Buzëqeshjet dhe përqafimet nuk tregojnë se do të na fusin pa radhë!

Entuziazmi që tregonte Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, sa herë përballej me kryeministrin e Shqipërisë, ishte vërtet mbresëlënës. Ajo dukej edhe më e bindur se vetë qeveria shqiptare për anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2030, dhe paraprakisht, për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Referuar raportit shumë miqësor të kryeministrit me Marta Kos, Presidenten Ursula von der Leyen, raporti motëror me Melonin e raportit vëllazëror me Makronin, për ne që jemi mësuar ti bëjmë punët “me të njohur”, anëtarësimi dukej punë e mbaruar.
“Kushtet mund të mos i plotësojmë, por për arsye gjeopolitike do na fusim. Shiko sa mirë na presin”- ky ishte dhe është ende perceptimi masiv ndër shqiptarë, i krijuar nga PR qeveritar.
Referuar këtij perceptimi, anëtarësimin e sigurtë në BE në 2030 qeveria e bëri flamur elektoral në zgjedhjet e 2025. Ishte premtimi i parë dhe i vetëm. Por, pas mbylljes së festës për hapjen e grup-kapitujve dhe, kur u shturam të shikojmë realisht se çfarë kemi e çfarë duhet të bëjmë, duket se të gjithë i kanë “varur veshët”. Së pari ne, pasi kuptuam se anëtarësimi dhe mbyllja e kapitujve nuk është as çeshtje kohe, as çështje dëshire, as çështje dashurie dhe as çështje përqafimesh me udhëheqësit në Bruksel. Por i ka varur edhe vetë komisionerja Kos, edhe pse detyra ia kërkon të jetë entuziaste.
Të martën, Parlamenti Europian e voti raporin për zgjerimin, por disa kandidatëve i kujtoi se “anëtarët e rinj duhet të jenë demokraci të forta, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve”. Ndërsa vendeve që supozohen favoritë, ku bëjmë pjesë edhe ne, iu kujtua se edhe pse të tillë “kjo nuk ju garanton një status të veçantë. Progresi duhet të ruhet në vijimësi përmes zbatimit të reformave”- tha Kos, tashmë pa referuar një datë, as në takimin e një dite më pas me Minsitrin e Jashtëm shqiptar.
Çfarë ndodh në Tiranë?
Pasi u fol për një “status të ndërmjetëm”, të tipit anëtarsim pa qenë anëtar, pa të drejtë vetoje e vote, pra për të bërë sikur, pasi u fol për anëtarsim me kusht, që disa kritere ti plotësojmë rrugës, “Shqipëria 2030” nuk po referohet më si objektiv i sigurtë. Madje u fol për “një Gjermani që po na pengon”, ndërsa mbyllja e të gjithë Kapitujve në 2027, nuk zihet me gojë.
Madje lëvizjet politike, në disa raste, kanë marrë kurs të kundër me atë që kërkohet nga negociatat. Sipas raportit të zgjerimit, “procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm nëse reformat nuk realizohen”.
Ndoshta duhet shtruar edhe pyetja, nëse është ende integrimi një prioritet apo jo?
Asnjëherë një qeveri nuk ka patur një premtim kaq të drejtëpërdrejtë dhe kaq të matshëm.
Në 31 dhjetor 2027, Shqipëria ose i ka mbyllur negociatat ose nuk i ka mbyllur. Nuk ka as “një hap më afër”, as “një hap larg”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.