Britani, Cameron do të pasohet nga një femër: Theresa May ose Leadsom
Theresa May dhe Andrea Leadsom do të duelojnë së bashku për t’u bërë kryetarja e ardhshme e Partisë Konservatore, pasi rivali i tyre Michael Gove është eliminuar nga gara.
Pas votimit të raundit të dytë, Sekretarja e Brendshme britanike May siguroi 199 vota mes deputetëve konservatorë në Parlamentin britanik; ministrja e Energjisë Leadsom 84 vota, ndërsa Sekretari i Drejtësisë Gove vetëm 46 të tilla.
Tashmë anëtarët konservatorë do të vendosin se cila mes dy femrave do të jetë ajo që do t’i udhëheqë ata në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërkohë që ky rezultat pritet të shpallet më 9 shtator. Fituesja, cilado qoftë, do të bëhet e dyta kryeministre e Britanisë së Madhe në të gjithë historinë e saj.
Kryeministri në largim David Cameron ka deklaruar dorëheqjen pas humbjes që pësoi në referendumin britanik mbi qëndrimin apo largimin nga BE-ja, aty ku fitoi kjo e dyta.
Rezultati i votimit të sotëm është publikuar nga “Westminster” nga parlamentari konservator Graham Brady, i cili është edhe kryesuesi i Komitetit 1922 të deputetëve pa poste ministrore në qeveri apo opozitë.
Pasi Cameron njoftoi largimin nga posti, ishin plot 5 kandidatë që kërkuan të pasonin atë si udhëheqës të partisë dhe udhëheqës të qeverisë, por pas dy raundeve të para të votimit nga parlamentarët konservatorë, kandidatët tashmë kanë mbetur vetëm dy.
Tashmë do të jetë anëtarësia prej 150 mijë vetësh e Partisë Konservatore, ajo që do të vendosë se cila mes zonjës May, një nga ato që bëri fushatë për qëndrimin në BE, si dhe zonjës Leadsom, e cila bëri fushatë për largimin nga BE-ja, do të jetë pasuesja e Cameron.