Berisha: Pro-amerikanizmi i Ramës është veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, krimet dhe drogën
Kreu i PD, Sali Berisha në protestën e mbajtur nga qytetarët kundër vendimit për arrestimin politik të tij u shpreh se me 20 shkurt është dita e qytetarëve, është dita e triumfit të qytetarëve, është dita e ndëshkimit të Rilindjes për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë.
Berisha më tej shtoi se mos harroni se pro-europeizmi i tyre, pro-amerikanizmi i tyre nuk është gjë tjetër veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, për të mbuluar krimet, për të mbuluar drogën.
Fjala:
Nuk jemi njëlloj sepse vërtet gjatë qeverisjes së PD kishte korrupsion, kishte defekte dhe të meta, por nuk kishte kurrë djegësa, sterilizatorë, porti i Durrësit, Butrint, jo, jo, as nuk mund të imagjinoheshin.
Miqtë e mi, me 20 shkurt është dita e qytetarëve, është dita e triumfit të qytetarëve, është dita e ndëshkimit të Rilindjes për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë.
Mos harroni se pro-europeizmi i tyre, pro-amerikanizmi i tyre nuk është gjë tjetër veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, për të mbuluar krimet, për të mbuluar drogën.
Pa diskutim drejtësia kishte defekte dhe të metat e saj. Por më thoni ju mua, cilin amnistoi? Po në qoftë se thoni amnistoi një njeri, çfarë bëri Skapi i partisë që vendos në arrest kreun e opozitës për 410 metër katrorë tokë të trashëguar nga familja e dhëndrit të tij?
Asgjë nuk ekziston, një drejtësi sot e kontrolluar nga xhepi, e korruptuar kokë e këmbë. Një drejtësi vegël e verbër në duart e një klike hajdutësh, një organizatë e vërtetë kriminale me Dumanë, Krajë dhe kompani.
20 shkurti është dita e drejtësisë qytetare, është dita e triumfit qytetar, është dita e fitores.
Ndaj dhe ju bëj thirrje miqtë e mi, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, iu bëj thirrje emigracionit, diasporës, në 20 shkurt të vërshojmë në Tiranë.
Më 20 shkurt të bashkohemi në Tiranë. Të bashkohemi kundër kësaj tiranie, që ka përmbysur votën, ka përmbysur Kushtetutën, ka përmbysur të drejtat. Shkelmon liritë e qytetarëve, grabit pasuritë, grabit xhepat e qytetarëve, grabit pasuritë publike.
Ky është regjimi më i shëmtuar që Shqipëria ka njohur në historinë e vet. Ka njohur diktaturë më të egër, por asgjë nuk e shkretoi këtë vend sa diktatura e bandave të Edi Ramës.
Më 20 shkurt të gjithë në shesh, edhe për ata 1 milion shqiptarë që morën rrugët e dheut.
Edhe njëherë, u përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje.
Ta shndërrojmë 20 shkurtin në ditën e fitores sonë, ditën e dinjitetit të shqiptarëve, ditën e rivendosjes së pluralizmit, ditën e lebetitjes së banditëve qeveritarë, organizatave kriminale me pushtet, ditën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.