Basha uron 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Në këtë përvjetor të 7-të të pavarësisë së Kosovës, kam nderin, krenarinë dhe gëzimin t’i uroj popullit të Kosovës, institucioneve të saj dhe mbarë shqiptarëve kudo ndodhen, Gëzuar Pavarësinë e Kosovës”, shkruan Basha.
Kjo e sotmja, vijon mesazhi i kreut të PD-së, “është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për çdo bashkëkombas në çdo skaj të globit, kudo ku jeton, punon e me dashuri e drithërimë ndjek ecjen e kombit të tij në rrugën e lirisë dhe zhvillimit. Kësaj krenarie e gëzimi sot i bashkohem dhe unë”.
“I bashkohem si një njeri i cili u lind e u rrit me dashurinë dhe dhimbjen për gjysmën e kombit tonë të munduar e të privuar nga liria, i bashkohem si një i ri i cili ndjeu në palcë dëshirën e vëllezërve tanë në Kosovë për liri e pavarësi, i bashkohem si një dëshmitar që përshkoi hapat e pavarësimit të Kosovës, hapa jo të lehtë, mbushur me dhimbje krenari e plot dinjitet. I bashkohem si shtetari që Zoti e bekoi me mundësinë të jetojë e kontribuojë si protagonist në momentin historik të kurorëzimit të atij procesi madhor të pavarësimit. I bashkohem si shtetari që shndërroi në mision të jetës realizimin e një vepre infrastrukturore të pakrahasueshme në dekada e që bashkoi shqiptarët, Udhën e Kombit. I bashkohem këtij gëzimi si mik dhe aleat i të gjithë atyre që kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, në ndërtimin e një Kosove të lirë e demokratike, si pjesë e projektit tonë madhor integrues mes vetes dhe familjes së madhe europiane. I bashkohem këtij gëzimi me premtimin, sot si lider i opozitës shqiptare dhe së afërmi në krye të një shumice qeverisëse, së me çdo forcë demokratike në Kosovë do shndërrojmë në yll polar të politikës e punës sonë, e si pjesë solide e projektit tonë kombëtar, ndërtimin e një Ballkani në paqe, të sigurtë, të zhvilluar dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike”, shkruan Basha.
“Të dashur vëllezer, sot ne së bashku festojmë një arritje të madhe historike për kombin tonë. Une besoj se në këtë ditë, ashtu si në çdo ditë e brez pas brezi, është e vyer të kujtojmë me mirënjohje të sinqertë miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën tonë çlirimtare. Mirënjohje të thellë ndaj SHBA-së, mikut tonë të madh, mirënjohje NATO-s dhe vendeve mike evropiane, mirënjohje qeverive të çdo vendi, që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbësore të një populli, ëndrrën e lirisë”, thekson Basha.
“Me një mesazh zemre dua t’i drejtohem sot çdo qytetari të Kosovës: I dashur vëlla e motër! Deri më sot ne kemi arritur shumë, por rrugëtimi ynë ende s’ka mbaruar, ai shpesh na ballafaqon me vështirësi e të përpjeta, shpeshherë na ligështon e na mundon, por më besoni si vëllain tuaj që mban të njëjtën brengë e frymon të njëjtën shpresë, rruga që kemi zgjedhur është e drejta, është më e qarta, është më e sigurta për të ardhmen tonë si individ e si komb. Ta përshkojmë së bashku këtë rrugëtim, duke u mbështetur në krahë të njëri-tjetrit, me bindjen se po ecim në rrugën e duhur, me bindjen se na mbështesin miq të vërtetë, ta përshkojmë këtë rrugë me forcë e dinjitet, me besimin në Zot dhe në virtytet e kombit tonë. Është rruga e një Kosove më të mirë e një Shqipërie më të mirë, të bashkuar në aspiratën europiane, është rruga drejt të ardhmes sonë të sigurt. Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Zoti i bekoftë shqiptarët anembanë globit”, përfundon mesazhin e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha.