Aziatikët britanikë të fiksuar, marrin agjentë për të hetuar partnerët
Duke qenë se shumë dasma sipas zakonit aziatik kushtojnë deri në 50 mijë sterlina, prindërit, nuset dhe dhëndurët e ardhshëm janë hezitues kur vjen puna për të rrezikuar të lidhen me njerëz që ata nuk i njohin mirë, edhe pse në letër ai mund të duket partneri ideal
Tri tavolina në një bar. Një grup shoqesh të gëzuara bëjnë selfie njëra me tjetrën. Një bashkëshort, gruaja e tij dhe një mik i përbashkët më tutje duke biseduar. Diku më tutje një burrë i ulur vetëm, duke pirë qetësisht një pije. Që të tre janë detektivë privatë dhe janë të angazhuar në një operacion mbikëqyrjeje në Midlands.
Objektivi është një djalë në të 20-at e tij. Porosinë e ka bërë një nga aziatiko-britanikët e shumtë të cilët së fundmi janë shtuar në numër dhe po pajtojnë detektivë privatë që të realizojnë kontrolle paramartesore te kandidatët potencialë.
Duke qenë se shumë dasma sipas zakonit aziatik kushtojnë deri në 5 mijë sterlina, prindërit, nuset dhe dhëndurët janë hezitues kur vjen puna për të rrezikuar për t’u lidhur me njerëz që ata nuk i njohin mirë, edhe pse në letër ai mund të duket partneri ideal.
Kjo do të thotë se ka mjaft treg për kompanitë private hetuese për të bërë këtë punë. Agjencitë e martesave për aziatikët në Britani ofrojnë përveç gjetjes së partnerit ideal në letër, edhe kontrolle të sakta nëse ai apo ajo ka thënë të vërtetën.
Laila është në moshën 30-vjeçare. Xhaxhai i saj i foli për mundësinë e martesës me një djalë, të cilin ajo ende s’e ka takuar. Por përpara se ajo të vendosë që të dalë me të, si fillim dëshiron që të kontrollohet e gjithë e kaluara e kandidatit, gjendja e tij ekonomike dhe personaliteti i tij.
“Nëse unë do të martohem me dikë, atëherë do të doja që të dija gjithçka rreth tij. Ai thotë se ka një biznes dhe nja dy shtëpi në pronësi e mua më duket se financiarisht ai është i qëndrueshëm, por kjo nuk më bën mua të ulem rehat e të mendoj se tani nuk do të kem problem për gjithë pjesën tjetër të jetës e bazuar në fjalët e tij. Nuk dua që të jem nga ata persona që i marrin për budallenj”, shprehet ajo.
Fenomeni i pajtimit të hetuesve për të bërë kontrolle të hollësishme përpara martese nisi në Indi, por ky opsion ka qenë i pranishëm në Britaninë e Madhe prej disa vitesh.
Disa kompani hetuese, madje specializohen në ato që quhen shërbime paramartesore, ose kontrolle martesore të pajtuara.
Për ta shpjeguar thjesht, kjo do të thotë që të kontrollohet nëse ai punon aty ku ka deklaruar, a kanë të drejtë që të jetojnë në Britani, pronat që ka në zotërim dhe nëse është përfshirë më parë në procedime penale.
Të gjithë punonjësit në kompaninë investigative “Lion Investigation Services”, shumica prej të cilëve janë ish-agjentë, punojnë shumë në terren. Për këtë arsye, ata përdorin emra falsë. “Raj Singh” e krijoi kompaninë pasi la punën e tij në polici. “Ka disa histori të tmerrshme nga njerëz të cilët gënjejnë dhe futen në të tilla marrëdhënie për qëllime mizore”.
Singh llogarit se rreth 70% e klientëve të tij janë me origjinë aziatike dhe ai ka parë që kërkesat për investigime janë dyfishuar që prej vitit 2013. Ai dhe grupi i vet kanë ndërmarrë me qindra hetime të aseteve dhe operacione vëzhgimi gjatë kësaj kohe.
Një kliente, “Sukhi” kërkoi që të vëzhgohej kunati i saj i ardhshëm, pasi e motra pranoi që të martohej me shkuesi. “Gjëja që më shqetëson më shumë është nëse partneri i saj është jobesnik. Edhe nëse mosha mund të tregojë se ai është në rregull, mbase nuk është pjekur ende. Nëse do që të bëjë qejf akoma, atëherë nuk dua që të martohet me motrën time që t’i tregojë komunitetit se ai tashmë ka lidhur kurorë, apo t’i çojë në shtëpi mamasë një nuse. Këtë gjë e bëjë shumica e djemve. Ne jemi një familje tradicionale, ne jemi një familje besimtare”, tha ajo. U vendos që hetimi ndaj tij do ndërmerrej gjatë në fundjavë në Midlands.
Në natën e parë, një ekip qëndroi jashtë shtëpisë së subjektit për disa orë. Nëse djali ikën, atëherë hetuesit e ndjekin nga pas, me qëllim që të vënë në zbatim planin e të krijojnë idenë e saktë për të.
Në këtë rast, do të përdoret një vajzë e cila do të përpiqet që të joshë dhëndrin e ardhshëm.
Singh e di se kjo sjell kundërshti, por ai thotë se ka rëndësi. “Ka disa mënyra të të zënit në grackë me anë të një karremi, që nga jo intimiteti deri tek intimiteti. Varet nga ajo që klienti kërkon. Më shumë ky është një testim integriteti. Ne vendosim joshjen para tyre dhe shikojmë çfarë ata do të bëjnë. Klienti në këtë rast tha se ai nuk donte që gracka të shkonte deri në intimitet. Ata vetëm duan të shikojnë se si objektivi do të sillet me një femër në një rrethanë të caktuar”.
Rrugën e ka pushtuar errësira. Shtëpitë anës janë të mëdha dhe makinat nuk numërohen. Askujt nuk do t’i bien në sy se ka aty-këtu automobila të parkuar.
Në ditën e dytë të vëzhgimit, subjekti doli nga shtëpia me miqtë e tij. Tri makina me tri grupe i shkojnë nga pas, ndërsa ruajnë një distancë sigurie.
Subjekti mbërrin në një bar të mbushur plot e përplot, agjentët futen nga pas dhe ndahen në tri skuadra. I pari është grup grash, i dyti një burrë i vetëm dhe në fund dy agjentë burra.
Vajzat nisin shpejt të zënë miqësi me subjektin. Ato blejnë pije për të gjithë. Agjentët e tjerë ruajnë me kujdes dhe mbledhin provat.
“Ne morëm fotografi të tij duke pirë, fotografi të tij duke tymosur, e këto janë pjesë e objektivit tonë. Më pas subjekti shkëmbeu numrat e telefonit me një prej agjenteve tona, në mënyrë që të dy të bashkëbisedojnë në vazhdim”, thotë Singh. Nga provat e marra rezultoi se dhëndëri i ardhshëm e ftoi vajzën që të shkonin në një lokal tjetër. Kjo tregon se ai ishte i interesuar për të. Në ditët në vazhdim, ai kontaktoi prapë me vajzën agjente dhe pas disa mesazheve flirtuese të shkëmbyera, i nisi asaj foto intime të tij. Komunikimi mes të dyve u ndërpre pak më pas.
Klientes, Sukhi-t, iu dhanë dosjet me mesazhet dhe fotografitë e mbledhura. “Është e diçka e rëndë kjo që kam bërë dhe pse e kam bërë. Nuk e mendoja se gjërat do të përfundonin kështu, sepse thashethemet ngelen thashetheme. Por është diçka që duhet bërë kur të përfshirë direkt janë njerëzit që ti do”, tha ajo. Motra e Sukhi-t e anuloi dasmën. Familja e saj u shkatërrua.
Saranjit Kandola është drejtoreshë e kompanisë “AskBhabi.co.uk”, që merret me gjetjen e partnerëve mes komunitetit Sikh. Ajo tregon se kontrollet për asetet ekonomike dhe personalitetin e kandidatëve janë diçka që kërkohen nga shumë klientë. Ajo thotë se shumë njerëz nuk kanë më besim. “Kanë pasur probleme të ngjashme më përpara me partnerët, kështu që duan t’i eliminojnë këto shqetësime pa nisur një lidhje. Duan të takojnë dikë, për të cilin dinë gjithçka, që përpara se ta shohin në sy”.