Bankat pa “oreks” në 2017-n, 9 prej tyre në tkurrje
Sistemi bankar duket se është në një fazë intensive ristrukturimi dhe riformatimi, teksa një pjesë e tyre po menaxhojnë huatë me probleme dhe disa të tjera janë në tentativa shitjeje.
Nga 16 banka, që janë aktualisht në sistem, 9 prej tyre kanë shënuar rënie të aktiveve në fund të 6-mujorit të parë 2017, në raport me fundin e 2016-s, ndërsa 8 kanë ulur stokun e huave.
Raiffeisen është banka që po shënon prej disa vitesh tkurrjen më të madhe në sistem, që e ka vazhduar me shpejtësi edhe në muajt e parë të 2017-s. Totali i aseteve të kësaj banke ra me gati 6% në raport me fundin e 2016-s.
Banka uli ndjeshëm dhe stokun e kredive, ndërsa interesat e pafavorshme kanë mbajtur larg depozituesit (ndonëse një pjesë e tyre janë orientuar drejt Raiffeisen Invest). Pesha e Raiffeisen në sistem, zbriti në 18%, larg nga rreth 25% para disa vitesh, kur ajo ishte në ditët e saj më të mira dhe ishte më e madhja në vend. Por, pavarësisht tkurrjes, ajo rezultoi banka me fitimet më të larta në 7 muajt e parë të vitit, prej 3.3 miliardë lekësh.
BKT ka thelluar pozicionin si banka më e madhe në vend për sa u përket aktiveve, depozitave dhe kredive, megjithëse ritmet e rritjes së saj janë ngadalësuar ndjeshëm. Për herë të parë, totali i aktiveve të BKT-së ra lehtë me 1.3% në fund të 6-mujorit në raport me dhjetorin 2016. Stoku i kredive u rrit me 1.3%, ndërsa depozitat qëndruan pothuajse në vend. Banka kishte fitime të kënaqshme prej 2.9 miliardë lekësh.
Edhe për Credins, banka e tretë më e madhe në sistem, ritmet e rritjes së aktiveve janë ngadalësuar në 0.9% për periudhën në fjalë. Kredia dhe depozitat janë rritur lehtë me nga rreth 2% secila. Credins dhe BKT kanë qenë vitet e fundit më aktivet në huadhënien në ekonomi.
Intesa SanPaolo Bank rriti aktivet me 2.5%, por stoku i huasë u reduktua me 9.2% në raport me fundin e vitit të kaluar, ndërsa depozitat shënuan rritjen më të madhe në sistem me 3.8%, ose 4.8 miliardë lekë. Në qershor të këtij viti u njoftua se Intesa San Paolo Bank Albania do të përthithë bankën tjetër me kapital italian, Veneto, në kuadër të të njëjtit proces që ndodhi me mëmat përkatëse në Itali. Pas kësaj, pesha e aktiveve të Intesa Sanpaolo në Shqipëri do të rritet nga 11.2% në 13%, duke u ngjitur sërish në vend të tretë në sistem, pasi ia kishte lënë këtë pozicion Credins para pak kohësh. Intesa ishte banka e tretë me fitimet më të larta në sistem në 6- mujorin 2017, prej 1.2 miliardë lekësh.
Societe Generale ka vijuar të jetë e kujdesshme. Totali i aseteve u rrit me 0.9%, ndërsa kredia mbeti pothuajse e pandryshuar, por gjithsesi depozitat u rritën ndjeshëm me 6.2%, ose 4 miliardë lekë, në raport me fundin e vitit 2016.
Bankat me kapital grek, Tirana Bank, Alpha, NBG vijuan procesin e tkurrjes së aktiveve me një rënie përkatësisht -3.3%, -0.6% dhe -3%. Pesha e tyre ndaj totalit të aktiveve zbriti sërish lehtë në 13.6%. Së fundmi mëma e Bankës Kombëtare e Greqisë (National Bank of Greece-NBG) njoftoi së fundmi se ka nënshkruar një marrëveshje përfundimtare me ΟΤP Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotëron tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave. Ajo kishte njoftuar më herët se do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.
Union Bank ka shënuar rritje të totalit të aktiveve me 2.9%, të kredive me 1.2% dhe depozitave me 5.3%. Banka u ngjit një pozicion më lart në sistem për sa u përket aktiveve, pasi ia kaloi NBG Bank.
Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka vijuar rritjen e moderuar të aseteve me 4%, ndërsa stoku i huasë është tkurrur lehtë. Edhe rritja e depozitave është ngadalësuar në 2.6%. Banka ka qenë shumë aktive vitin e fundit, pasi në mes të 2015-s ndryshoi pronësinë nga francezët e Credit Agricole te NCH Capital. Por, ajo është larg rritjes 40% të aktiveve të shënuar në 2016-n.
ProCredit ka vijuar me reduktimin e saj të qëndrueshëm, duke ulur aktivet me 1.6% në gjysmën e parë të 2017-s, ndonëse stoku i huasë u zgjerua me 6%.
Banka Veneto, që kaloi një periudhë të vështirë, pasi fati i mëmës së saj në Itali u vu në diskutim në pjesën e parë të këtij viti, ka reduktuar aktivet me 3.3%.
Banka e Parë e Investimeve (FIB) u zgjerua lehtë me 2% sa u përket aktiveve.
Tre bankat e tjera, Banka e Krediti të Shqipërisë (CBA), Banka Malajziane (ICB) dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) vijojnë të kenë një peshë të papërfillshme në sistem.
Asetet, sërish me rënie
Totali i aseteve të sistemit bankar zbriti në 1.39 trilionë lekë në fund të qershorit, duke shënuar rënie për të dytin tremujor radhazi. Në krahasim me fundin e vitit 2016, totali i aseteve të sistemit bankar ka rënë me gati 1%, ose me 13.4 miliardë lekë. Kjo është rënia më e madhe në vlerë absolute, që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi vuajti pasojat e krizës financiare globale, që çoi në një rrjedhje depozitash nga sistemi.
Paratë që mbledhin nga depozituesit (të cilat në 6 muajt e parë të vitit kanë qenë në rënie), bankat i investojnë në dhënien e kredisë për biznesin dhe individët, blejnë letra me vlerë të qeverisë, apo i vendosin në institucionet e huaja financiare, ose pranë Bankës së Shqipërisë.
Rënia e aktiveve në gjashtë muajt e parë të vitit ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e uljes së veprimeve me Bankën e Shqipërisë për dy tremujorë radhazi (-25 miliardë lekë më pak në raport me fundin e 2016-s). Investimet në institucionet financiare jashtë vendit, janë rritur lehtë me rreth 2.3 miliardë lekë, pas një rënieje të fortë që kishte shënuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Ndërsa veprimet me klientët (huaja për bizneset dhe individët) kanë shënuar rënie me 0.7% në tremujorin e dytë në krahasim me të parin dhe një tkurrje prej 0.6% në raport me fundin e vitit. Ky zë tregon ecurinë neto të kredisë, duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave.
Bankat u janë rikthyer veprimeve me letra në vlerë, që janë rritur me 0.6% në raport me tremujorin e parë, pas tkurrjes së muajve të parë të vitit.
Gjithsesi, fondet e lira të bankave nuk kanë qenë të larta, për shkak të ecurisë së dobët të depozitave.
Nuk ka më zgjerim
Në fund të qershorit 2017, sistemi bankar kishte 498 degë, 5 më pak se në fund të vitit 2016, ndërsa numri i punonjësve arriti në 6956, vetëm 6 më shumë se në dhjetor.
Të 16 bankat që veprojnë në Shqipëri kanë marrë vetëm 6 punonjës shtesë në pjesën e parë të këtij viti, pra vetëm një i punësuar i ri në muaj. Statistikat bëhen të ditura nga Shoqata e Bankave. Sipas këtyre të dhënave, totali i të punësuarve në sistemin bankar në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti ishte 6956 persona, nga 6950, që u mbyll viti 2016. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, janë mbyllur 5 degë bankash.
Banka që ka pasur shkurtimet më të mëdha nga puna ishte Raiffeisen, e dyta më e madhe në vend, që e ka ulur personelin me 55 punonjës, duke e çuar në 1308. Vitet e fundit kjo bankë ka ndjekur politikën e zvogëlimit të madhësisë së tregut, në linjë edhe me strategjinë e bankës mëmë për të reduktuar ekspozimin në Europën Lindore.
Edhe ProCredit e ka ulur numrin e të punësuarve me 10 persona, duke e çuar në 248.
Tre banka të tjera kanë pasur luhatje të lehta në ulje të stafit, me një total prej 15 punonjësish.
Banka më aktive në marrjen e punonjësve të rinj, që ka amortizuar disi largimet nga bankat e tjera është Credins, që ka zgjeruar personelin me 44 persona, e ndjekur nga Tirana Bank me 11 dhe Union Bank me 7.
Sistemi bankar u rrit me shpejtësi pas vitit 2005 dhe deri në 2008-n ai e kishte dyfishuar personelin. Por pas vitit 2008, kur u godit nga kriza financiare globale, bankat po tregohen më të maturuara, si në drejtim të zgjerimit, ashtu dhe të shtimit të personelit.