Bashkim Zahaj: Mungesa e kritikës profesionale dhe e analizës po dëmton standardet e festivaleve dhe eventeve artistike
Një sërë eventesh artistike zhvillohen përgjatë vitit në vendin tonë, por herë pas here edhe realizimi i tyre ka qenë pjesë e diskutimeve që ka përfshirë artistë e krijues të ndryshëm. Roli i udhëheqësit artistik në festivalet, koncertet dhe eventet televizive vazhdon të mbetet një nga çështjet, që ngre debat në mënyrën se si organizohen prodhimet artistike te ne. Në praktikë, sipas skenografit Bashkim Zahaj, ky rol shpesh nuk funksionon siç duhet ose nuk ushtron realisht rolin që duhet të ketë në një produksion artistik. Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi Bashkim Zahaj flet për rëndësinë që ka udhëheqësi artistik, por shprehet se në shumë raste mungon kritika profesionale dhe analiza e vërtetë pas eventeve, gjë që ndikon sipas tij edhe në uljen e standardeve dhe në përsëritjen e të njëjtave problematika. Skenografi Bashkim Zahaj edhe më parë ka trajtuar probleme të ndryshme me të cilat përballet arti dhe kultura, duke kërkuar dhe më shumë vlerësim edhe për artistët në aktivitetin e tyre artistik.
Një sërë eventesh artistike zhvillohen përgjatë vitit në vendin tonë, por herë pas here edhe realizimi i tyre ka qenë pjesë e diskutimeve që ka përfshirë artistë e krijues të ndryshëm. Roli i udhëheqësit artistik në festivalet, koncertet dhe eventet televizive vazhdon të mbetet një nga çështjet, që ngre debat në mënyrën se si organizohen prodhimet artistike te ne. Në praktikë, sipas skenografit Bashkim Zahaj, ky rol shpesh nuk funksionon siç duhet ose nuk ushtron realisht rolin që duhet të ketë në një produksion artistik. Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi Bashkim Zahaj flet për rëndësinë që ka udhëheqësi artistik, por shprehet se në shumë raste mungon kritika profesionale dhe analiza e vërtetë pas eventeve, gjë që ndikon sipas tij edhe në uljen e standardeve dhe në përsëritjen e të njëjtave problematika. Skenografi Bashkim Zahaj edhe më parë ka trajtuar probleme të ndryshme me të cilat përballet arti dhe kultura, duke kërkuar dhe më shumë vlerësim edhe për artistët në aktivitetin e tyre artistik.
– Ju e përshkruani udhëheqësin artistik si një “dirigjent” të gjithë komponentëve. Çfarë e dallon realisht këtë rol nga regjisori apo drejtuesi muzikor?
Në një shfaqje muzikore, festival, koncert apo recital muzikor, keni dëgjuar për “udhëheqësin artistik”, ai nëpër duart e të cilit kalon i gjithë materiali artistik që përbën show-n, pra skenari, skenografia, muzika, kamera, drejtori i fotografisë dhe regjisori. Si të thuash, ai është personi që “di gjithçka” rreth tyre në mënyrë didaktike, kulturore dhe profesionale. Është një rol i veçantë. Po a ekziston ky funksion te ne? Jo. Thënë ndryshe, në dorë të tij është i gjithë spektakli. Bota jashtë këtë lloj “tipi” e ka të konsoliduar prej kohësh. Zhvillimi i artit ka ofruar edhe “profesione” të tilla, ashtu si edhe kritikën e artit.
Udhëheqësi artistik në këto evente nuk është as muzikant, as skenarist, as regjisor, etj. Pra, ne vazhdojmë të gabojmë në këtë fushë. Prej vitesh, këtë detyrë e kryen muzikanti (ndoshta regjia do të kishte më shumë sens), me idenë se bëhet fjalë për muzikë. Kjo nuk ka lidhje, pasi në grupin që ngre “udhëheqësi artistik” është i përfshirë edhe eksperti muzikor, ashtu siç përfshihen edhe kategoritë e tjera në spektakël. Vazhdon të veprohet gabim duke i dhënë muzikantit atribute që janë jashtë kompetencave të tij profesionale, duke ndërhyrë në arte jashtë fushës së vet. “Udhëheqësi artistik” është një lloj “dirigjenti”, një lloj “guzhinieri” që bashkon komponentët e artit në pavarësinë e tyre krijuese, jo sunduese mbi të cilat ngre artin e tij. Ndoshta një ditë do të ndryshojmë.
-Ku i shihni konkretisht problemet më të mëdha sot në rolin e udhëheqësit artistik?
Problemi qëndron në faktin se, në shumë raste, ky rol nuk ushtrohet realisht si i tillë, por caktohet mbi bazë njohjesh apo interesash. Për pasojë publiku nuk merr maksimumin mbi njohjen e tij, por hera -herës shumë më poshtë nga sa janë njohjet në publik mbi artin. Patjetër një profesion si regjisori apo shoë-men me përvojë të gjatë në evente ( pra me rezultate konkrete pozitive) mund të bënte fare mirë “udhëheqësin artistik” të eventit. Sigurisht edhe individë në fushën e muzikës, por që kanë një ngritje profesionale dhe kulturore mbi artet e tjera psh. z. Zhani Ciko e ka luajtur këtë rol disa herë dhe vërtetë për sa them më sipër në eventet, ku unë kam marrë pjesë ai ishte “i pa kapercyeshëm” në kërkesat maksimale dhe vizionin që jepte për festivalin në të gjitha gjinitë, skenografinë, regjinë, kostumet, ndriçimin, skenarin, etj.
– Ju herë pas here keni shprehur probleme. Por a mendoni se kemi një keqkuptim të përgjithshëm për këtë rol në industrinë tonë?
Duke mos pasur kritikë, debat dhe analiza pas produksionit, ku figura të rëndësishme të artit të japin mendimin e tyre, këto evente “kalojnë klasën pa u hyrë gjemb në këmbë”, pra pa analiza konkrete mbi produktin e tyre. Si pasojë, ato vazhdojnë me kontrata katërvjeçare. Është e vërtetë që kjo mënyrë ndodh edhe në Europë, por ne nuk kemi asnjë lidhje me standardet dhe modelet europiane. A mundet që një gazetare apo këngëtare, një kompozitor apo skenarist, me arsim të kufizuar vetëm në profilin e tyre, të vendosin për zhanre të tjera arti?
-Sipas jush, si duhet të ndërtohet një ekip i drejtuar nga një udhëheqës artistik?
Në këto kushte dhe rrethana ku ndodhemi, zgjidhja duhet të ishte ndryshe. Duhet të ishte një “drejtor artistik”, punonjës institucional nga ku do të zhvillohet eventi, i cili merr vendimmarrje në mënyrë kolegjiale (mbi të cilin rëndon suksesi ose dështimi). Paralelisht, duhet të jetë një administrator që ruan ekuilibrat, ose institucioni mund të përdorë nëndrejtorin që zakonisht përgjigjet për anën artistike të programeve. Pra, bëhet fjalë për një drejtues të një stafi që përzgjidhet me konkurs. Konkurrohet për regjisorin; ai përcakton platformën mbi të cilën do të ndërtohet modeli i skenografisë, skenari, kostumet, ndriçimi etj. Specialisti i muzikës mbetet pjesë e stafit brenda kërkesave të tij rigoroze profesionale, orkestra, fonia, këngëtarët, por deri në këtë pikë, pa u shtrirë përtej kompetencave të veta. Mund të konkurrojnë disa skenografë dhe përzgjidhet ai që plotëson më mirë kërkesat e platformës regjisoriale. E njëjta gjë vlen edhe për elementet e tjera të ekipit. Në këtë mënyrë ndërpriten “tarafet” dhe interesat korruptive. Nuk duhet harruar se televizioni është imazh.
-Në përvojën tuaj personale, çfarë nuk funksionon si duhet në organizimin e festivaleve dhe eventeve?
Drejtuesit shpesh i druhen dhe i shmangen përballjeve me artistë të fushës. Përzgjedhin “ata-ata” për të qenë në rregull (si e keqja më e vogël), vetëm për të ruajtur vendin e punës. Asnjëherë nuk ka ndodhur dorëheqje për shkak të mosplotësimit të platformës që kandidati për drejtor ka paraqitur, në institucionet e artit. Një personalitet i vërtetë i fushës mbron moralin dhe dinjitetin pikërisht kur kushtet e ofruara nuk i japin mundësi zhvillimi dhe realizimi platformës së tij. Kushdo mund ta bëjë këtë, nëse është vërtet profesionist. Diletantizmit shpesh i mungon autorësia. Shpesh thuhet se “nuk patëm fonde”, por kur nuk ke fonde dhe as përpiqesh t’i sigurosh ato, si mund të realizosh programin tënd? Mjafton të shohësh çfarë ndodh me 10 kanalet e RTSH-së, qesharake. Financë e çuar dëm dhe një megallomani që duket se nuk ka fund. Hermetizëm me nuanca injorance. Asnjë event artistik, sado i mirë të synojë të jetë, nuk realizohet duke mbyllur dyert. Kjo metodë prej vitesh është kthyer në “praktikë” në institucionet e artit, e mbështetur në mendësinë se një artist i vjetër “ka kaluar kohën”. Ky koncept vërteton pikërisht të atë, që kjo administratë nuk kupton për artin. Nuk ka artistë të vjetër dhe të rinj, por artistë të aftë dhe të paaftë.
-Ju jeni marrë me festivale si skenograf ndër vite, koncerte dhe aktivitete të tjera. Si ka ndryshuar roli i udhëheqësit artistik nga e kaluara deri sot, në mënyrën e organizimit të punës?
Në eksperiencën time, në të gjitha festivalet, por edhe në evente të tjera në privat, udhëheqësi artistik ka qenë drejtuesi në shtet dhe pronari i medias në privat. Të kuptohemi këtu nuk po flasim për nivelin e tyre në këtë fushë, por për përgjegjësinë administrative, institucionale apo private. Festivalet përcaktoheshin në linjën e tyre pikërisht nga kërkesat që vinin nga drejtuesi dhe më pas “piramida” zgjerohej me të gjithë komponentët e tjerë. Sot, në emër të një lloj “lirie”, drejtuesi shpesh i ngre supet dhe thotë: “e di udhëheqësi artistik” ose “nuk vendos unë”. Sigurisht kjo është shmangie nga përgjegjësitë dhe lënia e “kopilit” te dera e tjetrit. Kjo hap shteg për të gjitha abuzimet. Ne krijonim stafe pikërisht nën kontrollin e plotë të drejtuesit të institucionit, si përgjegjësi kryesor i eventit. Kjo sillte seriozitet në përzgjedhje, realizim, financë dhe marrëdhënie brenda stafit, deri në shfaqjen finale, pa harruar edhe post-produksionin. Ishte, si të thuash, një provim i madh, ku ose “kaloje” dhe vazhdoje, ose “ngelje” dhe askush nuk të kërkonte më. Kjo formulë krijoi shumë nga emrat e njohur të artit televiziv, si O. Mula, A. Minga, M. Shanaj, V. Grabocka, P. Kuke, Zh. Ciko e shumë të tjerë. Ishte pikërisht ky kontribut që ngriti nga themelet dhe zhvilloi median private në Shqipëri.
Intervistoi: Julia Vrapi



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.