Kosova

Avokati i Popullit e çon Presidenten në Kushtetuese

avokati-i-popullit-e-ccedil-on-presidenten-n-euml-kushtetuese_hdAvokati i Popullit i Republikës së Kosovës, i ka drejtuar kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, nr. DKGJK – 001 – 2014, të datës 31 gusht 2014, “për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Avokati i Popullit i ka bërë pyetje Gjykatës Kushtetuese, e ndër to i thotë: A mund të justifikohet ky devijim prej Kushtetutës në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare midis Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të ratifikuar me datë 23 prill 2014?

Kështu Avokati i Popullit ka bërë kërkesë për masë të parakohshme si vijon: Neni 116, pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se: Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme.

Avokati i Popullit, në pajtim me Nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të Rregullës 55 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, kërkon nga Gjykata Kushtetuese të miratojë masën e përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të Dekretit të Presidentes deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Në rastin Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, KO119/14, 23 korrik 2014, kjo Gjykatë vendosi të miratojë masën e përkohshme, duke pezulluar menjëherë vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Arsyetimi i parashtruesve ishte: Masa e Përkohshme është në interes të publikut, sepse mungesa e saj mund të shkaktojë një dëm të pakthyeshëm në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe demokracinë në Republikën e Kosovës. Id., para. 27.

Njëlloj si pezullimi i zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit në rastin e lartpërmendur, është në interes të publikut dhe të demokracisë që tre gjyqtarët ndërkombëtarë të mos vazhdojnë të marrin pjesë në vendimmarrjen e kësaj Gjykatë derisa të sigurohet kushtetutshmëria e emërimit të tyre.

Për arsyet e lartpërmendura, Dekreti Nr, DKGJK-001-2014 i Presidentes së Republikës së Kosovës “për konfirmimin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, sipas Avokatit të Popullit, duhet shfuqizuar si akt kundërkushtetues dhe duhet pezulluar menjëherë deri në vendimin përfundimtar të kësaj Gjykate.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button