Ekonomia

Buxheti 2021, ngarkesa fiskale peshon në 6-mujorin e dytë, dhjetori me barrën me të lartë

Shpërndarja mujore e planit te të ardhurave buxhetore për vitin aktual lajmëron rritje të ngarkesës fiskale në gjashtëmujorin e dytë, por gjithashtu barra do të jetë më e lartë se, arkëtimet e një viti më parë, që ranë si pasojë e efekteve negative që dha karantina totale në mars-maj të vitit 2020.

Ministria e Financave programon të arkëtojë këtë vit nëpërmjet buxhetit 2020 484 miliardë lekë, 63 % e të cilave do të grumbullohen gjatë periudhës qershor -dhjetor.

Ngarkesa më e ulët fiskale për këtë vit ishte në muajin shkurt, me një plan arkëtimesh prej 34.2 miliardë lekësh, ndërsa muaji me ngarkesën më të lartë është dhjetori me një plan arkëtimi 49 miliardë lekë.

Shpërndarja mujore e planit te të ardhurave ndjek ciklin vjetor të ekonomisë. Në muajt e parë të vitit sidomos në tremujorin e parë plani i të ardhurave buxhetore synon arkëtime më të ulëta për shkak të konsumit të dobët që zakonisht është në këtë periudhë.

Me ngrohjen e motit dhe nisjen e sezonit turistik në fund të pranverës aktiviteti ekonomik zhvillohet me një intensitet më të madh sidomos në sektorin e shërbimeve. Konsumi dhe punësimi përmirësohen dhe për rrjedhoje të ardhurat e planifikuara pas muajit qershor vijnë e rritën.

Ngarkesa fiskale vjen e intensifikohet sidomos në tre muajt e fundit të vitit, për të kulmuar në muajin dhjetor si rrjedhojë e ndikimit që kanë në konsum festat e fundit të vitit.

Në raport me faktin e një viti më parë plani i të ardhurave është më i lartë në muajt mars (12.7%) prill (21.5%), maj (34.4%), qershor (15%) dhe korrik (17%). Karantina totale për kufizimin e pandemisë në mars- maj 2020 bllokoi totalisht lëvizjen në vend dhe një pjesë të madhe të aktivitet ekonomik. Për pasojë të ardhurat buxhetore në këtë periudhe shënuan rëne drastike si me faktin e vitit paraardhës ashtu edhe me planin e periudhës.

Ministria e financave pret rritje të lartë të arkëtimeve në tre muajt e fundit në raport me faktin 2020, si rrjedhojë e kthimit në normalitet të ekonomisë. Mirëpo këto parashikime rrezikohen nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe zgjatja e krizës pandemike.

Vitin e kaluar të ardhurat buxhetore ishin sa 27.1 për qind e PBB me një ulje 0.3% pikë përqindje në raport me vitin paraardhës. Ky ishte niveli më i ulët i të ardhurave më raport me PBB që nga viti 2015.

Edhe pa efektet e krizës pandemike, Shqipëria kishte rendimet të ulët fiskal, pasi të ardhurat në raport me PBB më 2019 ishin së paku 10 pikë përqindje më të ulëta se mesatarja rajonale sipas të dhënave të Eurostat.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksave në rajon, por arkëtimet buxhetore vuajnë nga niveli i lartë i informalitetit që karakterizon ekonominë tonë. Organizata ndërkombëtare e Punës ILO referoi së fundmi se informaliteti në tregun e punës është 60 për qind në Shqipëri, ndërsa studime më të hershme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore referojnë se evazioni fiskal në disa lloje tatimesh shkon edhe në 50 për qind.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button