Ekonomia

Balluku: Gara ndërkombëtare për portin në Porto Romano hapet në fund të janarit

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur sot se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, në Durrës do të hapet në fund të muajit janar të vitit që vjen.

Në ceremoninë e mbajtur për prezantimin e projektit, ku i pranishëm është edhe Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për vendin tonë por edhe atë të rajonit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.

“Një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut”, deklaroi Balluku.

Balluku tha se pritshmëritë janë që të nisë zbatimi i projektit në Porto Romanos brenda vitit 2023.

“Përmes dy investimeve madhore, portin tregtar të Durrësit dhe nga ana tjetër Ballinën ujore dhe Marina Yacht e Durrësit, po ndërtojmë një kompleks portual Durrës-Porto Romano, tërësisht të modernizuar, ku të gjitha terminalet dhe infrastruktura detare janë në pronësi shtetërore dhe ku Autoriteti Portual i Durrësit do të mbikëqyrë dhe organizojë aktivitetet e koncesionarëve dhe operatorëve. Është një projekt strategjik që do të mbulojë nevojat dhe volumet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por edhe vendeve te tjera të rajonit që do të kenë dëshirë të operojnë përmes këtij porti për 4 dekadat e ardhshme”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Synojmë, tha ajo, një investim me faza që do t’i përgjigjet kërkesave të 4 dekadave të ardhshme me teknologji të pa aplikuar deri tani në portet e rajonit.

“Vizioni ynë është që t’i mundësomë transportit detar në Shqipëri, një hapësirë zhvillimi, pa kufizime urbane, pa problematika mjedisore apo siguri, me të cilat kjo industri përballet sot në portin e Durrësit”, theksoi ajo.

Sipas Ballukut, në këtë industri prej 390 milionë eurosh, ku pritet të punësohen 1500 vetë, vëmendje e posaçme i është kushtuar ndërlidhjes rrugore dhe hekurudhore me një hekurudhë të brendshme, e cila lidh terminalet dhe me 8 km hekurudhë që lidh portin e Durrësit në Porto Romano me hekurudhën qendrore, atë të Tiranë-Durrës, duke i dhënë akses, si për linjat që do të ndërtohen në veri dhe ato në juglindje.

“46 % e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga qeveria shqiptare dhe 54 % financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese. Kjo do të dalë përmes një garë ndërkombëtare. Kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti Portual, pa ndikuar në buxhetin e shtetit. Në fund të janarit 2023, ne do të jemi të gatshëm për të hapur garën ndërkombëtare. Procesi sipas parashikimeve do të mbyllet në korrik 2023”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, ky investim ka marrë vëmendjen e shumë kompanive ndërkombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button