Kronika

Azilkërkuesit në Holandë, në dy muajt e fundit shumica kanë qenë shqiptarë

Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të porsambërriturve që pretendojnë statusin e refugjatit në Holandë.

Burime nga Ministria e Brendshme holandeze i thane transmetuesit publik NOS se, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, 480 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil në këtë vend, edhe pse shanset që kërkesa t’i pranohej janë praktikisht zero.

Në të njëjtën kohë, numri i sirianëve që kanë aplikuar për statusin e refugjatit në Holandë ka rënë nga 5.000 në muaj që ishte përpara, në vetëm disa qindra.

Sidoqoftë, thotë NOS, nëse përfshihen dhe të afërmit e mbërritur për bashkime familjare, atëherë sirianët vazhdojnë të mbeten grupi më i madh në këtë kategori.

Që prej janarit 2015, vetëm 4 të ardhurve nga Shqipëria, e konsideruar vend i sigurt origjine, u është njohur e drejta e azilit. 795 të tjerëve u është refuzuar.

Zeki Shehu, i Këshillit Koordinator në Holande, tha për median në fjalë se shumë shqiptare nuk e bëjnë fare dallimin mes azilit dhe emigracionit. “Ata thjesht duan të punojnë”, u shpreh ai.

Që prej fillimit të marsit, qeveria holandeze i ka përshpejtuar procedurat e menaxhimit të kërkesave nga personat e vendeve të treta të sigurta, me qëllimin që kthimi i tyre mbrapsht të bëhet sa më shpejt.

Në janar, Holanda arriti një marrëveshje me autoritetet shqiptare për deportimin në grupe të mëdha të shtetasve të paligjshëm shqiptarë me avionë të posaçëm.

Por deri më tani, thotë NOS, fluturime të tilla nuk ka pasur. Shqiptarëve që pranojnë të kthehen vullnetarisht u jepet një biletë avioni dhe 200 euro. Këtë skemë brenda tre muajsh e kanë ndjekur 385 vetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button