Bruksel, muaj të tërë deri në hapjen e plotë të Aeroportit të Zaventemit
Do të duhen muaj të tërë, përpara se Aeroporti i Brukselit të funksionojë me kapacitet të plotë. Ky ishte paralajmërimi i drejtuesve të tij. Stafi ka nisur të kthehet në vendin e shënjestruar prej kamikazëve islamikë dhe shpresat janë, që aeroporti të hapet të mërkurën me 20% të kapacitetit.
Por, do të duhen muaj të tërë përpara se situata atje të normalizohet plotësisht, tha Arnaud Feist, shefi ekzekutiv i Aeroportit të Zaventemit. Mësohet se, autoritetet aeroportuale po ndërmarrin disa teste, për të parë nëse fluturimet mund të nisin sërish. Ndërkohë, masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm dhe do të ketë në mënyrë të veçantë shtim të kontrollit të bagazheve.
Plot 35 persona u vranë dhe 96 të tjerë janë ende të shtruar në spital, pas shpërthimeve që goditën aeroportin dhe stacionin e metrosë në Bruksel.
Edhe institucionet e BE-së u rihapën këtë të martë, sigurisht mes masave të përforcuara të sigurisë, teksa shtim të kontrolleve do të ketë edhe ndaj çantave dhe automjeteve në Parlamentin Europian, kurse shumë ngjarje të organizuara nga trupa jo të BE-së janë pezulluar.
Aeroporti pritet të hapet vetëm kur qeveria të japë “dritën jeshile”, ndërkohë që fillimisht do të lejohen vetëm 800-1.000 pasagjerë në orë, ndryshe nga mesatarja që ka ky aeroport prej 5.000 të tillë në orë.
Ndërkaq, policia belge ka rinisur gjuetinë për njërin prej 3 personave të dyshuar për shpërthimet kamikaze në aeroport, pasi liruan Faycal Cheffou, siç identifikohet nga media belge, për shkak të mungesës së provave.