Politika

Bushati vizitë zyrtare në Brazil: Thellim i marrëdhënieve dypalëshe

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Federative të Brazilit.

Gjatë vizitës, ai u prit në takime të veçanta nga ministri i Punëve të Jashtme, Mauro Luiz Iecker Vieira; ministri i Shtetit për Turizmin, Alberto Alves, Presidenti i Dhomës së Deputeteve Eduardo Cosentino da Cunha dhe Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes në Senat, Aloysio Nunes Ferreira.

Në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, palët konfirmuan marrëdhëniet e mira dhe vullnetin e përbashkët për thellimin e tyre nëpërmjet institucionalizimit të bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe marrëveshjeve kuadër, sidomos në fusha si turizmi, agrobiznesi, miniera, ku Brazili ka një eksperiencë të çmuar.

unnamed-512.jpg

Ministri Bushati vlerësoi si të rëndësishëm zgjerimin e bashkëpunimit bilateral pas hapjes së ambasadave respektive në Tiranë dhe Brazilia, sikundër ndikimin pozitiv që ka pasur heqja e vizave për qytetarët mes dy vendeve.

Dy ministrat u ndalën gjithashtu në axhendën e pasur të bashkëpunimit shumëpalësh dhe ndanë pikëpamje mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit me të cilat përballen rajonet respektive.

Ministri Bushati vlerësoi qasjen e përshkallëzuar të Brazilit kundrejt Kosovës, e materializuar së afërmi me njohjen e dokumenteve të udhëtimit. Ne këtë kontekst, ai kërkoi ndërmarrjen e hapave të nevojshëm që do të mundësonin pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ministri Vieira shprehu qëndrimin e Brazilit se procesi i njohjeve të Kosovës eshët një çështje në evoluim. Në përgjigje të ftesës së ministrit Bushati, ministri Vieira shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Tiranën, si një etapë tjetër për të intensifikuar bashkëpunimin politik e ekonomik.

Në fund të takimit, palët nënshkruan Marrëveshjen për Transportin Ajror ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federative të Brazilit.

Gjatë takimit me ministrin e Shtetit për Turizmin, Alves, palët theksuan rëndësinë që ka veçanërisht bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe gjetja e mundësive për konkretizimin e këtij bashkëpunimi. Ministri Bushati bëri një prezantim mbi situatën ekonomike në Shqipëri, mundësitë dhe lehtësitë që ofron ekonomia shqiptare për thithjen e investimeve të huaja e bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në fusha të ndryshme. Palët ranë dakord për finalizimin e një memorandumi bashkëpunimi në fushën e turizmit, duke njohur rëndësinë dhe potencialet e sektorit.

Ministri Bushati zhvilloi takime edhe me Presidentin e Dhomës së Deputetëve dhe Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Mbrojtjes. Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, sfidat e sigurisë, intensifikimin e dialogut politik dhe rolin e diplomacisë parlamentare, si një instrument i rëndësishëm për jetësimin e bashkëpunimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button