Ekonomia

Cani: Të hiqen lehtësitë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve

cani 1Ministri i Financave, Shkëlqim Cani kërkoi të hënën të hiqen lehtësitë për produktin “Bio” që gjendet në karburantet finale që hidhen për konsum. Ministri Cani i cili po paraqet ndryshimet në ligjin “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, të ndryshuar, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave tha se arsyeja e shfuqizimeve të dy dispozitave ligjore, që parashikojnë lehtësi për këtë sektor argumentohet me politikën e qeverisë për rishikimin tërësor, me heqje të të gjitha lehtësirave fiskale të dhëna ndër vite në sektorin hidrokarbur dhe karburantet duke i barazuar këta sektorë me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë nga pikëpamja e trajtimit në mënyrë të barabartë fiskale të të gjithë sektorëve të ekonomisë.
“Do të mbështesim biodizelin për përdorim, por përmes ekonfondit që do të miratojmë më vonë me ligjin “Për energjinë e rinovueshme”, deklaroi ministri Cani. Kreu i financave publike bëri të ditur se Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi rënë dakord që nuk do të jenë taksat, mënyra për të mbështetur produktet, por këto do të mbështeten përmes paketave buxhetore. Ministri Cani vuri në dukje se niveli i taksave nuk është domosdoshmërisht formë e paketës mbështetëse.
Në paketën fiskale 2014 u rishikuan, me heqje, të gjitha lehtësitë fiskale në sektorin hidrokarbur (të shoqërive naftënxjerrëse). Tashmë, pas një analize të kujdesshme të tërësisë së këtij sektori, propozohet heqja e lehtësisë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve.
Periudha 7-vjeçare e marrjes së kësaj lehtësie ka qenë më se e mjaftueshme në përfundimin e të gjitha investimeve në këtë sektor. Kjo lehtësi fiskale e akorduar nga viti 2008 për stimulimin e biokarburanteve në vend ka qenë më se e mjaftueshme për përfundimin e investimeve në vend.
Vetëm për vitin 2013, kjo lehtësi ka qënë në masën 1.2 miliardë lekë akcizë të rimbursuar për biokarburantet. Ky propozim mbyll heqjen e çdo lehtësie fiskale në sektorin e hidrokarbureve dhe politika e qeverisë është drejt analizimit të dhënies së lehtësirave fiskale në sektorë të tjerë të ekonomisë, siç është sektori i bujqësisë (skema e kompensimit të TVSH-së së fermerëve në masën 20% që u miratua me ligjin e TVSH-së) apo sektori i peshkimit.
Ky ndryshim ligjor shoqërohet edhe me ndryshimin në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, më konkretisht të shkronjës “dh”, të pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, që është pjesë e kësaj pakete.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button