Blenë vizat për 3500 euro, në kërkim 2 xhihadistët shqiptarë
Itali
Skandali prek edhe ambasadën italiane në Kosovë
Në territorin italian kanë hyrë me viza të rregullta tre shqiptarë nga Kosova. Mediat italiane kanë raportuar se kjo gjë është bërë e mundur falë një skeme korruptive që ka përfshirë ambasadën italiane në Prishtinë dhe vetë të birin e Ibrahim Rugovës, Ukë Rrugova. Mësohet se njëri nga tre xhihadistët raportohet se kohë më parë ka hedhur veten në erë në një atentat terrorist në Irak, kurse fati i dy të tjerëve ende nuk dihet, nëse ende ndodhen në territorin e vendit. Ngjarja konsiderohet po nga këto media edhe më e rëndë, pasi i implikuar është dhe ish-konsulli i ambasadës italiane në Prishtinë, i cili sipas hetimeve të para të EULEX dhe të autoriteteve italiane, kishte ngritur një skemë korruptive që pajiste shtetas të ndryshëm kosovarë me viza për 3500 euro. Hetimet kanë kohë që kanë nisur për këtë ngjarje por, duke u bazuar në ndjeshmërinë e lartë që ka tema në muajt e fundit, autoritetet italiane i kanë mbajtur të fshehta. Konsulli në fjalë ishte dëbuar nga posti i tij sapo u konstatuan shkeljet, ndërsa ambasadori italian në Kosovë, Louis Michael Giffoni, që për momentin nuk rezulton të jetë nën hetim, muaj më parë u detyrua të kthehej në vendin e tij dhe të linte postin diplomatik në Prishtinë. Sipas mediave italiane, vizat ishin në shitje kundrejt pagesës 3500 euro në ambasadën italiane në Prishtinë. Pasi u zbulua një pjesë e ngjarjes-skandal që përfshin 360 gradë institucione dhe personazhe, mediat italiane ngrenë, pyetjen nëse janë vetëm tre xhihadistët që kanë hyrë rregullisht në territorin italian.
Gazeta “La Repubblica” ka zbardhur detaje të hollësishme mbi skandalin e vizave në ambasadën italiane në Prishtinë që implikon diplomatë italianë dhe të birin e ish-presidentit kosovar, Rrugova. Për rastin e implikimit të mundshëm të ambasadorit në Prishtinë, Louis Michael Giffoni, është prononcuar për ‘La Repubblica’ vetë Ministria e Jashtme italiane: “Nuk mund të japim informacione të tjera, ajo që mund të themi është se doktor Giffoni nuk është më në listën e nëpunësve tanë”. Por e përditshmja italiane nuk ndalet me kaq, në artikullin e publikuar përmendet dhe fakti që mes dokumenteve që u janë gjetur Ukë Rugovës nga ana e EULEX, në cilësinë e provës materiale gjendet dhe një “letër rekomandimi”.
Kjo e fundit i është dërguar ish-ambasadorit Giffoni nga ana e të birit të ish-presidentit të Kosovës Rrugova për të përftuar favorizimin në procedurat e lëshimit për disa viza. “La Repubblica” ka publikuar dhe hartën e zonave nën kontroll apo nën hetim për faktorin “xhihadizëm”, ndërkohë që janë, me shumë probabilitet, dhe vendet ku mund të strehohet ose është strehuar dyshja e xhihadistëve nga Kosova.
Mediat thonë se tre xhihadistët kosovarë kanë hyrë në territorin italian, më saktë në qytetin e Milanos, në mesin e vitit 2013, por kur inteligjenca e vendit e zbuloi si fakt ishte tepër vonë. Njëri prej xhihadistëve është identifikuar tashmë si një nga terroristët që ka hedhur veten në erë më parë në Irak, ndërsa për dy të tjerët janë humbur gjurmët dhe po kërkohen në të gjithë Italinë, ndërkohë që edhe mësohet se kanë lëvizur prej muajsh në territorin italian. Zbulimi i ekzistencës së tre xhihadistëve u bë i mundur falë një ekzaminimi të qindra dokumenteve dhe vizave të lëshuara nga ambasada italiane në Prishtinë gjatë kohës që ambasador ishte Louis Michael Giffoni. Dokumente këto të fundit, të shqyrtuara me imtësi nga inteligjenca kosovare, italiane dhe nga EULEX për qëllim neutralizimin e grupimit që merrej me shitjen ilegale të vizave italiane, çuan në vërtetësinë e implikimit në aferë të zyrtarëve të lartë italianë dhe shqiptarë. Gjithashtu faktuan dhe se këto kanale korruptive për “procedura legale” kanë favorizuar xhihadistët islamikë, e ndoshta jo vetëm këta të fundit.