Bosi i kokainës, i njohur si Karlos, mund të jetë shqiptar
Kokaina e Xibrakës
Prokuroria dyshon se personi për të cilin flasin dy kolumbianët është Genci Xhixha, rezident prej vitesh në Kubë
Miku i nipit të diktatorit erdhi në Shqipëri dy ditë para operacionit policor
Genci Xhixha, organizatori dhe financuesi i grupit kriminal që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës Perëndimore, ku në Shqipëri lënda përpunohej në një laborator në Xibrakë të Elbasanit, ka ardhur në vendlindje dy ditë para zhvillimit të operacionit policor. Në pranga ranë nëntë persona, shtatë shqiptarë dhe dy kolumbianë, ndërsa disa të tjerë u shpallën në kërkim, njëri prej të cilëve edhe Xhixha, që jeton prej rreth 10 vitesh në Kubë, ku dhe ka krijuar familje. Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se roli i tij është parësor, pasi ai kishte kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën Latine, ndërsa verifikimet e mëvonshme do të përcaktojnë më qartë rolin e tij. Megjithatë, nga të dhënat paraprake prej sistemit TIMS, por edhe nga dokumentet e Aeroportit të Rinasit, Xhixha mund të jetë në Shqipëri. Ai ka hyrë në territorin e Shqipërisë në datën 12 janar, ndërsa nuk ka dalë prej andej në pikat e kalimit kufitar. Nga ana tjetër, dëshmia e dy kolumbianëve të arrestuar se janë shoqëruar gjatë gjithë kohës nga një person i quajtur Karlos, që fliste mirë spanjisht, ka hedhur dyshime se mund të jetë i njëjti person.
Lëvizjet në Shqipëri
Prokuroria konfirmon zyrtarisht se Genci Xhixha është shpallur në kërkim policor. Ai dyshohet se është organizatori dhe financuesi i këtij grupi kriminal, madje kishte krijuar edhe grupin që nga Amerika Latine e përfundonte në vendet e Bashkimit Europian. Xhixha është 37 vjeç dhe banon prej shumë vitesh në Kubë. Ai është martuar me një shtetase kubane dhe kanë dy fëmijë. Emri i tij u lakua në vitin 2011, ku ai u hetua për pastrim parash. Por, akuzat ndaj tij nuk janë faktuar asnjëherë, pasi Drejtoria e Parandalimit të Parave, por edhe policia e prokuroria, nuk kanë gjetur prova. Në datën 14 janar të këtij viti, emri i Xhixhës doli në skenë, ku policia tha se po e kërkonte për ta arrestuar, në bazë të një urdhri të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai nuk u arrestua, ndërsa verifikimet e mëvonshme zbardhën edhe lëvizjet e tij, kryesisht hyrje-daljet në Shqipëri. Duke qenë se rezidenca e tij ishte në Kubë, prokuroria ka parë vetëm të dhënat nga pikat e kalimit kufitar. Mësohet se Xhixha është futur në territorin e Shqipërisë në datën 12 janar, pra dy ditë para operacionit që prangosi nëntë persona. Dyshimet e prokurorisë flasin se ai mund të jetë shoqëruesi i dy shtetasve kolumbianë, ndërsa akuza thotë se fillimisht kërkon arrestimin e tij. Grupi hetimor, nisur edhe nga dokumentet nga pikat e kalimit kufitar, beson se 37-vjeçari mund të jetë në Shqipëri dhe i fshihet drejtësisë. “Genci Xhixha ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në datën 13 dhjetor të vitit 2014 përmes Aeroportit të Rinasit. Ai është kthyer në datën 12 janar. Pas kësaj date, ai nuk ka lëvizur, të paktën nga pikat e kalimit kufitar. Gjatë kontrolleve në banesat e të afërmve, policia nuk ka mundur ta ndalojë”, thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Komunikimet me anëtarët e grupit
Prokuroria dyshon se Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, ka qenë pika e kontaktit mes Genci Xhixhës, që siguronte kokainën nga vendet e Amerikës Latine dhe Ilir Hysenit, që trafikonte lëndën në vendet europiane. Në Shqipëri, “kapo” ka qenë Hoxha, duke organizuar punët si për shoqërimin e kolumbianëve, ashtu edhe për pagesat e “punëtorëve” apo korrierëve”. Burime nga prokuroria thanë për gazetën “Shqip”, se Xhixha ka pasur kontakte të vazhdueshme me Ilir Hysenin apo me Gentjan Gjonajn. Madje, janë përgjuar edhe disa biseda mes njëri-tjetrit. Megjithatë, personi më i afërt për Xhixhën ka qenë Hoxha, pasi ata kanë qenë shokë fëmijërie. Të dy kanë jetuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku njëri ishte nip i diktatorit dhe tjetri nipi i disa udhëheqësve komunistë.
Misteri i emrit Karlos
Hetimet e fundit që faktuan se Genci Xhixha ka ardhur në Shqipëri dy ditë para operacionit, kanë sjellë në vëmendje edhe dëshminë e dy kolumbianëve Cesar Avila dhe Valter Moreno. Ata thanë në gjykatë se i kishte shoqëruar në Shqipëri një person me emrin Karlos, që fliste mjaft mirë spanjisht dhe u ishte prezantuar si kolumbian, por me pasaportë holandeze. Dy kolumbianët dëshmuan se ishin nisur nga qyteti i Bogotas në Kolumbi dhe kishin zbarkuar në Europë në Portugali. Më pas u nisën drejt Italisë, Greqisë për të ardhur në Shqipëri dhe qëndruan në një hotel në Tiranë, ku dhe morën pagesën e parë. Më pas, ata udhëtonin shpeshherë në Xibrakë të Elbasanit, ku dhe morën me qira një banesë, në afërsi të laboratorit. Kjo dëshmi nuk është marrë e mirëqenë fillimisht, por provat e fundit kanë sjellë dyshimin se personi që përmendin kolumbianët me emrin Karlos mund të jetë pikërisht Genci Xhixha. Për këtë arsye, hetuesit do t’u tregojnë dy kolumbianëve fotografitë e Xhixhës. Në gjykatë, Avila dhe Moreno thanë gjithashtu se Karlosi, ditën që janë arrestuar, ka qenë në laborator, në Xibrakë të Elbasanit. Prokuroria dhe policia nuk japin të dhëna nëse ka shpëtuar apo jo ndonjë person nga arrestimi.