Brenda trurit të një vrasësi serial
Shkencëtarët po studiojnë vrasësit serialë në masë, për të kuptuar se çfarë fshihet pas krimeve të tyre makabre. Studiuesit e neuroneve po fillojnë të ndërtojnë një panoramë të mendjeve të turbulluara pas disa prej krimeve më shokuese, mbi të cilat është hedhur dritë në dekadat e fundit
Ata janë magjepsës dhe tmerrues njëkohësisht, por për shumë njerëz, kuptimi i motiveve të vrasësve serialë për të vrarë shumë herë, mund të jetë i vështirë për t’u marrë me mend.
Psikologët dhe shkencëtarët e neuroneve po fillojnë të ndërtojnë një panoramë të mendjeve të turbullta pas disa prej krimeve më shokuese, mbi të cilat është hedhur dritë në dekadat e fundit.
Ata kanë zbuluar ngjashmëri befasuese mes këtyre vrasësve në masë dhe madje kanë gjetur prova që sugjerojnë një anomali gjenetike që mund të veprojë si një nxitës për krimet e llahtarshme.
Doktoreshë Helen Morrison, një psikiatre e mjekësisë ligjore që jeton në Çikago, ka studiuar dhe ka intervistuar 135 vrasës serialë.
Ajo beson se në shumë raste, vrasësit kanë vuajtur nga një anomali kromozomi që i ka shkaktuar një kromozom ekstra në ADN-në e tyre.
Për shembull, Bobby Joe Long, që është aktualisht në dënim me vdekje në Florida për sulm seksual dhe vrasje të të paktën 10 grave në zonën e Gjirit Tampa, kishte një kromozom X ekstra.
Sipas doktoreshë Morrison-it, kjo çoi në sasi të tepërta të estrogjenit që filloi t’i shkaktojë atij turpërim dhe zemërim gjatë pubertetit teksa atij i zhvilloheshin gjinjtë.
Po në të njëjtën mënyrë, Richard Speck, që torturoi, përdhunoi dhe vrau tetë studente infermierie në Çikago, kishte një kromozom Y ekstra.
Morrison-i gjithashtu tha se vrasësit serialë priren të zhvillojnë një ndjesi shkëputjeje nga pjesa tjetër e botës në një moshë shumë të hershme. Kjo si përfundim i detyron ata të ndiejnë mungesë dhembshurie për viktimat e tyre.
Kërkimi nga profesor Jim Fallon, një neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, gjithashtu ka studiuar trurin e psikopatëve duke përdorur skanimin e trurit.
Ai zbuloi aktivitet të paktë në lëvoren e tyre orbitale që duket se ka lidhje me sjelljet sociopate dhe sjell vështirësi në shtypjen e zemërimit dhe dhunës.
Puna e tij ka treguar se truri i disa personave duket se është më i predispozuar ndaj dhunës.
Ndoshta befasia më e madhe që ai zbuloi është se skanimet e trurit të tij tregonin të njëjtin aktivitet të ulët të lëvores orbitale, ashtu si një vrasës serial. Skanimet e trurit të djalit të tij tregonin aktivitet normal.
Lëvorja orbitale besohet se lidhet me sjelljen etike, vendimmarrjen dhe kontrollin e impulseve.
Aktiviteti i pakët në këtë zonë të trurit shkakton vetëpërmbajtje më të vogël ndaj zemërimit, dhunës, të ngrënit, seksit dhe konsumit të alkoolit.
Shkencëtarët besojnë se për të krijuar një vrasës serial nevojiten tre faktorë: përbërja gjenetike, format e trurit dhe abuzimi në fëmijëri.
Profesor Fallon-i gjithashtu testoi ADN-në e familjes së tij për gjenet e lidhura me dhunën dhe identifikoi një gjen të njohur si gjeni MAO-A.
Përgjegjës për prodhimin e një enzime të quajtur monoamine oxidase A, ai njihet gjithashtu si “gjeni i luftëtarit” dhe rregullon nivele të hormonit të gjendjes shpirtërore seretoninë në tru.
Zbulimet e profesor Fallon-it rreth trurit të tij, e çuan në ndryshimin e pikëpamjes nëse gjenet dhe funksioni i trurit ishin të vetmet pjesë të enigmës.
Tani ai beson se eksperiencat e fëmijërisë mund të kenë vepruar si një lloj shkaktari që kombinohet me këta faktorë të tjerë për ta kthyer dikë në një vrasës serial apo në një psikopat.
Profesor Fallon-i ngriti pyetjen: “përse përballë faktit që unë kam të gjithë elementët biologjikë të psikopatisë u bëra një profesor i suksesshëm dhe njeri familjar?”
“Një arsye shumë e mundshme është se pavarësisht se kam të gjithë përbërjen gjenetike të një psikopati të lindur, disa nga këto gjene të rrezikut te dikush i mbuluar me dashuri nga fëmijëria e deri te vitet më të vështira të rritjes, duket se çaktivizojnë psikopatinë dhe rreziqet e tjera gjenetike”- iu përgjigj ai dilemës së tij.
Shpresohet se kërkimet e tjera do ta bëjnë më të lehtë identifikimin dhe kapjen e vrasësve serialë në të ardhmen.
Fakte mbi vrasësit serialë
Vrasës serial është një person i cili ka vrarë tre ose më shumë persona në të paktën tri ose më shumë vendndodhje, shpesh me një periudhë “qetësimi” ndërmjet tyre.
Vrasësit serialë i kryejnë krimet e tyre kryesisht gjatë një cikli: shpesh gjatë periudhave të stresit dhe pas vrasjeve ndihen të lehtësuar.
Motivet e vrasjeve shpesh variojnë, por kryesisht janë sipas kategorive të mëposhtme: Për të marrë para, për të përjetuar ndjesinë, për një ndjesi pushteti, nga dëshira për të hequr qafe keqbërësit.
Një studim i 50 vrasësve serialë zbuloi se shumica e tyre ishin abuzuar në fëmijëri.
Vrasësit serialë kurrë nuk e shohin veten si një pjesë të integruar të botës dhe kjo i bën ata të mos lidhen emocionalisht me viktimat e tyre.