Kronika

Bullgaria ndihmon në menazhimin e burimeve natyrore në Bashkinë Belsh, përfitojnë 3.400 banorë

Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë, z.Momcil Rajchefski dhe kryetari i bashkisë Belsh, Arif Tafani nënshkruan sot një marrëveshje për dhënien e ndihmës falas në kuadrin e ndihmës zyrtare për zhvillim që ofrohet nga Republika e Bullgarisë.

Nga realizimi i kësaj marrëveshje do të përfitojnë 3.400 banorë të Belshit. Ky projekt do ndikojë në përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore si dhe do të rrisë mbrojtjen e mjedisit përmes instalimit të ndriçuesve inteligjentë në rrugët publike me drita diode të rrezatimit efikas të energjisë (LED).

Të shtunën, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, në ambientet e bashkisë Belsh, Ambasadori Bullgar, tha se, “Qeveria e Republikës së Bullgarisë çdo vit miraton ndihmë financiare falas në kuadrin e programit të ndihmës për zhvillimin dhe realizimin e projekteve në vende të ndryshme”. Sipas ambasadorit këto “projekte i shërbejnë rritjes së cilësisë së arsimit, garantimit të aksesit për shëndetësi cilësore, ndërtimin e një shoqërie civile aktive, rritjen e kapaciteteve administrative të nëpunësve civil, ruajtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore e historike,etj.”

Kryetari i bashkisë Belsh, Arif Tafani, tha se “prania e ambasadorit bullgar në Belsh është e një rëndësie tejet të veçantë, pasi ajo përkon me zhvillimin e ceremonisë së inaugurimit të Projektit “All-in One Solar LED Street Lights”, projekt për ndriçimin rrugor të fshatrave Gradishtë, Hyse, Qafë Shkallë dhe Dragot në Belsh”.

”Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë, z.Momcil Rajchefski, tha kryebashkiaku i Belshit është i pranishëm në inagurimin e këtij projekti të rëndësishëm duke qënë se përmes Ambasadës së Bullgarisë në Shqipëri, Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë përzgjodhi fitues Projekt-Propozimin e Bashkisë Belsh  “All-in One Solar LED Street Lights”, që do të realizohet në kuadrin e ndihmës zyrtare ”Për Zhvillim të Republikës së Bullgarisë”.

“Nga realizimi i këtij projekti do të përmirësohet menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore si dhe do të arrihet mbrojtja e mjedisit përmes instalimit të ndriçuesve inteligjentë në rrugët publike me drita diode të rrezatimit efikas të energjisë (LED). Ky lloj ndriçimi rezulton në uljen e kostove të përdorimit të energjisë si dhe të kostove të mirëmbajtjes së rrjetit ndriçues”-, tha Tafani.

“Po kështu nëpërmjet këtij rrjeti do të ulet ndjeshëm ndotja mjedisore si dhe do të rritet dukshëm cilësia e fluksit të dritës. Nëpërmjet realizimit të këtij projekti do të mund të nxitet dhe dhe do të promovohet lëvizja kreative e njerëzve në rrugë si dhe do të forcohet lidhja me komunitetin”-, tha Kreu i bashkisë së Belshit.

“Natyrisht që falë këtij projekti synohet edhe rindërtimi i disa lagjeve në Njësitë Administrative të Belshit, si dhe do të krijohen potenciale të rëndësishme për hapjen e bizneseve të reja dhe të investimeve me peshë të cilat nxisin dhe fuqizojnë ekonominë e familjeve të Bashkisë Belsh”-, shtoi Kryebashkiaku Tafani. “Nga ky projekt përfitojnë fillimisht 3.400 banorë të Belshit dhe është investimi më i rëndësishëm i kësaj fushe për momentin në bashkinë tonë. Falë këtij investimi do të transformohet plotësisht infrastruktura e ndriçimit në një pjesë të rëndësishme të hapësirës ku shtrihet bashkia e Belshit”, tha ai.

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Bullgari, i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes, e falënderoi ambasadorin Bullgar pa masë për kontributin e dhënë nga shteti i Bullgarisë për modernizimin e sistemit të ndriçimit këtu në bashkinë e Belshit.

“Shpresojmë që ndihma e Ambasadës Bullgare në Tiranë për bashkinë e Belshit të jetë gjithnjë e më e madhe në të ardhmen dhe ky fillim bashkëpunimi mes Bashkisë tonë dhe jush të jetë gjithnjë e më i madh”-, tha Ulqini.

Deputeti Musa Ulqini vlerësoi shtetin e e Bullgarisë që përzgjodhi të mbështesë një nga projektet dinjitoze për këtë qytet të mrekullueshëm i cili do pasohet me investime serioze në të ardhmen. “Bullgaria është i pari vend i BE që jep ndihmë të këtij lloji e të këtyre përmasave”, tha Ulqini.

I pyetur nga media për situatën politikë në shqipëri, ambasadori bullgar tha se “Sot unë jam këtu që të nënshkruaj një marrëveshje në interes të shtetasve shqiptarë, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike. Lidhur me politikën në Shqipëri, ajo që mund të them është që ne kemi besim te burrat e politikës shqiptare, që kanë mjaft përvojë që të gjejnë rrugën e duhur dhe kuptohet që kjo bëhet përmes dialogut. Unë besoj që ky dialog do të zbulojë kush është rruga më e mirë për zgjidhjen e brendshme politike të Shqipërisë, që do të vendoset nga vetë partitë shqiptare. Përsëri them se çdo gjë fillon dhe mbaron me dialogun”, tha ambasadori  Rajchefski.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button