Kryeartikull

Ballkani i Hapur dhe ballkanistët e kapur. Kur Rusia dhe Serbia e celebrojnë ‘mosangazhimin’

Nga Shaban Murati

Në 11-12 tetor Serbia dhe Rusia organizuan në Beograd ceremoninë jubilare të 60 vjetorit të mbledhjes së parë të shteteve anëtare të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, mbajtur në 1961 në ish-kryeqytetin jugosllav. Serbia si shtet i ri i pranuar në OKB në fund të vitit 2000 nuk ka asnjë lidhje me “Lëvizjen e të Paangazhuarve” dhe nuk është as shtet themeluese i asaj lëvizje politiko-diplomatike të viteve 60.

Madje, megjithë pompën e madhe të ceremonialit të 11 tetorit, Serbia nuk është sot as shtet anëtar i “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Ajo është thjesht shtet vëzhgues siç është Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, etj. të cilat gjithashtu kanë pasur Beogradin kryeqytet në vitin 1961. Por Serbia dhe Rusia u mobilizuan sëbashku që të spekullojnë me qytetin, ku u mbajt para 60 vitesh mbledhja e parë e “Lëvizjes së të Paangazhuarve” dhe organizuan një forum diplomatik përkujtimor.

Është diçka komike që Serbia organizon një veprimtari të kushtueshme diplomatike vetëm pse Beogradi ishte në vitin 1961 kryeqyteti, ku u mbajt mbledhja e parë e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Është njësoj sikur Irani të celebronte përvjetorët e samitit të famshëm të Ruzveltit, Stalinit dhe Çërçillit në Teheran në mesin e Luftës së Dytë Botërore në nëntorin e vitit 1943, vetëm pse u mbajt në kryeqytetin e Iranit.

Serbia dhe Rusia bashkë shpikën një pretekst dhe harxhuan goxha para për të organizar një forum ndërkombëtar si një spektakël diplomatik, që do ta shfrytëzonin për qëllimet e tyre diplomatike dhe strategjike. Në thelb Rusia është organizatori në prapaskenë i forumit përkujtimor dhe diplomacia ruse u angazhua fort që të bindëte shumë shtete të Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine, që të shkonin në atë spektakël serbo-rus. Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, që përfaqësoi Rusinë për herë të parë në atë ceremonial,  ishte defakto mikpritësi i forumit, dhe ministri i jashtëm serb Nikolla Selakoviç e pohoi në 11 tetor kur deklaroi se “emri i Lavrovit forcon karakterin dhe nivelin e këtij samiti”.

Zyrtarisht Rusia nuk është shtet anëtar i “Lëvizjes së të Paangazhuarve” dhe nuk mund të mos tingëllojë i mjerë servilizmi i shefit të diplomacisë serbe, që zbulon se samitin e forcon ministri i jashtëm rus dhe nuk e forcokan disa kryetarë shtetesh të disa vendeve afrikane, që morën pjesë dhe që janë ndër shtetet themeluese të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” si Gana.

Ministri i jashtëm rus Lavrov diktoi intonimin politik të ceremonialit përkujtimor të Beogradit dhe për këtë zhvilloi me urgjencë një takim kokë më kokë më presidentin e Serbisë Vuçiç të dielën në mbrëmje në 10 tetor, dhe mbajtën edhe një konferencë të përbashkët shtypi, ku u ravijëzua tematika dhe interesi qendror i diplomacisë serbe dhe ruse në organizimin e ceremonialit përkujtimor të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”.

Tematika diplomatike serbo-ruse në spektaklin e 11 tetorit u fiksua në goditjen e Kosovës, të BE dhe të SHBA, pra në një strategji të lexueshme antiperëndimore dhe antiatllantike.

Diplomacia ruse po manifeston një aktivizim të jashtëzakonshëm diplomatik dhe diversiv në të gjitha organizatat dhe organizmat ndërkombëtare, qofshin aktive ose formale. Në këtë kuadër ajo po i kushton vëmendje të veçantë edhe veprimtarisë së saj në gjirin e “Lëvizjes së të Paangazhuarve”, e cila ndonëse është shndërruar në një lëvizje formale, ka të regjistruar 120 shtete anëtare.

Kjo Lëvizje është reduktuar në një NGO gjigande diplomatike ndërkombëtare, që nuk ka asnjë mandat, ndikim apo forcë angazhuese dhe detyruese ndaj anëtarëve, por thjeshtë mblidhen një herë në tre vjet për të mbajtur fjalime secili shtet-anëtar . Por “Lëvizja e të Paangazhuarve” me 120 shtetet anëtare përfaqëson një audiencë të madhe dhe të lartë diplomatike dhe me shumë interes për të parashtruar qendrimet dhe synimet dhe natyrisht për të krijuar ndikim, kur është rasti për shtete të fuqishme si Rusia.

Ndaj Serbia dhe Rusia angazhuan forca, përpjekje dhe para për të grumbulluar personalitete politike në ceremonialin përkujtimor të 11 tetorit në Beograd me pretekstin e mbledhjes së parë të kësaj Lëvizje 60 vjet më parë në kryeqytetin jugosllav.

Moskës i duhet “Lëvizja e të Paangazhuarve” si forum dhe instrument për të shtrirë praninë dhe ndikimin e politikës së jashtme ruse në shtetet e Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine, dhe për t’u paraqitur sikur Rusia tani ka përqafuar frymën dhe idetë themeluese të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”.  Gazeta e njohur ruse “Komersant” shkruante në 11 tetor: ”

Interesimi i rritur i Rusisë për “Lëvizjen e të Paangazhuarve” nuk është i rastit. Rusia mori statusin e vëzhguesit në korrik. Në Ministrinë e Jashtme të Rusisë këtë angazhim e quajnë “shembull i qartë i afërsisë së qendrimeve të vendit tonë dhe të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” në shumë probleme globale”. Duket qartë që Moska po intensifikon përpjekjet që të ndërhyjë në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” dhe ta orientojë në drejtimet, që don ajo, dhe në rradhë të parë që ta nxisë kundër Perëndimit.

Në konkretizim të kësaj strategjie Rusia u kujtua pas 60 vitesh të kërkojë të hyjë në “Lëvizjen e të Paangazhuarve” dhe në korrik të këtij viti u pranua si shtet vëzhgues, në kohën që presidencën e Lëvizjes e ka Azerbajxhani, gjë që ishte një rrethanë e favorshme për Moskën. Ministri i jashtëm rus Lavrov, që përfaqësoi Rusinë në forumin përkujtimor të Beogradit, mbajti vetë fjalim dhe lexoi gjithashtu atje edhe një mesazh të posaçëm drejtuar Lëvizjes nga presidenti rus Vladimir Putin, gjë që flet për rëndësinë që Moska po i jep asaj Lëvizje për interesat e veta. Lavrovi elaboroi tezat e njohura antiperëndimore të diplomacisë ruse për “luftën kundër blloqeve”, për kundërshtimin e “rendit të ri ndërkombëtar me rregulla të vendosura”, etj.

Shtypi rus njoftonte me këtë rast se “Rusia bashkohet me të Paangazhuarit”. Është vërtetë ironi që Rusia, shteti i angazhuar në kulm, që përfaqëson një bllok ushtarak si CSTO, aspiron të bëhet superfuqi dhe të vendosë influencën e saj në gjithë rajonet e detrat e botes, e paraqet veten si ithtar i mosangazhimit politik  e diplomatik. Se sa mund të përputhet Rusia e sotme me vizionin dhe moton themeluese të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” për vijën “jashtë blloqeve”, këtë mund ta shpjegojnë vetëm ata, që e pranuan Rusinë si shtet vëzhgues, duke harruar se Rusia ndërmori agresion kundër Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe i shkëputi disa territore, dhe në vitin 2014 ndërmori agresion kundër Ukrainës, duke i aneksuar me dhunë Krimenë dhe mbajtur të pushtuara ende sot e kësaj dite rajonet  lindore ukrainase.

Një nga objektivat kryesore të diplomacisë së Serbisë dhe të Rusisë në organizimin e mbledhjes përkujtimore të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” në Beograd ishte goditja e shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe e SHBA dhe e Perëndimit, të cilët mbështesin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Grumbullimi diplomatik në Beograd ishte përpjekje e diplomacisë serbe dhe ruse për të shkallëzuar ofensivën e tyre të egër kundër njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe për të nxitur aktet e njëanshme absurde të tërheqjes së njohjeve të shtetit të Kosovës. Shumica ndër ato rreth 120 shtete anëtare të OKB, që e kanë njohur Kosovën, janë nga vendet që bëjnë pjesë në “Lëvizjen e të Paangazhuarve”, sikundër ndër shtetet, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, shumica janë gjithashtu nga vendet anëtare të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”.

Ndaj Kosova ishte një nga arsyet kryesore të angazhimit të sforcuar të diplomacisë serbe dhe ruse për organizimin e një takimi diplomatik ndërkombëtar me pretekstin absurd të mbajtjes së mbledhjes themeluese të Lëvizjes, kur Serbia nuk ekzistonte si shtet në atë kohë. Fokusimin kundër Kosovës e sinjalizoi ministri i jashtëm rus Lavrov në konferencën e tij të shtypit me presidentin serb në Beograd në mbrëmjen e 10 tetorit, disa orë para hapjes së ceremonisë përkujtimore, me sulme dhe kërcënime ndaj shtetit të Kosovës, duke proklamuar tezat absurde që Rusia do të përkrahë vetëm zgjidhjen që i intereson Serbisë dhe kjo zgjidhje duhet të miratohet nga Këshilli e Sigurimit të OKB, ku Rusia ka të drejtën e vetos.

Është e lexueshme se qëndrimi i Rusisë është kundër zgjidhjes së konfliktit dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përderisa shpall zyrtarisht se Moska përkrah vetëm zgjidhjen që i intereson Serbisë, pra vetëm njërës palë, aleatit të saj strategjik

Temat e konferencës së shtypit të Lavrovit kundër Kosovës presidenti serb Vuçiç i bëri platformë të fjalimit të tij para audiencës diplomatike të përfaqësuesve të vendeve të “Lëvizjes së të Paangazhuarve”. Vuçiç e bëri Kosovën objektivin kryesor të fjalës se tij, sepse diplomacia serbe dhe ruse kanë nevojë të shtrembërohet e vërteta e realiteteve të problemeve dhe e dialogut mes  Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Me nje ton emfatik presidenti serb deklaroi në ceremonial se “ Beteja më e dhimbshme është të zgjidhim çështjen e Kosovës dhe të mbrojmë integritetin territorial të vendit. Serbia është e angazhuar për kompromis që të ruajë sigurinë në rajon”.

Me sa duket presidentit serb duhet t’i jenë dhënë informacione jo të sakta sikur shumë shtete të Azisë, Afrikës dhe të Amerikës Latine nuk e dinë se çfarë bëhet në Ballkan e as për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel dhe ata mund t’i rresh si të duash, meqë siç ka thënë ish-presidenti serb Dobrica Çosiç “rrena është virtyt i serbëve”. Vuçiçi, Lavrovi, diplomacia serbe dhe ruse mendojnë se vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, nuk e dijnë se pavarësia e Kosovës nga Tribunali më i lartë juridik i OKB, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me vendimin e datës 22 korrik 2010 është shpallur se përputhet me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Tribunali juridik i OKB u vu në veprim pas kërkesës së rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ku janë anëtarë të gjithë vendet e “Lëvizjes së të Paangazhuarve”.

Në të vërtetë Serbia dhe Rusia tallen edhe me “mosangazhimin” e tyre, edhe me “Lëvizjen e të Paangazhuarve”, sepse pikërisht në 11 tetor, ditën e hapjes së mbledhjes përkujtimore të 60 vjetorit të “Lëvizjes së të Paangazhuarve” dhe kur presidenti serb dhe ministri i jashtëm rus po mbanin në mbledhjen e madhe fjalimet patetike për dashurinë e re të vendeve të tyre për “mosangazhimin”, në Serbi nisën manovrat e përbashkëta ushtarake të forcave ajrore të Serbisë dhe të Rusisë të koduara “Bars 21”. Dy shtetet e “paangazhuara”, Serbia dhe Rusia, përshëndetën audiencën diplomatike të të paangazhuarve me vrigëllim të ri armësh dhe gjuajtësit e tyre fluturonin në qiellin e Beogradit mbi ndërtesën, ku po mbahej mbledhja e zhurmshme përkujtimore e “mosangazhimit”. Madje presidenti serb po i deklaronte audiencës diplomatike se “Ne jemi krenarë, që jemi shtet neutral ushtarakisht”. Sipas të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes vetëm në vitin 2019 Rusia dhe Serbia kanë zhvilluar 96 manovra ushtarake të përbashkëta.

Ndërkaq ministri i jashtëm rus zgjodhi këtë moment për t’i drejtuar nga Beogradi Bashkimit Europian mesazhin e qartë se Serbia është e lidhur me Rusinë dhe jo me BE. Disa herë gjatë qëndrimit të tij ne Beograd Lavrovi theksoi me forcë “partneritetin e veçantë strategjik midis Rusisë dhe Serbisë”. Mesazhi diplomatik rus drejtuar BE-së ishte se Moska po avancon me shpejtësi në forcimin e varësisë së Serbisë nga Rusia dhe se është iluzore shpresa e BE se Serbia do të shkojë te Europa.

“E dimë prej kohësh se BE pretendon për Ballkanin Perëndimor dhe thotë se vendet e tjera nuk kanë çfarë kërkojnë këtu. Ky është qëndrim neokolonialist”,- deklaroi ministri i jashtëm rus në Beograd, dhe hodhi poshtë akuzat se Rusia po ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u kërkoi gazetarëve në konferencën e shtypit që t’i sillnin prova për këtë ndërhyrje. Sipas tij nuk janë prova dënimi nga gjykatat në Mal të Zi të oficerëve të shërbimit sekret rus, që u dënuan me burgim për organizimin prej tyre bashkë me shërbimin sekret serb të grushtit të dështuar të shtetit në Podgoricë në tetor 2016.

Nuk janë prova sipas tij deklaratat e panumërta të presidentit të Malit të Zi, që denoncon ndërhyrjen e Rusisë në punët e brendshme të Malit të Zi. Nuk janë prova sipas tij ndërhyrjet ruse në Bosnje-Hercegovinë, ku po nxitet prej Moskës udhëheqësi fashist Dodik i “serpska republikës” të bojkotohen institucionet qendrore të shtetit, të krijohet ushtri e veçantë serbe e Banja Lukës saj dhe të zhvillohet referendum për bashkimin me Serbinë.

Nuk janë prova sipas tij ndërhyrja publike dhe inspektimi i ambasadorit rus në Beograd dhe i gjeneralëve rusë te forcat serbe të ndërhyrjes të dislokuara në kufirin me Kosovën gjatë tensioneve të provokuara nga Beogradi në Veriun e Kosovës në muajin shtator.

Lavrovi nuk i quan ndërhyrje të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse diplomacia ruse e konsideron Ballkanin Perëndimor zonë dhe e drejtë e influencës së Serbisë. Jo rastësisht zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 10  tetor mori zyrtarisht në mbrojtje projektin serb të “Ballkanit të hapur” dhe projektin tjetër hegjemonist serb “bota serbe” të bashkimit të të gjithë serbëve të Ballkanit Perëndimor në një shtet, sepse sipas saj “bota serbe nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

Serbia dhe Rusia tallen me “mosangazhimin” dhe me “Lëvizjen e të paangazhuarve”, siç tallen edhe me “Ballkanin e hapur” dhe me ballkanistët e kapur. Diplomacia serbe dhe ruse guxojnë deri në këtë shkallë, kur janë të bindur se kanë përpara kryetarë shtetesh apo qeverish të inamoruar me veten dhe jo me shtetin dhe me popullin e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button