Ekonomia

Bien interesat e depozitave, rriten për kredinë në lekë

Për muajin maj interesi për depozitat me afat 1-vjeçar zbriti në 1.94%. Fitimet e bankave, 4.9 mld lekë

Interesat bankareBanka e Shqipërisë (BSH) me politikën e saj të normës së ulët të interesave, synon rritjen e konsumit, rritjen e kredidhënies dhe dekurajimin e depozituesve të parave. Dhe në fakt, ia ka arritur që të ulë kaq shumë interesat e depozitave, sa nuk ia vlen të vendosësh kursimet në banka. Por, edhe për të marrë kredi, për momentin, klientët nuk janë të joshur.

Depozitat

Interesat e depozitave janë ulur gjatë muajit maj 2014, në një nivel ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë. Norma mesatare e kthimit të kursimeve 12-mujore zbriti në 1.94%, nga 2.21% që ishte në prill, sipas të dhënave statistikore mujore të BSH-së. Që prej më se një viti, interesat e depozitave në lekë po zbresin, në bazë të politikës monetare lehtësuese të BSH-së, që ka ulur 10 herë normën bazë që nga mesi i vitit 2011, duke zbritur aktualisht në 2.5%, nga 5.25% në atë periudhë.

Por kostoja e kredive, me gjithë inkurajimin publik që u ka bërë guvernatori Fullani bankave, ka zbritur shumë ngadalë.

Kreditë

Interesi mesatar i ponderuar i kredisë në lekë në muajin maj u rrit në 9.41%, nga 8.88% në prill. Si rrjedhojë është rritur edhe diferenca e interesave mes kredisë dhe depozitave. Ndërkaq, kredidhënia duhej të lehtësohej edhe nga një faktor tjetër që u ndihmua nga BSH dhe qeveria, fshirja e një pjese të kredive të këqija. Sipas të dhënave të përgjithshme për sistemin bankar të afruara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i sistemit bankar është mbi pesë herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Është pikërisht stabilizimi i kredive me probleme që ka shtuar fitimin. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, për muajin maj shkalla e kredive me probleme ishte 23.9%, në rritje nga niveli 23.8% i prillit. Pozicionimi i kredive me probleme prej shumë muajsh pranë nivelit të 24%, ka ulur barrën e tyre mbi bankat, për shkak të krijimit të më pak fondeve rezervë për të mbuluar humbje të mundshme. Sistemi bankar e mbylli pesëmujorin e këtij viti me një fitim të lartë prej 4.9 miliardë lekësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button