Kronika

Azilkërkuesit nga Ballkani, Gjermania shkurton procedurat

Vërshimi i azilkërkuesve vazhdon të mbetet çështje dite në Gjermani dhe pjesë e diskutimit është bërë më së fundi presidenti i Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, Manfred Schmidt.

Nisur nga fakti që një pjesë e mirë e refugjatëve nga Ballkani nuk kanë shanse të marrin azil në Gjermani, thotë ai për mediat vendase, atëherë është menduar që koha e trajtimit të kërkesave të tyre të përshpejtohet shumë.

Siç shpjegon zyrtari, numri i regjistrimeve sa i përket Kosovës në pranverë dhe Shqipërisë tani paraqet një sfidë për administratën. Përgjatë këtij viti ka pasur 28.000 kërkesa për azil nga shqiptarët, një zhvillim ky i paparashikuar që i ka çuditur autoritetet gjermane.

I pyetur nëse konsideron se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova e Mali i Zi duhet të kategorizohen tek “vendet e sigurta të origjinës”, Schmidt përgjigjet se, edhe tek vendet që jane aktualisht pjesë e një liste të tillë vihet re shtimi i numrit të azilkërkuesve, ndaj duhen kombinuar disa masa.

Shpalljen si “vend i sigurtë origjine”, ai e konsideron një sinjal që i përcillet rajonit dhe thotë se duhet shkurtuar ndjeshëm afati i trajtimit të kërkesave.

“Ajo që ne duhet të arrijmë është që të mos ia vlejë qëndrimi në Gjermani për një kohë të caktuar. Nga gushti, kur të hyjë në fuqi ligji i ri për qëndrimin në vendin tone, do të vendosim sanksione për kërkesat e paarsyetura të azilit, siç është bllokimi i hyrjes në vendet e zonës Schengen, apo edhe ndalimi i shkeljes në tokën gjermane”, thekson zyrtari. Kjo, sipas tij, do të prekë sidomos njerëzit që vijnë nga Ballkani.

Nga ana tjetër, po insistohet që në qendrat e pranimit të refugjatëve të kalohet nga ofrimi i asistencës në para në dorë tek ndihmat materiale dhe në këndvështrimin e autoriteteve gjermane, të gjitha këto masa së bashku, në fund do të japin efekt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button