Bota sekrete e bibliotekave me pagesë
Bibliotekat publike janë relativisht një fenomen i ri. Përpara viteve 1880, kur Andrew Carnegie filloi të financonte më shumë se 1600 ndërtesa bibliotekash që mbanin emrin e tij, shumica e bibliotekave në Amerikë ishin të bazuara te pajtimi, me financim nga anëtarët dhe formim të koleksioneve.
Teksa bibliotekat publike falas filluan të lulëzonin nëpër Shtetet e Bashkuara, ato me anëtarësim thuajse u zhdukën, por ende edhe sot, 19 biblioteka jofitimprurëse ekzistojnë dhe po e rikrijojnë veten si qendra kulturore me hapësira bashkëpunimi që mund t’i keni ëndërruar prej kohësh.
Unë jam një shkrimtare me profesion të lirë dhe punoj në shumicën e vitit në Kinkinati të Ohajos, ku zbulova Bibliotekën Mercantile disa vite më parë, ndërsa po moderoja një koncert të vogël. Hapësira e madhe menjëherë më tërhoqi vëmendjen, por nuk ia kisha idenë historisë së saj. Mercantile u themelua në vitin 1835 si librari e lidhjes së tregtarëve të rinj. Koleksionin e ka të përgjithshëm, megjithëse në fillim disa romane u ndaluan që të bëheshin pjesë e saj. Por të tilla masa drastike që nga ajo kohë nuk funksionojnë më. Tavolinat origjinale të leximit vazhdojnë të mbeten në ndërtesën që lidhja e siguroi për një qira afatgjatë me 1 dollar në vit.
Në 70 vitet e para të ekzistencës së saj, Biblioteka Mercantile ishte më e vizituara në Kinkinati, shkroi ish-drejtori Albert Pyle në librin “Bibliotekat me anëtarësim të Amerikës”. Kjo ishte përpara se Biblioteka Publike e Kinkinatit dhe Kontesë Hamilton të hapnin degën e tyre kryesore, një strukturë madhështore që është shkatërruar tashmë bashkë me 40 bibliotekat shtesë.
Ndërsa bibliotekat publike mbeten një burim jetësor për komunitetin, bibliotekat me anëtarësim shërbejnë ndaj një klientele të vetëpërzgjedhur, që kërkojnë për diçka më tepër. Në ditët e qeta, Biblioteka Mercantile është foleja ime private, ndërsa në ditët më të zëna më duket si një zyrë me kolegë më të sjellshëm nga sa kam punuar ndonjëherë. Hapësirat e përbashkëta të punës në qytete si Kinkinati kushtojnë mbi 300 dollarë në muaj për secilin, gjë që është shumë e kushtueshme. Por anëtarësimi në Bibliotekën Mercantile kushton 55 dollarë në vit dhe simotrat e saj kushtojnë nga 15 deri në 250 dollarë në vit.
E para bibliotekë me abonim në Amerikën e Veriut ishte biblioteka “Benjamin Franklin” në Filadelfia, themeluar në vitin 1713, ku anëtarët paguanin nga 40 shilinga për t’u anëtarësuar dhe derdhnin edhe 10 shilinga në vit për të blerë libra të rinj. “Bibliotekat publike i bën librat universalisht të disponueshëm. Por ato nuk përmbushin nevojën tjetër për të cilën u krijuan bibliotekat me anëtarësim, nevojën për një forum social, ku librat dhe çështjet që ato përmbajnë mund të diskutohen”, shkroi Nikolas Barker në librin “Bibliotekat me anëtarësim të Amerikës”. Këto ishin një krijim amerikan, pasi biblioteka e parë me anëtarësim nuk u shfaq në Angli deri në vitin 1797. Koleksionet e librave zotëroheshin nga institucionet fetare, shkollat, universitetet dhe individët. Biblioteka me pagesë e Franklin “prodhoi një klasë të re lexuesish, lexuesin që ndodhej midis atyre që shfletonin almanakët e Franklin dhe të elitës së arsimuar mirë”, shkroi Richard Wendorf në të njëjtin libër.
Në Kinkinati, anëtarësimi në Bibliotekën Mercantile arriti kulmin rreth Luftës Civile me më shumë se 3000 individë dhe u ul në vetëm 500, në fund të shekullit të 20. Bordi i saj kuptoi se duhej të rikrijonte organizatën për të ruajtur rëndësinë në një botë me biblioteka publike.
Në seritë e leksioneve në Mercantile janë shfaqur personalitete si Julia Child, Ray Bradbury dhe John Updike dhe janë mbajtur koncerte të vogla, grupime librash dhe orë sociale. Kur u anëtarësova në librari tri vite më parë, klientela përbëhej kryesisht prej burrave të moshuar me kostume që vinin në drekë për të ngrënë sanduiçët e blerë në metro.
Drejtori i ri, John Faherty, një ish-gazetar, po rekruton njerëz kreativë në qytet për t’i anëtarësuar ata.
“Përgjatë shekullit, pozicioni ynë në shoqëri ka ndryshuar paksa”, thotë Faherty. “Ne jemi jo vetëm një vend ku njerëzit vijnë për të marrë librat, por edhe një vend ku njerëzit bisedojnë për to.”
Stafi përbëhet nga vetëm pesë persona, por disa prej programeve të bibliotekës tërheqin qindra njerëz.
Në San Françisko, një tjetër bibliotekë me abonim ndjek hapa të ngjashëm. “Ne nuk përpiqemi të konkurrojmë me bibliotekën publike”, thotë Deb Hunt, drejtor i “Mechanics’ Institute Library”. “Ne duam vetëm të jemi qendra kulturore e zonës.” Ata janë të specializuar për komunitetin, siç tregohet qartazi në pjesëmarrje.
Ky institut u themelua në vitin 1854 dhe qëndron në këtë ndërtesë që prej vitit 1910. Tani libraria ka rreth 4600 anëtarë, por përpara tërmetit të vitit 1906 arriti kulmin prej 10 000 anëtarësh.
Ka një ndryshim mes bibliotekave private dhe atyre me anëtarësim. Një bibliotekë private është ekskluzive dhe duhet të rekomandoheni për të hyrë, ku tarifat e hyrjes fillojnë nga disa mijëra dollarë.
Në bibliotekën e mësipërme, kostoja e anëtarësimit është 95 dollarë në vit. “Ne e shohim këtë si shumë demokratike”, thotë një anëtar i stafit. Dhe megjithëse bibliotekat me abonim janë krijuar përpara shekullit të 20, një prej tyre sapo u krijua në Uashington.
Pengesat e vogla të hyrjes më bëjnë të pyes veten përse bibliotekat me anëtarësim janë sekrete të mbajtura kaq mirë. Megjithatë, në disa prej këtyre vendeve të dijes, anëtarët po shtohen nga dita në ditë dhe shpresa që ato të vazhdojnë të ekzistojnë është ende e madhe.
*Burimi: Quartz/ Grace Dobush