Ekonomia

Bilateralet Shqipëri-BE për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, AMF organizon takimin përgatitor

Takimi u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, në cilësinë e negociatorit të kapitullit 9 dhe në të ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të tjera përgjegjëse, Banka e Shqipërisë (BSH), Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), si edhe ekspertë nga vendet e rajonit, të angazhuar me negociatat,

Anëtarët e grupit negociator paraqitën prezantimet kryesore që do të realizohen përpara ekspertëve të Komisionit Evropian në Takimin Bilateral më 13-14 shkurt 2023 në Bruksel, sa i përket shkallës së përafrimit të kuadrit ligjor që rregullon tregjet financiare në Shqipëri me legjislacionin dhe Direktivat Evropiane, sipas njoftimit zyrtar të AMF.

Acquis në kapitullin 9 përfshin shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve private vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të letrave me vlerë.

Komisioni Evropian, në Progres Raportin për Shqipërinë, publikuar në tetor të vitit të kaluar, vlerëson përparimin e bërë me përafrimin ligjor e rregullator me acquis të BE-së dhe praktikat mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në konstatimet e kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, ku Autoriteti është institucioni lider, raporti nënvizon se “është bërë progres me sigurimet e detyrueshme dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

Edhe Progres Raporti i vitit 2021 vlerësonte progresin e bërë në kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në veçanti përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit në mars të vitit 2021, si edhe masat e marra nga Autoriteti për garantimin e stabilitetit financiar të tregjeve nën mbikëqyrje gjatë periudhës së pandemisë.

Në 7 tetor 2022, AMF kryesoi delegacionin shqiptar që mori pjesë në takimet shpjeguese për kapitullin 9 të negociatave “Shërbimet financiare”, organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian. Në këtë takim, ekspertët e Komisionit Evropian bënë një prezantim të direktivave dhe kërkesave që duhet të plotësojë Shqipëria për kapitullin 9. Në nëntor të vitit të kaluar, AMF në bashkëpunim me GIZ organizoi një workshop me pjesëmarrësit e Takimit Bilateral për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në kuadër të përgatitjeve për prezantimet që do realizohen në 13-14 shkurt 2023 në Bruksel.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button