Bilanci zyrtar i zjarrit në Himarë: Prefektura e Vlorës: 5 banesa të djegura, 36 persona të evakuuar
Prefektura e Vlorës ka bërë bilancin zyrtar të zjarrit që përfshiu zonën e Potamit, në lagjen “1 Maj” të Himarës, duke dhënë të dhënat mbi dëmet e shkaktuara, personat e evakuuar dhe ndërhyrjen për shuarjen e flakëve.
Sipas Prefekturës së Vlorës, zjarri ka rënë më 4 shtator, rreth orës 19:20, në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte, ndërsa është shuar plotësisht më 5 shtator, rreth orës 16:30.
Si pasojë e zjarrit janë djegur 2 banesa të banuara dhe 3 banesa të pabanuara, si dhe një sipërfaqe e konsiderueshme me ullinj. Gjithashtu, janë dëmtuar linjat e furnizimit me energji elektrike dhe ujë.
Përkohësisht janë evakuuar 36 persona, ndërsa një shtetase është asfiksuar nga tymi. Ajo ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas ka dalë nga spitali.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar Forcat e Armatosura, MZSH, Policia, shërbimi zjarrfikës, strukturat bashkiake, vullnetarë dhe shërbime të tjera mbështetëse, me një numër të konsiderueshëm forcash dhe mjetesh, përfshirë edhe dy helikopterë Cougar.
Sipas të dhënave të Prefekturës, shkaku i zjarrit dyshohet të jetë i qëllimshëm. Për ngjarjen janë shoqëruar 3 shtetas, të dyshuar për zjarrvënie.
Ndërkohë, pas ndërhyrjes së ekipeve të OSHEE Vlorë dhe SHAUK Vlorë, gjatë orëve të pasdites është rikthyer furnizimi me energji elektrike dhe ujë për abonentët e prekur.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.