Ekonomia

Blerja e energjisë nga HEC-et private, MEI: Nuk ka asnjë cënim kontrate

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar lidhur me deklaratën e  Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme (AREA)  që e konsideron skandaloze prishjen e kontratës me KESH sh.a. dhe zëvendësimin e saj nga një kontratë e re për shitjen e energjisë së prodhuar nga  HEC –et e vegjël, të hartuar në mënyrë të njëanshme nga Enti rregullator i Energjise mbas nje VKM të marrë nga Qeveria shqiptare.

Ministria sqaron se:

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” që synon mbështetjen e një reforme të thellë në sektor dhe që përafron plotësisht Direktivën e BE 2009/72, mbi rregullat e funksionit të tregut të brendshëm të energjisë elektrike.

Ky ligj përcakton një ndarje të qartë të rolit të operatorëve pjesëmarrës të sektorit, duke përcaktuar ndër të tjera funksionet e gjeneruesve të energjisë elektrike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike.

Pikërisht, në zbatim të këtyre detyrave, në bashkëpunim të ngushtë me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Ministria e Energjisë ka hartuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që do të bëjnë të mundur funksionimin e sistemit të sektorit në përputhje me rregullat dhe parimet e BE. Ndërmjet këtyre akteve janë edhe projektligji i Burimeve të Rinovueshme dhe Modeli i Tregut të Energjisë.

Këto nisma legjislative bazohen mbi angazhimet e marra nga Shqipëria në nënshkrimin e Traktatit të Komuniteti të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që lidhen kryesisht me detyrimet për përafrimin e legjislacionit të sektorit te energjisë me Acquis të BE-së.

Hapja e tregut dhe pjesëmarrja e gjithë operatorëve në platformën e energjisë elektrike të ditës në avancë është një nga kërkesat kryesore të procesit të Berlinit për integrimin ne tregun rajonal dhe Europian te energjisë. Kjo kërkon marrjen e një sërë masash ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike.

Në zbatim të Direktivës së BE dhe ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, është nevoja tashmë e përcaktimit të qartë të ndarjes së operatorëve të energjisë elektrike, në përputhje me funksionet e tyre. Në këtë kuptim, është përcaktuar që OSHEE, në funksion të rolit të saj si operator i shpërndarjes, të jetë operatori përgjegjës për blerjen e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë.

Kontratat e blerjes së energjisë elektrike të prodhuara nga shoqëritë private që kanë marrë me koncesion ndërtimin e hidrocentraleve janë kontrata të veçanta, të cilat në bazë të ligjit të sektorit të energjisë elektrike, konsiderohen të rregulluara dhe miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë.

Kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cënon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesionare. Kjo pasi ky ndryshim i operatorit, nuk prek asnjë nga të drejtat dhe garancitë e fituara nga investitorët, të tilla si afati i kontratës koncesionare, afati i kontratës së shitblerjes së energjisë, apo çmimi që shitet kjo energji, të cilat edhe me ndryshimet e kontratës së miratuar së fundmi nga ERE, mbeten të pandryshuara dhe garantojnë të njëjtin rregjim për këto kompani.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë i cilëson të nxituara dhe të pabazuara pretendimet e shprehura në deklaratën publike të AREA-s. Shqetësimi për cënim të të drejtave e garancive të fituara tashmë nga shoqëritë investuese nuk qëndron.

Deri më datën 12.08.2016, në zbatim të përcaktimeve të reja ligjore, nga 85 shoqëri që kanë në pronësi HEC-e, 62 prej tyre kanë lidhur kontratën me OSHEE-në duke u shkëputur nga KESH. Këto shoqëri kanë vazhduar normalisht me rakordimin e energjisë së shitur pranë OSHEE dhe iu është pranuar fatura tatimore e shitjes njësoj si në rastin e kontratës së mëparshme me KESH.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë gjen rastin të kujtojë se janë pikërisht këto reforma të ndërmarra nga qeveria shqiptare që bënë të mundur shlyerjen e 9.1 miliard lekë borxheve të prapambetura që shteti u kishte këtyre prodhuesve privat për shkak të mos reflektimit në tarifë të çmimit të energjisë.

Përveç likujdimit të plotë të të gjitha detyrimeve të prapambetura, prodhuesit privat marrin tashmë brenda afatit ligjor pagesën e muajit korent që prej Janarit të vitit 2015.

Nga Qeveria është treguar kujdes për trajtimin e hidrocentraleve që prodhojnë energji nga burimet e rinovueshme, në mënyrë që ti garantohet në çdo moment një çmim i nevojshëm për mbulimin e kostove të ndërtimit dhe operimit të centralit.

Për këtë qëllim, në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë është hartuar projektligji për burimet e rinovueshme të energjisë, që është në proces konsultimi të vazhdueshëm me gjithë operatorët e sektorit të energjisë elektrike. Në bazë të këtij projektligji përcaktohet se centraleve të energjisë tashmë të ndërtuara, do tu garantohet përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së shit-blerjes një tarifë e arsyeshme që mbulon kostot dhe siguron një normë të arsyeshme fitimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button