Berisha: ‘Neni Basha’ nuk ka pse të preket, Edi Rama nuk bën zgjedhje, por farsa elektorale
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se neni 46/8 i statutit të PD, nuk ka pse të ndryshohet. Ai kritikoi qeverinë e Edi Rama, duke thënë se zgjedhjet e saj nuk janë të lira, por një farsë elektorale.
Berisha shtoi se ndryshimet statutore janë normale para çdo Kuvendi dhe se humbja e zgjedhjeve në kushte demokratike do të kërkonte largimin e kryetarit, por sipas tij, në Shqipëri zgjedhjet nuk lejojnë rotacionin e pushtetit për shkak të ndikimit të krimit të organizuar.
Ai mohoi gjithashtu spekulimet se kandidimi i tij për kryetar “vret” Rithemelimin e PD-së, duke e cilësuar këtë si propagandë të qeverisë.
FJALA E BERISHËS:
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ka një grup pune me 10 anëtarë me në krye Gazment Bardhin për të parë ndryshime te mundshme statusore në Kuvendin e 6 qershorit. A do jetë një prej neneve që do ndryshojë neni 46/8, i ashtuquajturi nga ju ‘neni Basha’?
Sali Berisha: Ai nen nuk ka pse të pësojë asnjë ndryshim.
Ai bën fjalë për zgjedhje. Dhe unë edhe njëherë mund t’u them, në radhë të parë ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Në çdo Kuvend ka propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato.
Njëra anë.
Ana tjetër, ai nen nuk ka pse të ndryshojë se ai thotë zgjedhje dhe zgjedhjet kanë një gjë, nuk janë vetëm një… vlerësimi i tyre nuk është vetëm kombëtar, vlerësimi i tyre është edhe ndërkombëtar.
U jap një shembull ju. Zgjedhjet e vitit 2009 u vlerësuan, thuhet në raport se këto zgjedhje plotësuan kriteret kryesore ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe kjo ishte merita e tyre.
Kurse po të jap dy konkluzione, Këshilli i Europës u shpreh se në këto zgjedhje në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton. Zgjedhjet janë pra në kushtet e partisë shtet, çka nuk bëhet më fjalë për zgjedhje, por për farsë.
Apo në Parlamentin Europian, kryetari i delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet konkludoi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Atëherë pra nuk ishin zgjedhje, ishin farsë.
Kështu që ky nen, mendoj unë, nuk duhet të preket.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Po nëse grupi i punës e sugjeron ndryshimin?
Sali Berisha: Nuk besoj që sugjeron asnjë ndryshim sepse ne jemi në të njëjtin koncept.
Aty janë bërë propozime të tjera, kurse ky nen është shumë normal.
Humbja e zgjedhjeve në kushtet e zgjedhjeve që respektojnë standardet ndërkombëtare, absolutisht ai që drejton duhet të largohet.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Dua të huazoj edhe një pyetje që është bërë nga kolegët pas vendimit të kryesisë që kanë pohuar se garimi juaj sërish për kryetar të PD e ka vdekur Rithemelimin. A vdiq Rithemelimi që në vitin 2021?
Sali Berisha: Kush e thotë këtë?
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Janë disa analistë…
Sali Berisha: I marrin nga zyra e Edi Ramës. Përkundrazi. Po këtë e përhap Edi Rama. Zyra e tij i përhap, që po kandidoi rithemeluesi, rithemelimi vdes. Po ka absurditet më të madh mbi tokë.
Sikundër u thotë, zgjedhjet thotë, po dha dorëheqjen Sali Berisha, zgjedhjet nuk fitohen. Por me Sali Berishën, zgjedhjet nuk fitohen. Mund të dëgjoni ju marrëzira të tilla?
I hap të gjitha zyra e tij.
Pse i hap? Çfarë fiton ai me këtë? Fiton se në një frazë fut dy herë fjalën zgjedhje për të ngulitur mendjen tek të tjerët se ky bën zgjedhje.
Ky nuk bën zgjedhje, ky bën farsë elektorale.
E kupton?
Janë që të gjitha, bëhet një betejë midis atyre që besojnë në votën e lirë dhe që e konsiderojnë votën e lirë kushtin më themelor të demokracisë dhe atyre që shpërblehen nga Edi Rama dhe që janë tellall të farsës elektorale.
Pra nuk janë kolegët e mi këta, asnjë prej tyre nuk e thotë këtë se ata kanë të njëjtin koncept.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.