Bregu kundër Bashës: Nuk pyeti grupin për bojkotin e zgjedhjeve
Deputetja demokrate Majlinda Bregu shpërthen ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe zgjedhjes për të vazhduar rrugën e bojkotit opozitar. Ajo thotë se e di që zëri i saj mund të duket një zë në shkretëtirë, por shpreson të mos mbetet kështu, duke kërkuar që Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje. Bregu thotë se ka kërkuar tek miqtë e Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi, por se me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me një gur të vetëm.
“Edhe PD-në e nxori refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s’ka lënë gjë pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në. Dhe ja ku jemi sot. Edi Rama del na jep orë e minuta në dispozicion për një kompromis, në çartje për tu dukur si engjëll që lutet për paqe, ndërkohë që e dinë mirë edhe socialistët se sa i dëshiruar është për zgjedhje me kundërshtar”, shprehet deputetja demokrate.
Ajo thotë se nuk beson se “Edi Rama që bën sot e gjithë ditën të përvëluarin për dialog e për zgjidhje, ka ndonjë ëndërr tjetër veç asaj që tani të bëhet dhe mbret”. Por më tej pyet: Po PD-ja ku ishte dhe ku është në gjithë këtë mjegull?
“Pa një debat minimal dhe pa as më të voglën shenjë reflektimi në këtë situatë kaq të rrezikshme për të ardhmen e saj?!”, – thotë ajo, duke shtuar se Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor.
Në këtë linjë shprehet se PD, nuk i’u largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht. Partia Demokratike nuk u pajtua asnjë sekondë, as me bojkotin antieuropian të Edi Ramës dhe as me bllokimet skandaloze të rrugëve në emër të votës së lirë, shton në vijim. Bregu siguron të gjithë ata që e kanë quajtur antieuropian e antikombëtar Edi Ramën, se kanë besuar se i tillë vetëm ai mund të ishte, duke e quajtur një arsye më shumë për të mos rënë dakord sot me veprime e bllokime si ato të Edi Ramës
“Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!”, shkruan Bregu në Facebook. Në këtë linjë thotë se ndërkombëtarët duan që PD të hyjë në zgjedhje dhe se ata duan që e djathta të jetë në parlament. Bregu deklaron se ata duan që opozita të kthehet menjëherë në Kuvend dhe të votojë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi.
“Unë jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi! Nuk dua që asnjë të na kthejë shpinën publikisht nëse ne nuk kthehemi në rrugën e përbashkët të familjes së djathtë evropiane! Po më shumë se për ata, ne sot duhet të mos e pranojmë më tutje në heshtje opsionin e transformimit të PD-së nga një alternativë reale e kësaj maxhorance të frikshme, në justifikimin e saj më fantastik për çdo paudhësi më të madhe!”, deklaron deputetja demokrate.
Sipas saj, shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni. Ajo u drejtohet demokratëve duke thënë se dëshiron të ndajë shqetësimin e saj, pasi orët e mundësisë për të ndaluar futjen në një rrugë që “kurrë s’ka qenë rruga e partisë sonë, po mbarojnë!”
Bregu deklaron se u bë qëkur s’mbahet mend që grupi parlamentar i PD-së nuk mblidhet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar nga kryetari i partisë. Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real, nënvizon më tej, duke thënë se megjithatë e ka përkrahur edhe çadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo bën me dije se kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, po se vendimmarrjen e një grupimi politik e di institucion po aq të rëndësishëm sa dhe vendimin e gjithkujt për të dëgjuar ndërgjegjen e tij. “Po aq, forumet e partisë i di si institucione vendimmarrëse e jo vetëm pika të statutit.
Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd”, shton ajo. Më tej shprehet se ndërkohë mazhoranca vazhdon fare e patrazuar rrugën e saj të kapjes përfundimtare të të gjithë pushteteve dhe duket se nuk e ka hiç për gajle ta kapë edhe parlamentin e ta bojatisë të tërin mavi.