BM – Burnham paralajmëron Macron: Plani i BE-së “Made in Europe” mund të dëmtojë industrinë britanike
LONDËR, 3 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Andy Burnham i ka shprehur presidentit francez Emmanuel Macron shqetësimin se plani i Bashkimit Evropian për të favorizuar produktet dhe kompanitë evropiane në prokurimet publike, mund të krijojë probleme të mëdha për industrinë britanike.
Gjatë takimit në Downing Street, të dy liderët ranë dakord se është e rëndësishme të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje, që mbron interesat e përbashkëta.
Plani i BE-së, pjesë e një nisme për forcimin e industrisë evropiane, synon të mbrojë prodhimin në Evropë nga konkurrenca globale, veçanërisht nga Kina.
Ai do t’u jepte kompanive të BE-së përparësi në kontratat publike dhe subvencionet.
Britania e Madhe shqetësohet se kjo mund të godasë sektorë si industria e automjeteve dhe ajo e çelikut, pasi kompanitë britanike që tregtojnë me vendet e BE-së, mund të përjashtohen nga këto mundësi.
Burnham tha se Britania e Madhe duhet të sigurojë një marrëveshje të favorshme, për industrinë britanike të çelikut dhe bujqësinë në samitin e ardhshëm BE-Britani.
Takimi me Macron u përqendrua gjithashtu te migracioni përmes Kanalit të La Manshit, lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, si dhe te marrëdhëniet e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe BE-së.
Burnham kërkon një marrëdhënie më të afërt me BE-në, por qeveria britanike vazhdon të përjashtojë rikthimin në unionin doganor, tregun e përbashkët dhe lëvizjen e lirë. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.