të 28 vendeve anëtare të NATO-s, një ditë më pas ne hapim punimet e një tjetër samiti: Asamblesë së 25-të të Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Detit Mesdhe”.

Përmasat e këtyre dy eventeve janë të ndryshme, tha z. Podgorica, por pavarësisht kësaj, të dy eventet dëshmojnë se kryeqyteti ynë është jo vetëm pjesë e axhendës së rëndësishme politike e diplomatike, por edhe asaj ekonomike, mediatike, kulturore, turistike e më gjerë.

meteDuke e konsideruar të rëndësishëm mbajtjen e Asamblesë në Tiranë jo vetëm në planin e komunikimit profesional, por edhe në atë të impaktit që përcjell Shqipëria kur atë e shikon nga afër në të gjitha planet, Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së shprehu falënderimet që u pranua Shqipëria si vendi mikpritës dhe organizator i këtij eventi të rëndësishëm.

“Kur një vit më parë, në Egjipt, ne morëm përsipër të ishim organizatorët e radhës së Asamblesë së përvitshme të AMAN-it, një nga kolegët në mënyrë miqësore më pyeti: Pa më keqkuptuar kolegu im – më tha, Shqipëria është një vend i sigurt ku ne mund të vijmë pa problem? Besoj se përgjigjen për këtë ju do ta verifikoni gjatë qëndrimit në Tiranë dhe vizitave që do të bëjmë në qytete të tjera, por në të njëjtën kohë pas kësaj mund të reflektojmë se sa shumë kemi nevojë për të thelluar e konkretizuar bashkëpunimin tonë, për të dhënë tabllo reale të zhvillimeve tona, të realitetit konkret, të mundësive që ofrohen jo vetëm në fushën e turizmit për të cilën do të diskutojmë, por në një plan shumë më të gjerë se kaq. Sa shumë kemi nevojë për një informacion real, të abdetuar e për gjëra që njerëzit kanë nevojë më shumë se lajmi politik”, vijoi Drejtori i ATSH-së, Podgorica.

meta 2Fokusimi ynë në këtë pikë, shtoi më tej ai, është të gjejmë gjithnjë forma sa më të shpejta e të larmishme, për t’i dhënë një dimension të ri këtij shkëmbimi informacionesh. Në këtë drejtim, z. Podgorica nënvizoi se “ATSH prej disa muajsh ju dërgon agjencive më të cilat ka bashkëpunim, një buletin të lajmeve me karakter ekonomik, kulturor, historik, të traditave, por edhe të deklaratave e qëndrimeve politike me rezonancë për rajonin dhe më gjerë”.

“Sigurisht që jo të gjitha, por një pjesë e tyre gjejnë pasqyrim mbështetur mbi platformat editoriale dhe vlerësimin e vetë agjencive dhe presim që në muajin shtator në Asamblenë e agjencive të lajmeve të vendeve të Ballkanit (ABNA) ta institucionalizojmë këtë përmes një dritareje të posaçme në të gjitha agjencitë”, shtoi ai.

Duke nënvizuar këtë fakt, Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së theksoi se “përmes formash të thjeshta komunikimi mund të bëjmë të mundur të kemi një fluks më të madh shkëmbimi informacionesh të institucioneve tona”. “Në faqet e secilës agjenci ka me qindra lajme që transmetohen çdo ditë, dhe është e vështirë të lundrosh e të thithësh ato informacione që përbëjnë interes, pasi jo vetëm numri i madh i tyre, por edhe intensiteti dhe lajmet e politikës dhe të ngjarjeve që përbëjnë ‘scope’ mediatike e ngushtojnë shumë mundësinë e një vëzhgimi të qetë e të rregullt të informacioneve që mund të konsiderohen me impakt më të vogël mediatik, por janë shumë të rëndësishme për ekonominë, jetën dhe nevojat e përditshme të njerëzve”, tha ai.

meta 4Zgjerimi i hapësirave të komunikimit midis agjencive, për z. Podgorica përbën një preokupim dhe interes për secilin, aq më shumë përballë konkurencës që rritet e sofistikohet çdo ditë. “Ballafaquar me zhvillimet komplekse teknologjike si dhe konkurencën në rritje, po ta menaxhojmë me një vizion krijues dhe duke identifikuar konkretisht rrugët e bashkëpunimit, agjencitë zyrtare dhe publike kanë mundësinë të administrojnë pozitivisht një avantazh të patjetërsueshëm: Institucionet homologe në të gjithë botën”, tha z. Podgorica.

Kjo, sipas tij, përbën një aset me rëndësi për të cilin qeveritë e shteteve të ndryshme kanë investuar prej vitesh për institucionet tona, jo një dy apo tre vite, por dekada të tëra. “Investimi i realizuar dhe përvoja e akumuluar nuk mund të tjetërsohen e të mos merren në konsideratë. Sigurisht me përshtatjen ndaj zhvillimeve e sfidave dinamike, por edhe me një bashkëpunim në fushën e komunikimit e të shkëmbimit të informacionit, agjencitë tona krijojnë sistemin e enëve komunikuese dhe e përballojnë konkurueshmërinë në rritje, por vihen edhe në eficencën maksimale të misionit të tyre, për çfarë edhe ndaj nesh investohet”, vijoi ai.

Ndaj diskutimi për tema të tilla si Media dhe Turizmi, sipas z. Podgorica, përbëjnë një këndvështrim që zgjon interes jo vetëm në planin e informacionit utilitar për të gjithë njerëzit, por krijon edhe përfytyrime të vërteta çfarë ndodh me këtë degë kaq të rëndësishme për ekonominë e të gjitha vendeve të Mesdheut.

pod“Turizmi ka sot nevojë për të thënë disa të vërteta në kuptimin më të gjërë. Të gjithë e dimë që Mesdheu është një destinacion i jashtëzakonshëm për gjithë Evropën, por edhe deri për Azinë e largët. Nuk po kumtojmë diçka të re, por ama mund të themi që këto vende krahas bregdetit të larmishëm e të rrallë ofrojnë një larmi aventurash turistike, pejzazhesh, kulturash, ushqimesh, traditash, monumentesh, qendrash historike, që duke u ndërthurur e ofruar nga njeri vend në tjetrin, shtrojnë interesin dhe krijojnë mundësinë e përfytyrimeve të sakta mbi secilin vend, por plotësojnë edhe boshllëkun e mosnjohjes”, tha ai.

Sipas z. Podgorica, ne jemi vërtet shumë të ndryshëm, por kemi edhe ngjashmëritë tona, ne ndajmë histori të ndryshme, por ndjehemi njëlloj kur ulemi së bashku, popujt tanë kanë një shumëllojshmëri gjuhësh, por kanë pika takimi të shumta në kulturat tona. “Pikërisht për t’i bërë sa më të prekshme këto realitete, është e domosdoshme një vëmendje më e shtuar, një angazhim më specifik dhe një bashkëpunim shumëplanësh. Popujt e vendeve tona e kanë jetësuar shprehjen: People to people conection, dhe ne duhet domosdoshmërisht t’i japim një vlerë të shtuar këtij komunikimi përmes instrumentit të rëndësishëm të medias, duke e kthyer në objektiv shprehjen tjetër: Media to media conection”, tha më tej Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së.

Misioni që kemi, vijoi ai, është shumë i rëndësishëm. “Mos më keqkuptoni, nuk e them për të përkëdhelur sedrën tonë as profesionale dhe as publike, por sepse kjo është e vërteta. Një lapsus i vogël apo një lajm jo shumë i saktë e i paverifikuar trondit një ekonomi. Imagjinoni sikur për një çast të jepet një lajm për mundësinë e një sulmi terrorist, kur në të vërtetë ai mund të mos ekzistojë si i tillë. Braktisjen që mund t‘i ndodhte atij vendi dhe kolapsi ekonomik që e shoqëron, por edhe e kundërta, nëse e kemi dhe e fshehim. Pikërisht prandaj roli i mediave publike, e posaçërisht agjencive të lajmeve merr gjithnjë e më shumë rëndësi, pasi pavarësisht konkurencës, agjencitë zyrtare dhe publike mbeten referenciale”, tha në përfundim z. Podgorica.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button