Basha: Lajthitje e kryeministrit. Paska çuar kombëtaren në Euro 2016!
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar me ironi gjatë orëve të pasdites ndaj një deklarate të kryeministrit Rama lidhur me kombëtaren shqiptare të futbollit.
“Duhet mbajtur mend e fiksuar mirë se sot budallallëku i një kryeministri kapërceu çdo vrapim me pengesa për të zënë vendin e parë në galerinë e tuhafëve të motos; ç’më duhet mua se çfarë them unë”, ka deklaruar Basha.
Sipas tij, është absurde që “sot Edi Rama shpalli se ai e paska cuar kombetaren ne finalet e europianit”.
“Pa droje fare e bëri të vetën dhe këtë merite, si të qe tender apo konçesion. Po ia plasin gazit i madh e i vogël, paçka se ky qëndrim është i rëndë dhe hedh poshtë mundin, sakrificën, talentin e djemve të kombëtares, të ekipit, stafit drejtues”, ka thënë Basha.
Edhe ata që presin topat pas porte, ka shtuar ai, e dinë çfarë kontributi ka Edi Rama në këtë histori suksesi.
“Po të dëshpëruarit bëjnë deklarata të dëshpëruara. Pasi e ngjiti Shqipërinë në krye të listës europiane të drogës me Tahirin, Shullazin e Habilajt, pasi instaloi korrupsionin në çdo zyrë, pasi e bëri vendin më të inkriminuar në planet, pasi futi skamje e varfëri në popull, e vetë me bandën e hajdutëve kapi majat e luksit, me gjithë këtë bilanc të zi që është drejtpërdrejt puna e vepra e tij, rreket ta vërë emrin te e vetmja gjë e mirë që ka ndodhur dhe thotë se ai e paska dërguar Shqipërinë në Francë 2016”, shprehet Basha.
Sipas tij, ky është vetëm një marifet i dalë boje për të larguar vëmendjen nga plagët e mëdha të shoqërisë.
“Shqiptarët shohin se si ky kumbar ngriti një perandori krimi me Shullazin, me zhvatje, plaçkitje, me eksploziv e armë te koka, ky bërtet reforma. Shqiptarët duan stadium, e jo biznes për mikun e Ramës që bëhet pronar i mijëra metrave në zemër të Tiranes, ky thotë kombetarja. Shqiptarët shohin se si vjedhja qeveritare bëhet çdo ditë me thasë, ky thotë rilindje”, ka ironizuar Basha.
Sa për shijet estetike, ka shtuar ai, këto tashmë i dallojnë qartë të gjithë. “Ato të Ramës nisin te gjirizet e errëta të rrugës së Kavajës, ku kishte zyrat banda e tij e preferuar, e përfundojnë te komisari i jugut që dikush e ka shpallur armik të ujit dhe sapunit”, ka shtuar kreu i PD