“Brexit”, Britania: Nuk paguajmë asnjë cent për BE-në
Britania e Madhe nuk do të paguajë një faturë divorci prej 100 miliardë eurosh, për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian.
Sekretari për çështjen “Brexit”, David Davis tha në një intervistë se, Britania do të paguajë atë për të cilën është ligjërisht e detyruar, e jo atë që do BE-ja.
Këto deklarata vijnë pasi “Financial Times” shkruante se, BE-ja ka rritur shifrën fillestare prej 60 miliardë eurosh që kërkonte nga Britania. Davis tha se Britania e Madhe i ka trajtuar të drejtat dhe detyrimet në BE me seriozitet, por nuk ka parë asnjë shifër, ndërkohë që shtoi se BE-ja po luan ashpër.
Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier pritet të publikojë programin e tij për bisedimet, ndërkohë që një burim nga BE-ja ka thënë për BBC-në se zyrtarët në Bruksel nuk do të hyjnë në një diskutim për shifrat.
Diskutimet për të ashtuquajturën “faturë divorci” do të jenë padyshim një nga pikat më të vështira të procesit të “Brexit”. Davis thotë se negociatat nuk kanë filluar ende, por la të kuptohej se Britania e Madhe nuk do të lëshonte pè kur të vinte radha e diskutimit të marrëveshjes së divorcit.
“Ata do të kërkojnë atë që duan dhe ne do të ofrojmë atë që duam”, tha ai. BE ka këmbëngulur se Britania duhet të pranojë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e saj, përfshirë kontributin në buxhetin e BE-së. Brukseli ka listuar një kornizë marrëveshjeje për pagesat nga Britania, si parakusht për hapjen e bisedimeve për një marrëveshje tregtare.
Përllogaritjet e mëparshme kanë dalë me një shifër mes 50 dhe 60 miliardë eurosh. Ndërkohë që “Financial Times”, duke përdorur të njëjtin model ekonomik me të dhëna nga Europa, sugjeron se shifra tani ka shkuar në 100 miliardë euro.
Në Bruksel ka raporte, sipas të cilave diferenca mund të përfshijë edhe kërkesa nga vende si Franca dhe Polonia, për kontribute britanike për subvencionet në bujqësi. Po ashtu, BE-ja mund të jetë duke planifikuar që të mos i japë pjesë Britanisë në asetet europiane, përfshirë ndërtesat dhe depozitat bankare.
E gjitha kjo vjen pas tensioneve në rritje mes Britanisë dhe BE-së, pas raporteve për një darkë në “Downing Street” javën e kaluar, ku presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker duket se i ka thënë kryeministres Theresa May se “Brexit” nuk mund të jetë një sukses.
Një ditë më parë, Theresa May tha se Juncker do ta shikonte se ajo ishte një grua shumë e vështirë. Shumë deputetë konservatorë argumentojnë se Britania nuk i detyrohet asgjë BE-së, duke parë përmasat e kontributeve në të shkuarën. Një raport i fundit i Dhomës së Lordëve argumenton se, Britania nuk është ligjërisht e detyruar të paguaj as edhe një cent.