Ekonomia

Bankat i rriten me 9%, ‘investimet’ jashtë vendit

Investimet dhe vendosjet e bankave jashtë vendit janë rritur edhe në muajt e parë të vitit 2016.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit maj totali i pretendimeve të sistemit bankar ndaj subjekteve jorezidente arriti në 324.6 miliardë lekë, në rritje me 9% që nga fillimi i vitit.

Investimet e bankave jashtë konsistojnë kryesisht në depozita të vendosura në banka të huaja dhe investime në letra borxhi, ndonëse në vitet e fundit ka edhe një rritje të kredisë te subjekte apo individë jashtë vendit.

Rritja e investimeve jashtë lidhet me dobësinë e kreditimit në vend dhe sidomos të atij në valutë. Në fakt, rënia e portofolit të kredisë për ekonominë është e përqendruar e gjitha te kredia në valutë. Kredia në lekë paraqitet në rritje, ndërsa kredia në valutë është në rënie me rreth 6% me bazë vjetore.

Gjithashtu, në kuadrin e masave për nxitjen e kreditimit, Banka e Shqipërisë ju ka vendosur bankave tregtare kërkesa më të lartë për kapital, mbi investimet jashtë vendit.

Bankat kanë tashmë kosto të dyfishtë për të investuar jashtë vendit tepricat në euro: jo vetëm që interesat që bankat mund të gjejnë jashtë vendit, në rastin më të mirë janë pranë zeros, por këto investime rëndojnë më shumë në kapitalizimin e bankave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button