BBC: Lindja e Mesme mes negociatave dhe përshkallëzimit ushtarak
Një armëpushim dyjavor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mbetet në fuqi, ndërsa në kufirin mes Izraelit dhe Hezbollah vazhdojnë shkëmbimet e zjarrit, sipas BBC.
Paralelisht, janë hapur kanale bisedimesh në të dyja frontet me synimin për të ulur tensionet dhe për të avancuar drejt paqes.
Bisedimet SHBA–Iran
Një raund bisedimesh prej 21 orësh mes Uashingtonit dhe Teheranit, i ndërmjetësuar nga Pakistani, përfundoi të dielën pa një progres konkret drejt përfundimit të konfliktit.
Presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohet dje se negociatat mund të rifillojnë “brenda dy ditësh”, ndërsa pala iraniane deklaroi se “nuk ka informacion” për një takim pasues.
Sipas burimeve, SHBA-ja dhe Irani po diskutojnë për një raund të dytë negociatash, por ende nuk është caktuar një datë.
Teherani konfirmoi se komunikimet me Uashingtonin po vazhdojnë përmes ndërmjetësimit pakistanez.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se janë në zhvillim edhe bisedimet për zgjatjen e armëpushimit aktual.
Po ashtu, një delegacion nga Pakistani ka mbërritur në kryeqytetin iranian, Teheran, për të vijuar përpjekjet ndërmjetësuese.
Bisedimet Izrael–Liban
Një takim mes ambasadorëve të Izraelit dhe Libanit u zhvillua dje në Uashington, SHBA.
Palët ranë dakord të nisin negociata “të drejtpërdrejta”. Ambasadori libanez i cilësoi bisedimet “produktive”, ndërsa homologu izraelit theksoi se ato tregojnë se SHBA-ja, Libani dhe Izraeli janë “në të njëjtën anë të ekuacionit”.
Megjithatë, gjatë zhvillimit të bisedimeve, Izraeli dhe Hezbollahu vijuan sulmet reciproke.
Izraeli deklaroi më herët se armëpushimi nuk përfshin operacionet e tij në Liban.
Një delegacion pakistanez mbërrin në Teheran
Një delegacion i nivelit të lartë nga Pakistani, përfshirë shefin e ushtrisë Asim Munir dhe ministrin e Brendshëm Mohsin Naqvi, ka mbërritur në Teheran.
Sipas burimeve pakistaneze, delegacioni pritet të përcjellë mesazhe nga SHBA-ja dhe të përgatisë një raund të ri bisedimesh, pasi takimi i parë në Islamabad fundjavën e kaluar nuk rezultoi me një marrëveshje.
Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Muhammad Shehbaz Sharif ndodhet në Xheda, Arabia Saudite, për konsultime mbi situatën rajonale.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni duket i vendosur të mbajë në fuqi bllokadën detare ndaj Iranit deri në arritjen e një marrëveshjeje të besueshme nga ana e Teheranit. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.