Berishës i duket SHBA ‘lavatriçe’ që flet në emër të Trump pas kthimit?!
Nga Jakin Marena
Kreu i PD është kthyer nga vizita ‘inkonjito’ në SHBA shumë i ekzaltuar dhe shumë agresiv, përsa i përket qëndrimeve të tij kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, por dhe ndaj atyre të cilët sipas tij, i kishin bërë keq, duke lobuar për ta shpallur ‘non grata’ në Amerikë!
Me një fjalor ku dalloheshin me qartë dhe me ‘sy të lirë’ tonet e larta hakmarrëse, ndjenjë të cilën ka tentuar t’ia transmetojë ithtarëve të tij por dhe publikut shqiptar, duke e paraqitur vizitën e tij si ‘majën e suksesit’ por dhe duke u përpjekur që të krijojë bindjen se të gjithë ata që kanë lobuar kundër tij, duke e lënë pa shkelur në Amerikë për 5 vite me radhë, përkatësisht McGonigal, Yuri Kim e Anthoni Blinken aktualisht janë shpallur të padëshiruar nga SHBA.
Duke qenë gjithnjë kontradiktor në vetëveten me fjalët që thotë, kontradiktat e tij janë në kufijtë kohorë madje dhe të një ore, pasi çfarë thotë tani e mohon pak më pas, Berisha deklaroi para publikut shqiptar se nuk ka qenë kurrë ‘non grata’. Njëherësh nënvizoi dy sekonda më pas se persekutorët e tij, ata që sipas tij e kanë shpallur non grata, janë sot të padëshiruar nga SHBA-të.
“McGonigal mori vite burg, Yuri Kim është jashtë shërbimit diplomatik, Anthony Blinken është i padëshiruar në vendin e tij. Edi Rama ndodhet në rrotullisjen e tij të madhe, Lulzim Basha është mbyllur me brava tani. Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Bazuar në konventën e Vjenës, disa shtete kanë të drejtë që disa politikanë mund të shpallen të padëshirueshëm. Ndalimi i vizës time nuk kishte asnjë lidhje me këtë gjë. S’kam qenë kurrë non grata. Sipas ligjit amerikan, unë jam thjesht një njeri me vizë të ndaluar. Sekretari Rubio më hoqi ndalimin e vizës. Nuk kam qenë kurrë non grata, kjo është e vërteta”, deklaroi disa herë Berisha para mediave!
Nëse i referohemi deklaratave të Berishës, atëherë është e drejtë legjitime të pyesim, atëherë pse ai e akuzon Ramën dhe zyrtarët amerikanë, me në krye ish sekretarin e DASH, Blinken, se i kanë bërë gjëmën për ta shpallur atë non grata! S’paska qenë non grata, thjeshtë paska qenë një ndalim vize sipas tij, dhe, referuar akuzave të Berishës ndaj Ramës, kryeministri shqiptar, paska paguar kot mijëra dollarë për ‘ta sanksionuar deputetin Sali Berisha’. Themi deputetin, sepse në ato kohë kryetar i PD ishte Lulzim Basha, ndërsa Berisha e rrëzoi dhe e dëboi nga partia Lulin e ngratë, për t’u bërë vetë kryetar partie i persekutuar e për t’u mbrojtur për shpalljen non grata, me mandatin e kryetarit të opozitës! Bashën e akuzoi tepër rëndë në vijim, e paska pasur kot!
Mbi të gjitha, pse Berisha pagoi mbi 10 milionë dollarë për të hequr non gratën në SHBA, ndërsa kishte sipas tij, vetëm një ndalim vize?! A nuk po ‘ratifikon’ Berisha akuzat në Shqipëri se ka paguar miliona dollarë për një vizë në këtë rast, për të udhëtuar me ‘biletën e florinjtë drejt SHBA?! Janë shumë pagesat mbi 10 milionë dollarë për një vizë me qëndrim 7 ditor në Amerikë, për të takuar bashkëfshatarët e vet nga Tropoja e më gjerë, nëpër restorante e klube!!
Për hir të së vërtetës, Berisha flet për të tijtë, pasi sanksionimi vijon të qëndrojë ‘solid dhe madhështor’ në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit! Pasi viza ka qenë thjeshtë e vetëm e kufizuar për kërkesën që ka bërë Berisha, njësoj sikurse e kanë shfrytëzuar këtë klauzolë dhe lideri i ndjerë i Kubës, Fidel Kastro e të sanksionuarit e tjerë nëpër botë, nga qeveria amerikane!
Por nuk ndalet këtu kreu i PD, i cili në përpjekje për të bindur njerëzit që i kanë mbetur në mbështetje pas disa ndarjeve dhe rrënimit të partisë. Berisha po bën sikur ngryset e gdhihet me presidentin Trump dhe sekretarin Rubio! Madje ‘bën’ dhe zëdhënësin e tyre, në lidhje me qasjen që do të ketë SHBA, sipas tij, ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti, a thua Berisha ‘non grata’ është caktuar si pikë kontakti nga Uashingtoni jo vetëm për Tiranën por për të rajonin! Si non grata funksional në SHBA, themi!
E themi këtë pasi, teksa kreu i PD e paralelizoi këtë udhëtim me vizitën e tij historike të 35 viteve më parë, duke theksuar se misioni i tij qendror mbetet përmbysja e regjimit autoritar që ka kapur Shqipërinë, ai tha se kishte marrë mbështetje të madhe në SHBA për rrëzimin e Edi Ramës.
“Në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg, dhe po të doni thoni vite dritë larg udhëtimit tim të parë, i kishte tre ngjashmëri me të. Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim, unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare në vend. Së dyti, në atë udhëtim e në këtë udhëtim unë shkova me një qëllim kryesor, të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës sonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, dhe kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, është shprehur Berisha para mediave! Sipas tij, Edi Rama u tmerrua nga kjo vizitë, ndaj i hodhi të gjitha mediat kundër tij!
E thënë më thjeshtë, Berisha po sillet sikur në SHBA ka marrë në ‘dorë’ mandatin e qeverisjes së vendit, anipse ishte në një vizitë ku nuk takoi asnjë zyrtar amerikan, kongresmen apo senator, me të cilin të ketë ndërruar ndonjë muhabet, por vetëm realizoi shtrëngime duarsh nëpër korridore me ndihmën e Mediut, pavarësisht se ai që kishte përballë, as që e dinte se kë kishte takuar! Ndaj themi se nuk e dimë ku e mori këtë garanci Berisha për të folur në emër të SHBA për zhvillimet në Shqipëri, rrëzimin e qeverisë dhe mbi të gjitha për të marrë guximin që të bëjë zëdhënësin e Trump dhe Rubios dhe të sillet sikur është ‘paradhoma’ e presidentit amerikan!
Për hir të së vërtetës në këtë moshë gjithkush guxon për gjithçka, pasi s’të ka njeri në referencë, e nuk të merr njeri seriozisht! Por që të paraqesësh një vizitë të personalizuar për sëmundje apo pjesëmarrje në një aktivitet, të blerë me miliona dollarë madje, pa mundur të heqë non gratën në faqen e DASH, si një vizitë që përfundimisht i ka ‘larë’ të gjitha mëkatet, vetëm Berisha mund ta bëjë pa iu dridhur qerpiku! I duket SHBA një ‘lavatriçe’, ku mjafton që të udhëtosh në atë vend dhe të pastrohen me themel mëkatet! Ai e paraqet situatën sikur ka kaluar në ‘purgatorin’ politik në SHBA dhe ka dalë matanë me mëkate të pastruara përfundimisht! E në Purgator pastrohen mëkatet, pavarësisht se pasi kalon purgatorin, nuk ka kthim prapa, por shkohet në amëshim si i pastruar! Në rastin e Berishës në amëshimin politik, se atë biologjik larg qoftë! Nuk ia urojmë asnjëherë!
Që të mos krijojmë keqkuptime për Purgatorin po e shpjegojmë sipas literaturës! “Purgatori (nga lat. Purgatorium-pastrim) sipas doktrinës së kishës katolike, është një gjendje e nevojshme por e dhimbshme e pastrimit nëpër të cilin duhet të kalojnë ata shpirtra të njerëzve të vdekur (Berisha, i vdekur politikisht), që megjithëse janë në “Hirin e Perëndisë në çastin e vdekjes (politike në rastin e Berishës), nuk janë të pastër, por atyre u është siguruar shpëtimi i amshuar dhe hyrja në parajsë pas pastrimit. Ata duhet të vuajnë për të shpërblyer Drejtësinë Hyjnore, që të hyjnë në parajsë dhe të shijojnë praninë e fytyrës së Perëndisë. Purgatori s’është një ndëshkim hyjnor mizor: përkundrazi, ai është fryt i dashurisë së pafundme të Perëndisë. Në purgator vuajtja qëndron në atë, që i vdekuri (politik në rastin e Berishës) në të vërtetë e ndjen praninë dhe dashurinë e përkryer të Perëndisë, por për shkak të mëkateve të tij nuk ndihet i denjë për këtë dashuri. Pikërisht kjo shkakton dhimbjen e madhe – shpirti pastrohet nga faji i tij i fundit nëpërmjet pendesës së tij”.
Për hir të së vërtetës, Berisha me vizitën në SHBA, s’ka arritur të ‘pastrohet’ as në “Purgatorin” politik, duke mbetur sërish non grata funksional, dhe për më tepër, pa asnjë mundësi politike dhe mbështetjeje nga jashtë për të sjellë opozitën në pushtet! E cila me sa duket, pavarësisht se është e pafajshme në llojin e saj, me të vetmin ‘faj’ që ndjek një të vdekur politikisht, po udhëton me shpejtësi bashkë me Berishën, drejt amëshimit politik! Eshtë e pamundur që me një vizitë të paguar shtrenjtë me miliona dollarë, të falen mëkatet e Berishës! Janë mëkate të mëdha, që nga korrupsioni madhor, përfshirë dhe korrupsionin e përgjakshëm me 26 viktimat e “Gërdecit’ dhe 4 të vrarët e ‘21 janarit’, me minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë shqiptare.
Nuk ka asgjë që i bën derman Berishës, të kuptohemi! Këtu do të jemi! Verifikimi do të bëhet brenda pak muajsh, në maj të vitit të ardhshëm, kur opozita të humbasë rëndë në zgjedhjet për pushtetin vendor! Pra akoma më keq përballë PS, të drejtuar nga Rama. Nuk do të presim shumë kohë për ta përjetuar këtë humbje të opozitës, pararendëse e humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029, po përballë PS dhe Edi Ramës!
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.